MENU
klinika

Epiri

Ali Pashai… siç nuk e njihni

23.05.2022 - 13:26

         Ali Pashë Tepelena, i cili mallkohet sot nga helenët, ka qenë ndihmësi më i madh i tyre për helenizimin e Epirit. Lejimi i shkollave greke në territore të banuara nga shqiptarët nga Ali pashai, ishte një e keqe e madhe për kombin tonë. Por gjëma më e madhe do të vinte më pas, kur ai KASAPI I EPIRIT, me një egërsi dhe barbari më të madhe se të Çhengis-Khanit, do të bënte një gjenocid të paparë dhe spastrim etnik mbi krahinat më të lavdishme shqiptare (gjë që do ta kishin zili andartët grekë dhe çetnikët serbë), asaj të Sulit legjendar, Labërisë dhe Himarës./Konica.al

Ju kujtojmë gjithë shqiptarëve se gratë, nuset e reja dhe vajzat suljote, për të mos rënë në dorë të këtij gjakësori dhe përdhunuesi (të cilin ka disa shqiptarë sot që e quajnë burrë shteti), atje në Zallong, u hodhën nga shkëmbi në një valle vdekjeje, një nga një, në humnerë. Vetëm ky krim mjafton për ta kuptuar se kush ishte Ali Pashai turk.

Po ndërsa Pal Emili, që dogji dhe shkatërroi 70 qytete në Epir dhe shpërnguli 150.000 banorë të Epirit, ishte pushtues, Ali gjakësori ishte pashai i kësaj krahine shqiptare, i cili edhe ai e mbante veten për shqiptar. Suli, Himara, Hormova, Lekli, Dhërmiu, Kardhiqi, Preveza, Lukova, etj., provuan vrasjet masive, shkatërrimin e shtëpive të tyre deri në themel, prerjen e pemëve të kopshteve të tyre deri në rrënjë, djegien me zjarr të çdo gjëje, dhe ata që shpëtuan gjallë u degdisën me dhunë nga fshatrat e tyre, nëpër të gjithë Greqinë, ishujt e deri në humbëtirat e Anadollit. Dhërmiasit, edhe sot e kësaj dite ruajnë në kujtesën e tyre, shpërnguljen e dhunshme në vitin e zi 1810, të më shumë se 2000 banorëve të këtij fshati në Sallahorë (Pargë) të Greqisë. Ku dhe ata që u kthyen në fshat pas 10 vjetësh, me vdekjen e gjakësorit, ishin të helenizuar plotësisht. Atë që bëri Ali pashai, e kishin bërë vetëm vandalët, hunët, gotët dhe sllavët në trojet ilire. Në këtë tokë të djegur, me krahina të tëra të shpopulluara nga shqiptarët dhe të populluara me popullsi greqishtfolëse (ku përfshihen edhe vllehët), helenët, sidomos pas krijimit të shtetit grek më 1830, e patën shumë të lehtë helenizimin e tyre pas kësaj kasaphane. Prandaj me të drejtë konsulli francez, Sharl Pukëvill, e quan Ali Pashanë Tiran.

Mizoritë e Ali pashë Tepelenës të bëjnë të mendosh: si ka mundësi, që një shqiptar të vrasë me kaq gjakftohtësi shqiptarët dhe t’i vrasë jo në betejë, jo ballë për ballë në luftë dhe me armë në dorë? Por me pabesi dhe tinëzisht, me paburrërinë më të madhe, me pabesinë më të madhe, gjë që nuk e bën kurrë, asnjë shqiptar. Por nuk vrau vetëm burrat, por vrau edhe gratë dhe fëmijët. Këto vrasje nuk mund t’i bëjë një shqiptar kundër gjakut të vet. Ai nuk ka qenë shqiptar. Vrasjet dhe mizoritë e tij janë të njëjta me ato të andartëve grekë në fshatrat e Shqipërisë së Jugut, në vitin 1914, pa u hequr asnjë pikë ose presje. Por dihet që andartët nuk ishin shqiptarë, ata ishin grekë ose vllaho-grekë.

Po cila është atëherë, origjina e Aliut?

Spiro Mela është marrë me origjinën e Aliut dhe nga kërkimet që ka bërë i ka rezultuar: “…Fisi i tij rridhte nga njëfarë Huseini, një aventurier nga Qutahija e Azisë së Vogël, i cili ndiqte mësimet në një teqe, por ngaqë përdhunoi një vajzë, e ndiqnin këmba-këmbës dhe ai gjeti strehë në një teqe afër Tepelenës. Me ato pak dije që kishte fituar, u emërua tagrambledhës. I biri i Huseinit, Mustafa Huseini, ose siç e thërrisnin me ledhatim, Meço Huçoja apo Muço Huço – nga tagrambledhës, ia doli që të emërohej Muteselim i Tepelenës. Ky ishte stërgjyshi i Aliut… Nëna e tij, Hankoja, e bija e Zenel beut nga Konica, që kur ishte me burrë kishte pasur marrëdhënie me shumë burra të tjerë. Ajo helmoi dy vëllezërit e ……………., që i kishte me gruan e parë. Hankoja dinake, e ashpër dhe ambicioze… një nënë e tmerrshme me shpirt burrëror, që të kujton Lukrecia Borxhian dhe ledi Makbethin…”.

Në një bisedë me Pukëvillin, Aliu shprehet: “Shqiptarët më shohin si një krijesë të jashtëzakonshme. Fuqia ime qëndron mbi floririn, mbi hanxharin dhe mbi kamxhikun”. Pra, ky ishte Ali Pashë Tepelena, të cilin, ka studiues sot, që duan ta nxjerrin si burrë shteti. Aliu, si dinak, djallëzor dhe i pashpirt që ishte, për të mbajtur në sundim shqiptarët, i masakroi ata me minoritetet. Kështu, në masakrën e Prevezës, në portin e vogël të Sallahorës, Aliu përdori si xhelat Osman Arapin… “Ai ishte lakuriq nga mesi e lart, me zinxhirë të artë dhe gjerdanë me florinj varur në qafë, me byzylykë në duar si gratë. Dhe një palë shallvare të kuqe flakë, që të mos dallohej gjaku që e spërkaste… Arapi e kapte viktimën me dorën e majtë nga flokët, e ulte në gjunjë, ngrinte jataganin dhe me një goditje me gjithë forcën që i jepte në zverk, ndante kokën nga trupi, i cili shtrihej duke u përpëlitur tek këmbët e tij. Ngrinte për një moment kokën që t’ia tregonte Aliut dhe e hidhte diku në një cep pranë tij…”.

Dyqind burrat e Prevezës, Aliu i vrau, sipas Spiro Melajt, urdhëroi batalionin e mirditorëve që t’i qëllonin dhe masakronin. Por ata si shqiptarë të vërtetë i thanë pashait: “…Le t’i nxjerrin jashtë kardhiqotët, le t’u japin armët e tyre, le të shkojmë në fushë të luftojmë si burri me burrin dhe atëherë e sheh, i vrasim apo ajo!… I la mirditorët dhe iu drejtua shqiptarëve të tjerë myslimanë (toskëve të tij). Por edhe ata nuk pranuan… Aliu ziente nga tërbimi për rebelimin e ushtrisë… Atëherë Thanas Vaja me sopiqotët (vllaho-grekë) filloi masakrën… Masakra e frikshme vazhdoi plot një orë… një liqen gjaku i shtatëqind të vrarëve… pasi mbaruan krismat, sopiqotët u sulën me shpatë në dorë, duke u çarë kafkat, duke shpërndarë trutë në shesh dhe duke ndarë gjymtyrët nga trupat…”.

Pra, masakrën e Hanit të Valaresë Ali pashai nuk e bëri dot me shqiptarë. Gjithashtu, edhe parinë e fshatit Kardhiq, gjithsej shtatëdhjetë e dy veta, bejlerë, agallarë dhe pjesëtarë të parisë. Mes tyre edhe bejlerët e Vlorës që i mbanin të burgosur, sipas Spiro Melës, Aliu i vrau po atë ditë me një grup xhelatësh jevgj në ishullin e Janinës.

Ja si e përshkruan Spiro Mela përdorimin e xhelatëve jevgj nga Ali pashai: “… të gjithë xhelatët turkociganë – Aliu kishte një esnaf të tërë prej tyre – banonin në një lagje në Janinë, që kishte marrë emrin “çengelët”, për shkak të veglave të tmerrshme që përdornin për torturë… me hanxharin dhe çekiçin e jevgjve, thërrmuan kockat e Kaçandonit dhe të të vëllait të tij, Hasiotit së bashku me katër shokë të tyre… pas një shenje të Tahir Abazit, një turmë e zezë mbushi oborrin e sarajit, duke bërtitur dhe duke mbajtur në dorë hanxharë, çengelë dhe zinxhirë. Bllahava (vllah) dëgjonte që bërtisnin, që kërcenin si djajtë në skëterrë, që tundnin zinxhirët dhe mprihnin hanxharët… E shtrinë në një tavolinë të gjatë dhe e lidhën me zinxhirë… dhe fillojnë menjëherë t’i copëtojnë trupin me hanxharë, sikur të ishte dash… hanxharët vazhdojnë të copëtojnë pjesët e poshtme të këmbëve, kërcinjtë, gjunjët, pjesët e kofshëve, i copëtojnë duart, i çajnë barkun dhe tani sytë e tij perëndojnë – kishte mbaruar… Thimjo Bllahava nuk jeton më… Pas pak, një daulle dhe një curle ftonin banorët e Janinës që të shihnin si i varnin në të katër anët e qytetit copat nga trupi i Bllahavës, sipas urdhrit që kishte dhënë vezir efendiu…”.

Në “Ali Pashaidën” e çamit Haxhi Sherreti, të përkthyer nga Irakli Koçollari, krimet jepen një e nga një, si në një kronikë filmi me horror.

A mund të thuash se Aliu ishte burrë shteti, ky gjakësor mizor dhe i pashpirt, që e ktheu pashallëkun e tij në një regjim tmerri dhe tiranie./Konica.al