MENU
klinika

"Të dalim me një kandidaturë të vetme"

Aleatët e PD, presion Alibeajt të propozojnë emër për President

25.05.2022 - 12:38

Presidenti i 11-të i Republikës së Shqipërisë me shumë gjasë do të jetë një figurë që nuk do të gëzojë mbështetjen e të gjitha palëve politike.

Raundi i tretë dhe i fundit ku kreu i shtetit zgjidhet me shumicë të cilësuar është caktuar më 30 maj, por opozita, tashmë e përçarë, duket se nuk do të ketë një emër. Me gjithë demoralizimin e Alibeajt, aleatët e vegjël të PD-së i bënë dje presion kryetarit të Grupit të PDsë që opozita të dalë me një emër të përbashkët.

“Ne si deputetë jemi betuar për të respektuar Kushtetutën. Kushtetuta e ka përcaktuar si zgjidhet Presidenti. Është e pafalshme që Kuvendi t’i humbasë solemnitetin zgjedhjes së qytetarit të parë të vendit, për t’i dhënë atij autoritetin e nevojshëm, por të bëjë të kundërtën në diskutime krejt të pavlefshme. Çështja nuk është si do të veprojë maxhoranca. Sepse të dyja palët jemi në përgjegjësinë tonë për të ofruar konsensus. Do t’i bëj thirrje opozitës. Duhet të dalim me një kandidaturë të vetme që ne të futemi në një proces serioz për të zgjedhur një autoritet moral.

Pavarësisht diferencave të vogla, nëse nisemi për të gjetur një kompromis, ne duhet të dëgjojmë njëri-tjetrin. Ne duhet të çojmë një kandidaturë në raundin e tretë. Përpara se të kërkojmë përgjegjësi nga pala tjetër, do duhet të gjejmë përgjegjësi te vetja jonë”, tha dje Mediu në Konferencën e Kryetarëve.

Ndërsa Mesila Doda akuzoi Alibeajn se krijon alibira. “Data dhe ora e mbledhjes për raundin e tretë duhet të jetë e fundit. Dhe s’mund të bëjmë teatër sikur këtu janë të gjitha gjërat në rregull dhe ne të caktojmë datën dhe orën.

Kushtetuta e thotë se Presidenti duhet të dalë me shumicë të cilësuar jo për qefin e maxhorancës dhe opozitës, por duhet të jetë aktor mbi palët. Këtë vullnet unë nuk e shoh sot në Parlamentin e Shqipërisë.

Ndaj teatri që po bëhet këtu, ku njëra palë bën sikur ofron konsensus dhe pala tjetër sikur po merr pjesë në proces. Çështja është a do të ketë negociata apo s’do ketë? Nëse nuk ka negociatë që ne bëjmë formulën 8, 4 dhe në fund 2, ndërsa pala tjetër thotë që ne do të shkojmë një herë në kryesi dhe pastaj do të më jepni ju me 20 firma emrin. Atëherë nuk kemi President konsensual, por po bëjmë teatër. Unë propozoj që të fillojmë të bëjmë një proces serioz, ose, për ndryshe, proces nuk ka. Çështja është të kesh këllqe e të marrësh vendime. Të mos krijosh alibira të tipit që duhet të shkoj të pyes e pastaj të vij apo të kesh 20 firma, sepse këtë e ofron Kushtetuta. Të kemi mundësi të mos i bëjmë bisht punës”, u shpreh Doda, e cila më pas e braktisi mbledhjen.

REAGIMI

Jo vetëm maxhoranca, por dje në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, kundër Alibeajt ishin edhe kolegët e tij të opozitës. Por pasi dëgjoi shqetësimet e tyre, Alibeaj foli prerë, duke thënë se maxhoranca prishi marrëveshjen e arritur. Në këto kushte, tha ai, opozita i dha çfarë kishte për të dhënë, çka paralajmëroi se në raundin e tretë nuk do të ketë një emër, pavarësisht insistimit të aleatëve.

“I kuptoj shqetësimet e kolegëve. Përpiqem t’u jap të drejtë në atë që ata kërkojnë. Sigurisht që kjo është çështje që na përfshin ne si opozitë, por duhet parë pala tjetër çfarë qëndrimi ka. Tek e fundit ne duhet të nxjerrim Presidentin e Republikës në një proces që domosdoshmërisht do duhet të ketë sintetizim të të gjitha shijeve të opozitës, por nuk është kjo parësore.

Parësore është se cili është qëndrimi i palës tjetër. Nuk është palë dosido. Është pala që formalisht nuk ka legjitimitet për të zgjedhur e vetme Presidentin e Republikës. S’ka të madh e të vogël që s’ka kuptuar që pala tjetër pret raundin e 4-t dhe të pestë. Duan një President tyrin. Atë që ne bëmë modestisht ishte ajo që ofruam. Ramë dakord për një dokument të qartë.

Një proces i përbashkët ku opozita të mos ishte një mbushëse topi. Por të vendosej në kushte reale se po merr pjesë në një proces serioz. Por maxhoranca nuk i qëndron fjalës. Kjo nuk është për t’u testuar. Serioziteti i procesit e donte që me dokumentin e rënë dakord të shkohej deri në fund. Teksa tërhiqen, i kanë thënë të gjitha. Ne në këtë proces futemi si një detyrim moral dhe kushtetues, por tani përballë publikut ç’kishim për të dhënë, i dhamë”, u shpreh Alibeaj.

Balla: Alibeajt nuk i japim firmat tona

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i ka lënë të hapur rrugën opozitës që të propozojë ajo kandidatin për President. Balla u shpreh i gatshëm për të nergociuar për emrin, por refuzoi formulën e Alibeajt që kandidati i opozitës të shkojë në Parlament edhe me firmat e maxhorancës.

“Si mund të thuash hajde negociojmë, unë propozoj Tabakun, Dumën, Gjekmarkaj dhe Alebeajn, edhe Presidenti i bie të jetë ose Tabaku ose Duma. Ky nuk është proces. Më mirë thoni na e lini ne të zgjedhim Presidentin. Ju pretendoni të keni Presidentin, ne mendojmë ndryshe. Presidenti apo Presidentja duhet të kalojë përmes një proces më të gjerë. Ne nuk do të propozojmë kandidatë me datë 30, me shpresën se mund të ndodhë ajo që tha Mediu, mund të ndodhë. Do shkojmë në Grupin Parlamentar të PS-së, do themi kanë ardhur këto kandidatura pastaj do të vijmë te ju për secilin. Nëse mendoni që ju propozoni katër dhe mes tyre patjetër duhet të jetë Presidenti, ky nuk është proces. Unë mendoj që bisedimet duhet të vijojnë. Nëse 4, 2, 1 është formula juaj, le të themi që sot nuk kemi dakordësi dhe le të kërkojmë nga partitë e tjera që të propozojnë kandidatura që mund të marrë mbështetje”, tha Balla.

E ndonëse me Alibeajn negociatat duket se janë mbyllur për kreun e shtetit, Balla tha se ka disa opsione negocimi me aleatët e opozitës.

“Ka një propozim nga një pjesë e opozitës që të mbështesin një kandidaturë. Ka një pjesë tjetër ku ata të vijnë me emrat e tyre dhe ne të shohim mundësinë që brenda atyre emrave, kush përmbush pritshëmëritë. Kjo është çështja ku dua të ndalem. Ne jemi me të gjitha mënyrat e mundshme me përjashtim të formulës së Alibeajt 3 pastaj dy pastaj 1. Sepse ajo nuk është negociatë. Orët dhe ditët në vijim do të jenë ditë intensive bisedash me kolegët e opozitës që në raundin e tretë të shkohet me një kandidat. Edhe në raundin e tretë nuk do ketë një kandidaturë me votat e PS. Skam asnjë propozim konkret nga PD që të kem mundësi të shkoj me një emër te grupi i PD. Ka pasur keqkuptim, skam pas kuptuar atë që do Alibeaj të kuptojë, është e qartë”, u shpreh Balla në përfundim të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Caktohet data për raundin e 3-të

Presidenti / Mblidhet sot Konferenca e Kryetarëve

Çfarë kërkojnë demokratët për të arritur konsensusin

Presidenti i ri/ Dështon edhe raundi i dytë, PD rikthehet në tryezë me kusht!