MENU
klinika

Dosja e gazetarit, vitet '70

Arrest për deklaratën: “Kosovarët, të mos presin nga Shqipëria…”

13.05.2022 - 13:12

         Bëhen publike dokumentet nxjerrë nga Autoriteti për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili, pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952, filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë – krahas studimeve, ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit”, që botohej në Shkup, prej nga e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë, për në Turqi dhe si rezultat, u emërua si mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës.

Nga: Dashnor Kaloçi

Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, i’u dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, por pasi refuzoi emërimin në qytetin e Beratit, në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”. Dalja nga burgu dhe lënia pa punë deri në shembjen e regjimit komunist dhe emërimi i tij si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Zvicër, deri në vitin 1993, si dhe më pas zgjedhja e tij si Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në Botë, për vendet e Beneluksit, ku ai punoi për çështjen e Kosovës, deri sa u nda nga jeta më datën 11 dhjetor 2020. E gjithë dosja e plotë e Myrteza Bajraktarit, me emrat e funksionarëve dhe oficerëve të Sigurimit të Shtetit, pseudonimet e bashkëpunëtorëve, “kolegëve” e “bashkëpatriotëve” që e ndiqnin dhe survejonin, provokatorët në qelitë e hetuesisë, dëshmitarët që i dolën në gjyq, letrat dërguar Enver Hoxhës dhe instancave të larta zyrtare ku kërkonte pafajësinë e tij, etj., etj., publikohet për herë të parë nga Memorie.al.

Dokumenti me proces-verbalin e marrjes në pyetje të Myrteza Bajraktarit, nga ana e hetuesit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Elham Gjika, me datën 9 dhjetor 1970

PROCES – VERBAL

Tiranë më 9.12.1970

Unë Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme marr në pyetje Myrteza Bajraktarin.

Pyetje: Na jepni i pandehur shpjegime rreth akuzës.

Përgjigje: Gjatë kohës që kam qenë në Seman, jam njohur me Muharrem Bërdynin, që dhe ky ishte emigrant kosovar. Muharremi ishte i demoralizuar në kulm për trajtimin që i është bërë këtij dhe kosovarëve të tjerë në Republikën Popullore të Shqipërisë. Në fillim kam reaguar pozitivisht, duke ja kundërshtuar këto pakënaqësi e mendime Muharremit.

Me kalimin e kohës Muharremi, më tregoi shumë raste që emigrantët kosovarë ishin dënuar pa faj, sipas tij, nga gjykatat këtu në Shqipëri. Nga viti 1965, unë jam shoqëruar më shumë me Muharremin sepse, një pjesë e mirë e emigrantëve, ose ishin liruar, ose ishin kthyer në Jugosllavi.

Ndërmjet të tjerave ai, më thoshte se qeveria shqiptare nuk interesohej për kosovarët në asnjë drejtim. Më ka thanë se të gjithë nacionalistët kosovarë kanë përfunduar burgjeve shqiptare, prandaj ti Myrteza si nacionalist kosovar që je, e ke të kotë që bën lutje për t’u liruar nga Semani.

Unë këtij, i kam treguar se në Jugosllavi kam qenë në burg si nacionalist kosovar, i kam treguar dhe për përpjekjet e mia dhe të shokëve të mi për denoncimin e shpërnguljes së shqiptarëve nga Jugosllavia për në Turqi. Se si i kam bërë këto biseda, nuk më kujtohet. Muharremi mesa mbaj mënd, më ka thënë se këtu në Shqipëri, ka një krematorium për zhdukjen e njerëzve.

Ai, më thoshte gjithashtu se qeveria shqiptare, as ka ndër mënd që të interesohet për çlirimin e Kosovës. Këto janë bisedat që më kujtohen të kem bërë me Muharremin në atë kohë. Në Seman, jam njohur gjithashtu dhe me emigrantin tjetër kosovar, Xhevair Hasin.

Jam përpjekur që të ngjall tek ky ndjenjat patriotike, duke i treguar përpjekjet dhe luftën e kosovarëve nëpër burgjet e Jugosllavisë për çështjen kombëtare. Xhevairi, më tregoi gjithë biografinë e tij, sesi ishte arratisur nga Gostivari për në Shqipëri dhe sesi ishte përpjekur që të takonte të atin e tij këtu, e të bashkëpunonte me të, por që nuk kishte mundur. Këtij unë i tregova, sesi kisha punuar për çështjen e Kosovës.

Në vija të trasha, unë i kam treguar dhe për ardhjen time në Shqipëri, duke i thënë se në Jugosllavi kisha krijuar grupe për çlirimin e Kosovës. Unë, erdha që të merrja armë nga Shqipëria për furnizimin e tyre, ndërsa autoritetet shqiptare, më sollën këtu në Seman. I kam thënë se qëllimi im do të realizohet kur partia e qeveria, të krijojnë besim tek unë.

Në këto rrethana Xhevairi, ka krijuar respekt ndaj meje. Unë mora vesh që ky kishte bërë lutje për t’u kthyer në Jugosllavi, dhe i kam thënë që nuk bëre mirë për këtë lutje. Ai, më tha që të gjithë, kanë bërë lutje për t’u kthyer.

Atëherë unë i thashë që: gjithkush duhet të jetë i ndërgjegjshëm për fatin e vet. Kur kam qenë në Seman, nëpërmjet Muharrem Bërdynit, kam njohur emigrantin tjetër Mark Marku, që banonte në Fier.

Ai në atë kohë shoqërohej dhe me vëllezërit Llazana, që ishin liruar nga Semani. Marku më ka thënë se: kam respekt për ty, se ke qenë në burgjet e Jugosllavisë për çështjen kombëtare. Gjithashtu Marku më tregoi, se kur kishte qenë në Tiranë, kishte ngritur problemin e shkollimit të kosovarëve dhe e kishin demaskuar si nacionalist.

Marku më tha që autoritetet shqiptare, dërgojnë në shkollë emigrantët malazezë dhe jo ata kosovarë. Më thoshte dhe se në Shqipëri, më kanë luftuar si nacionalist dhe disa kuadro të MPB-se. Unë, tha Marku, në Jugosllavi kam bërë pjesë në një organizatë ilegale e luftoja për çështjen e kombit.

Marku më tha që: unë kisha ardhur vonë në Shqipëri, pasi duhet ta dija që qeveria shqiptare, nuk interesohet fare për çështjen kosovare. Ai më tha që më mirë të kisha qëndruar në Jugosllavi, që të vazhdoja studimet atje. Unë i thashë Markut, se në kohën që unë erdha nga Jugosllavia për në Shqipëri, ishte një situatë e ndërlikuar, pasi Shqipëria sapo kishte prishur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik.

Në burg kemi biseduar me shokët, se Tirana me Moskën, ndërprenë marrëdhëniet për çështjen e Kosovës. Kështu unë mendoja se Shqipëria, do të na ndihmonte për çlirimin e Kosovës. Por i thashë Markut se, realitetin nuk e gjetëm ashtu siç pretendonim neve. Më kujtohet se i kam thënë Markut, që në burg jam njohur me Hasan Bllacën, i cili kishte një vëlla në Shqipëri, të quajtur Kasem Bllaca, i cili ishte në burg.

Kështu që ne në Kosovë, nuk dinim asgjë të saktë për gjendjen që ishte këtu në Shqipëri. Tjetër gjë nuk më kujtohet të kem biseduar me Markun. Kur kam qenë student në Universitetin e Tiranës, kam takuar një kosovar tjetër të quajtur Halit Llazana dhe ai, më tha që kishte bërë lutje për të ikur. Unë i thashë që mirë ke bërë, pasi këtu ai nuk po stabilizohej.

Haliti më tha që kur të shkonte në Jugosllavi, do të bashkëjetonte me gruan e parë. Me Kapllan Resulin, jam njohur nga fundi i vitit 1965, kur kam ardhur nga Fieri në Lushnje. Përpara kemi pasur vetëm korrespondencë.

Kapllani, ishte grindur me disa kosovarë të tjerë për punën e librit “Drini i Bardhë”, që kishte shkruar Agim Gjakova. Kapllani që në atë kohë, thoshte se Agim Gjakova, është njeri shumë i ulët.

Këtë libër Agimi, e ka shkruar vetëm e vetëm që të ketë përkrahje nga pushteti e partia. Agimi, është servil dhe kështu ka bërë përpara në Shqipëri. Në këtë poemë thekson Kapllani, Agimi si servil që është, ngre lart udhëheqësin komunist të Shqipërisë dhe ul popullin kosovar.

Kjo thoshte Kapllani, nuk është e drejtë, pasi nuk mund të krahasohet pesha e një udhëheqësi, me atë të një populli të tërë, dhe populli kosovar, është në gjendje që të nxjerri udhëheqës si ky.

Nga muaji maj i vitit 1970, në një rast jam takuar me Kapllanin në Tiranë dhe e pyeta nëse është lexuar një përmbledhje shkrimesh shqip të autorëve kosovarë. Ky më tha, që deri sa këtu të botohen në organet e shtypit të tyre, shkrime të UDB-së, atëherë nuk kanë për të shkruar më këtu në Shqipëri.

Kapllani më tha se në Shqipëri, bëjnë diskriminim e nuk m’i botojnë shkrimet e mia. Këto gjëra më kujtohen tani për tani. Proces-verbalin e lexova, thëniet janë shkruar drejt dhe e firmos.

I pandehuri Hetuesi

Myrteza Bajraktari Elham Gjika

Dokumenti me proces-verbalin e marrjes në pyetje të Myrteza Bajraktarit, nga ana e hetuesit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Elham Gjika, me datën 10 dhjetor 1970

Proces-Verbal

Në Tiranë, më 10/12/1970

Unë Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, marr në pyetje Myrteza Bajraktarin.

Pyetje: Vazhdo i pandehur të japësh shpjegime rreth akuzës.

Përgjigje: Nja dy-tre muaj, para se të arrestohesha, unë në një rast kam shkuar në shtëpinë e Kapllan Resulit në Lushnje, duke ndenjur të dy me Kapllanin në dhomën e tij, ky filloi të më thoshte se: ne kosovarët e kemi të kotë që shpresojmë në ndihmën e Partisë dhe të qeverisë shqiptare për çlirimin e Kosovës, mbasi këta as që interesohen fare për këtë punë.

Në këto rrethana, neve na del si detyrë që të takojmë të gjithë kosovarët që vijnë si turistë apo si vizitorë në Shqipëri dhe t’u bëjmë të qartë atyre se qeveria shqiptare, faktikisht nuk është e interesuar për çështjen e çlirimit të Kosovës, prandaj duhet që vetë kosovarët të përpiqen për çlirimin e tyre, pa pritur ndihmën e Shqipërisë.

Unë – tha Kapllani – në këtë drejtim kam marrë dhe hapa konkrete, mbasi kur ka ardhur këtu në Lushnje si vizitor, i vëllai i shoferit emigrant, Hamdi Beshiri, që banon po në Lushnje, i kam thënë këtij, që: të mos kenë shpresa te ndihma e qeverisë shqiptare për çështjen e Kosovës.

Edhe unë, Myrtezai, mbas këtyre bisedimeve të Kapllanit, rashë dakord me këtë mendim të tij dhe i premtova se do të bisedojë me cilindo emigrant kosovar që do të vinte në Shqipëri, e që kisha rast ta takoja.

Mbas pak kohësh, nga kjo bisedë që kam bërë me Kapllan Resulin, unë kam pasur rastin dhe jam takuar me vizitorin kosovar, Dervish Orxhain, me këtë u takova në gardërobën e Pallatit të madh të Kulturës, mbasi dola nga një shfaqje që kisha parë në Teatrin e Operës.

Unë këtë shfaqje e pashë bashkë me baxhanakun tim, Ahmet Sadikun, kur zbritëm tek gardëroba për të marrë pardesytë, Ahmeti u takua me Dervishin, pasi njiheshin kohë më parë, ishin shokë shkolle.

Dervishi kishte dhe shokë të tjerë të delegacionit të Universitetit të Prishtinës, por u nda nga ata e u takua me Ahmetin. Ahmet Dervishin, e takoi edhe me mua. Mbasi veshëm pardesytë, unë e shoqërova Dervishin lart shkallëve të Pallatit.

Gjatë shoqërimit, i thashë Dervishit që mos kini shumë iluzione në dashamirësinë e qeverisë shqiptare, qeveria shqiptare, i thashë Dervishit, nuk i don kosovarët e Kosovës. Dervishi, mbasi më pa njëherë, më tha: faleminderit për sqarimin që më bëre, do ta kemi parasysh në punën tonë, për çlirimin e Kosovës.

Para se unë t’i thoja këto fjalë, kur u prezantova me këtë, i tregova Dervishit, se i tha Myrteza Bajraktari, dhe kunati i Mehmet Ali Hoxhës, që këtë të fundit, Dervishi e njihte. Mbas kësaj bisede në fund të shkallëve, me Dervishin u ndamë dhe unë ika me Ahmetin në shtëpi. Për këtë bisedë që bëra me Dervishin, nuk i kam treguar asnjë njeriu.

Kur ka ardhur Faslli Ramadani në shtëpinë time, për të më lajmëruar zhdukjen e Kapllan Resulit, Faslliu më pyeti se çfarë duhet të ketë ndodhur me Kapllanin. Unë i thashë Faslliut, se Kapllani, duhet të jetë arrestuar për arsye se ka folur me të vëllanë e Hamdi Berishës, duke i thënë që: kosovarët të mos kenë shpresë nga Shqipëria për çlirimin e tyre.

Faslliu, tha se njërës si Kapllani, këta të qeverisë, nuk i arrestojnë, por i zhdukin, se Kapllanin, e njeh gjithë bota, me veprën që ka bërë. Këtë që thosh Faslliu, unë e nxjerr nga fakti se Kapllani, ka dit që është zhdukur e nuk di gjë për të, as familja e askush tjetër. Biseduam me Faslliun që të mos bisedonim me persona të tjerë këto gjëra që dinim për arrestimin e Kapllanit. Mbas kësaj, me Faslliun u ndamë në këtë rast.

Biseda armiqësore unë kam bërë edhe me emigrantin kosovar, Gani Demiri (Ratkoceri) që banon këtë në Tiranë. Me Ganiun, njihem prej kohësh dhe për gjithë kohën, marrëdhëniet me njeri tjetrin i kemi pasur të mira.

Me sa më kujtohet, bisedat armiqësore që kam bërë me këtë, konkretisht janë: Para një dy muajsh, jam takuar me Gani Demirin në shtëpinë e tij. Duke qenë vetëm në të dy, filluam bisedën për marrëdhëniet që kanë filluar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Ganiu, ishte entuziast për këto marrëdhënie të krijuara.

Unë i thashë Ganiut, se: ti ke shumë iluzione e besim në këto marrëdhënie të krijuara, ndërsa unë vetë, nuk besoj në mirësinë e këtyre marrëdhënieve. I thashë Ganiut, se çlirimi i Kosovës, mund të bëhet, po të ndodhë një luftë botërore, ku do të na ndihmoj Gjermania, sepse Gjermania, është shtet anti-sllav.

Ganiu tha: ti Myrteza, je me të vjetrën, që siç thoshin pleqtë, se Gjermania do të na bashkojë. Më gjatë, nuk më kujtohet që të kem biseduar në këtë rast me Gani Demirin. Po kështu, u njohëm prej kohësh edhe me emigrantin kosovar, Adem Istrefin, me të cilin kam marrëdhënie të mira.

Kur takoheshim këtu në Tiranë, Ademi ishte i demoralizuar, për shkak se kishte ikur nga Berati, e këtu ishte pa punë. Ademi më thoshte se: për ne kosovarët, nuk çan kokën njeri, kam trokitur në të gjitha dyert e pushtetit, por të gjitha më janë mbyllur, më ka mbetur vetëm një e drejtë, ajo që të vras veten.

Unë i thashë Ademit, që edhe puna ime është njësoj si e jotja, edhe mua, në rast se nuk më morën parasysh kërkesat që i kam bërë qeverisë, më ka mbetur vetëm e drejta e vetëvrasjes. Këto më kujtohen tashti që kam biseduar me Adem Istrefin, kohët e fundit në Tiranë.

Para një dy-tre muajsh, jam takuar në një rast me Idriz Lleshin në rrugë. Theksoj, se edhe me Idrizin, njihem prej kohësh dhe marrëdhëniet i kemi të mira. Në këtë bisedë, Idrizi më tha se: për ne emigrantët kosovarë, nuk çan kokën njeri këtu në Shqipëri.

Unë i thashë: lëri këto, por shiko gjënë më të madhe se, në rast se marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, shkojnë gjithmonë duke u përmirësuar, neve, emigrantëve kosovarë, do të na zhdukin nga faqja e dheut qeveria shqiptare, sepse kjo bie në marrëdhënie me ata që janë sot në fuqi në Kosovë dhe me emigrantët e arratisur, për të mos qenë pengesë në këto marrëdhënie, do të na zhdukin. Këto gjëra më kujtohen tani që kam biseduar. Memorie.al

I pandehuri Hetuesi

Myrteza Myrteza Bajraktari Elham Gjika

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Historiania: Kundërshtari i partisë quhej tradhtar!

“Martin Camaj u mor me detyrim në Sigurimin e Shtetit, por…”