MENU
klinika

Nga Fieri në Fushë-Krujë/ Emrat

Zgjidhen kryetarët e parë të PD në 4 degë

11.04.2022 - 09:49

Mallakastra, Fieri, Selenica dhe Fushë Kruja janë katër degët që prijnë procesin e riorganizimit të Partisë Demokratike.

Në Mallakastër, Resim Shanaj u shpall të shtunën fitues i garës për kryetar të PD-së në degën e Mallakastrës. Votimi u hap të shtunën në orën 7:00 dhe u mbyll në orën 18. Shanaj pati përballë kandidatin tjetër Astrit Xhafaj.

Në përfundim të procesit të numërimit të votave, Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale të Partisë Demokratike njoftoi se fitues ishte Resim Shanaj. Ai mori 277 vota, nga 369 vota të vlefshme që ishin hedhur në kuti.

Ndërkohë, ditën e djeshme procesi i ristrukturimit të PDsë vijoi në Fier, Selenicë dhe në Fushë-Krujë. Në përfundim të procesit të numërimit, në Selenicë rezultoi fitues kandidati Leonard Rakipaj. Rakipaj mori 203 vota, kundrejt Gazmir Beqajt, i cili mori 63 vota.

Ndërsa ne FushëKrujë nuk ka pasur surpriza, ku është rizgjedhur kryetari Agron Loka.

Gjithashtu është mbyllur procesi i votimit edhe për zgjedhjen e kryetarit të degës se Partisë Demokratike në Fier.

Nga dy kandidatët në garë, është shpallur fitues me 452 vota Rrapi Gjika, ndërkohë që kandidati tjetër, Vladimir Kajolli, mori 344 vota.

RISITË

Procesi i riorganizimit të PD-së këtë herë ka disa risi, një prej tyre është edhe fakti se në momentin e votimit bëhet edhe verifikimi elektronik i anëtarëve duke nënshkruar pjesëmarrjen në votim. “Partia Demokratike po aplikon për herë të parë në Shqipëri sistemin e regjistrimit dhe verifikimit elektronik të zgjedhësve në kohë reale.

Sot, dega jonë në Mallakastër po aplikon këtë sistem në zgjedhjen e kryetarit të ri. Kjo sjell risi dhe transparencë të plotë në procesin zgjedhor brenda partisë sonë. Shqipëria nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme pa bërë së pari transparencë në zgjedhjet brenda partive.

Prandaj, Partia Demokratike është e para që do të japë garancinë e votës së lirë brenda saj, për të mbrojtur votën dhe vullnetin e demokratëve”, njoftoi dje Partia Demokratike.

Sipas afateve të paracaktuara nga Komisioni i Rithemelimit, deri më datën 20 prill do të kryhen zgjedhjet për kryesitë e degëve dhe kryetarët e PDsë në të gjitha degët. Fillimisht, deri më datë 17 prill do të paraqiten kandidaturat dhe më pas, pasi të verifikohen nëse plotësojnë kriteret e kandidimit, do të bëhen pjesë e garës.

Ndërkohë, procesi i përzgjedhjes do të bëhet në intervalin kohor nga data 18 deri më datën 20 prill.

Më pas do të procedohet me kandidatët për Këshillin Kombëtar. Këshilli Kombëtar pritet që të zgjidhet më 30 prill, kur edhe është lajmëruar të mbahet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike. Kujtojmë që, sipas Statutit të ri të PD-së të miratuar më 11 dhjetor e që u njoh nga Gjykata e Tiranës, Kuvendi Kombëtar dhe Këshilli Kombëtar i PD-së nuk do të jenë me të njëjtin numër siç është aktualisht.

Sipas Statutit të ri, numri i anëtarëve të Kuvendit të PDsë është rreth 1100 anëtarë, ndërsa më i ulët do jetë numri i anëtarëve të Këshillit që do të zgjidhet më 30 prill. Ndërkohë, sipas planit të Komisionit të Rithemelimit, më 30 prill nis edhe faza e dytë e riorganizimit të PD-së në organet qendrore të saj. Kështu, do të jetë Këshilli Kombëtar që do të dalë nga Kuvendi i 30 prillit ai që do të zgjedhë kryesinë e re të PDsë.

Më pas, anëtarët e kryesisë do të drejtojnë Partinë Demokratike deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë më të madhe në opozitë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



“Çdo subjekt që do hetohet për korrupsion apo krim, do i kontrollohet dhe pasuria”

Dumani zbulon pse SPAK refuzoi Komisionin Xhafaj

“Autori kishte thënë ‘Prisni ju çfarë do të ndodhë sot’”

Vrasja e Martin Canit, zbardhet audio nga mbledhja në “Fan Noli”!