Kombëtarja shqiptare e femrave U-19 ka zhvilluar këtë të hënë sfidën e tretë dhe të fundit ndaj Turqisë, në kuadër të ndeshjeve të raundit të dytë të kualifikueseve të Kampionatit Europian 2022, ku Shqipëria ishte shortuar në të njëjtin ekip me Turqinë, Izraelin e Qipron.
Në sfidën e zhvilluar në kompleksin “Arslan Zeki Demirci Spor” në Turqi, vajzat kuqezi u mundën me rezultatin 1-9. Trajneri Krepi e nisi ndeshjen ndaj Turqisë me këtë formacion: Hyska (c), Avullija, Tanushi, Vuksani, Iliadhi, Caka, Hamonikaj, Armoku, Blinishta, Puca dhe Kacorri.
Vajzat kuqezi ndëshkohen që në minutën e dytë me Zeynep Kerimoglu, e cila kaloi në avantazh kundërshtaret. Shqipëria nuk dorëzohet, teksa skuadra tenton dy herë me Iris Armokun, e cila në minutën e 9-të arrin të kthejë në gol një aksion personal, duke barazuar rezultatin për vetëm 2 minuta, pasi turket arrijnë të kalojnë sërish në epërsi me autoren e parë të golit, Zeynep Kerimoglu.
Në minutën e 14-të, kundërshtaret shënojnë edhe golin e tretë, me minutat e para të lojës që prodhojnë emocione dhe gola në të dyja kampet. Pak minuta më vonë, kundërshtaret shënojnë edhe dy gola të tjerë me Zeynep Kerimoglu e më tej edhe e Berivan Icen.
Pjesa e parë mbyllet me shifrat 1-5, teksa me nisjen e pjesës së dytë, Krepi bën dy ndryshime në formacion, me portieren Hyska që del nga fusha dhe i lë vendin Spahos, ndërsa Çemeri zëvendëson Kacorrin. Edhe në këtë fraksion të dytë të lojës, vajzat kuqezi pësojnë edhe katër gola të tjerë, duke u mundur kështu me shifrat 1-9 nga Turqia.
Shqipëria U-19 e femrave arriti të fitojë ndaj Qipros ndeshjen e dytë të këtyre kualifikueseve, teksa u mund nga Izraeli e Turqia, duke u renditur në vendin e tretë me 3 pikë. Kësisoj, ekipi do të vijojë të jetë në Ligën B edhe për edicionin e ardhshëm të Europianit për femra U-19.