MENU
klinika

Analiza

Debati i madh i pacifizmit në Gjermani

18.05.2022 - 09:20

Një koment i filozofit Jürgen Habermas ka shkaktuar një nga debatet më të egra politike të Gjermanisë në dekada, mbi pyetjen se si duhet të pozicionohet vendi në luftën e zgjeruar ruso-ukrainase.

Kancelari Olaf Scholz ka qenë subjekt i një sërë letrash të hapura, secila e nënshkruar nga qindra figura publike kryesore. Disa kanë një qëndrim të ashpër, duke mbrojtur një angazhim më të fuqishëm dhe aktiv në emër të Ukrainës; të tjerët këkojnë një zgjidhje që do t’i lejonte Rusisë të pretendonte një lloj fitoreje dhe të kursente Evropën nga një konflikt i zgjeruar dhe i zgjatur.

Si një vend gjerësisht pacifist, Gjermania nuk është as e njohur dhe as e kënaqur me supozimet, vijat e kuqe dhe pyetjet bezdisëse që sjellin debate të tilla.

Çështjet e injoruara prej kohësh të sigurisë kombëtare dhe evropiane kanë dalë befas në plan të parë.

Në komentin që nisi debatin, Habermas kundërshton reagimin e menjëhershëm të klasës politike dhe mediave gjermane ndaj agresionit rus me atë të një publiku më të hutuar dhe të pasigurt. Gjermanët janë shumë të ndarë në lidhje me vendimin e Bundestagut për të dërguar armë të rënda në Ukrainë, si dhe për pyetjen nëse sanksionet aktuale po shkojnë mjaft larg.

Kjo mungesë konsensusi paraqet shumë dilema për Scholz-in.

Në fund të fundit, ishte vetë partia e tij, Social Demokratët, ajo që luftoi për një kohë të gjatë angazhimin konstruktiv (Ostpolitik) me Bashkimin Sovjetik dhe më pas me Rusinë – një qasje që fatkeqësisht bëri që ish-kancelari Gerhard Schröder i SPD të bëhej një nga të punësuarit e Presidentit rus Vladimir Putin. Duke pranuar se pesë dekada Ostpolitik lanë një trashëgimi, Habermas mbrojti Scholz kundër akuzës se ai ka qenë shumë i kujdesshëm në përballjen me Putinin.

A është kancelari i ri duke u përpjekur për të kapërcyer paraardhësin e tij, Angela Merkelin?

Jo, argumenton Habermas. Scholz ka të drejtë të ketë një qasje të matur:

“Kërkesat e Ukrainës së shtypur në mënyrë të pafajshme, e cila i kthen shpejt gjykimet e gabuara politike dhe vendimet e gabuara të qeverive të mëparshme federale në shantazh moral, janë po aq të kuptueshme sa emocionet, simpatia dhe nevoja për të ndihmuar… E megjithatë unë jam i irrituar nga vetë- besimi me të cilin akuzuesit e indinjuar moralisht në Gjermani kritikojnë një qeveri federale reflektuese dhe të kujdesshme.”

Referencat për “shantazh moral” dhe “akuzues të indinjuar” sollën shumë reagime.

Në të parën nga letrat e hapura që pasuan, Alice Schwarzer, aktivistja kryesore gjermane për të drejtat e grave, dhe bashkënënshkruesit e saj bëjnë thirrje për ndalimin e dërgesave të armëve në Ukrainë.

Ndonëse pranojnë se “ekziston një detyrë themelore politike dhe morale për të mos u tërhequr nga dhuna agresive pa rezistencë”, ata duan që Gjermania të kërkojë një kompromis të pranueshëm nga të gjitha palët, edhe nëse ai do të thotë t’i japë Putinit një lloj fitoreje.

Përndryshe, Gjermania “po pranon një rrezik të dukshëm që kjo luftë të përshkallëzohet në një konflikt bërthamor”.

Së shpejti pasoi një tjetër letër e hapur që ofronte pikëpamjen e kundërt. E publikuar në gjermanisht dhe anglisht, letra u hartua nga Ralf Fücks, një ish politikan i Partisë së Gjelbër dhe drejtues i mëparshëm i Fondacionit Heinrich Böll, i cili tani drejton qendrën e mendimit Liberal Modernity. Fücks dhe bashkënënshkruesit e tij e nxisin Scholz-in që shpejt t’i “sigurojë Ukrainës të gjitha armët në dispozicion që i nevojiten për të zmbrapsur pushtimin rus; të vendosë një embargo ndaj eksporteve ruse të energjisë në mënyrë që të privojë regjimin nga mjetet financiare për luftë; dhe t’i japë Ukrainës mundësinë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. E gjithë kjo është e nevojshme, argumentojnë ata, për të garantuar sigurinë e vetë Evropës dhe për të parandaluar krime shtesë kundër njerëzimit.

Ndërsa njëra palë pretendon se një “paqe e keqe” (shpërblimi i agresorit) është më mirë se lufta e vazhdueshme, pala tjetër argumenton se një “luftë e mirë” (ndëshkimi i agresorit) është e vetmja mënyrë për të siguruar një “paqe të qëndrueshme”.

Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca janë përballur me këtë dilemë në të kaluarën, por Gjermania nuk është mësuar me telashe të tilla.

Që nga shfaqja e letrave të hapura, debati është bërë më intensiv.

Megjithëse Gjermania ka një kulturë të pasur debati, ajo gjithashtu ka shmangur debatimin për disa çështje për një kohë të gjatë. Popullsia është krenare për demokracinë e saj liberale dhe kulturën politike pacifiste dhe në përgjithësi nuk ka patur nevojë të vërë në dyshim këto institucione.

Pavarësisht egërsisë së tij, debati i Gjermanisë për Ukrainën ofron gjithashtu siguri, sepse po zhvillohet në rrymën kryesore politike dhe jo në periferi. Edhe pse ka dallime të qarta ndërmjet partive politike, ka gjithashtu mbështetje për secilin grup brenda secilit.

Të dy shkruesit e letrave, Schwarzer dhe Fücks, dikur ishin pjesë e kundërkulturës gjermane, por tani e gjejnë veten në qendër të veprimit politik. Ata i kanë bërë një shërbim të madh vendit duke i detyruar gjermanët të marrin në konsideratë implikimet e angazhimeve politike që më në fund po vihen në provë.

Burimi: Project Syndicate

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Rama flet për median gjermane dhe për “Shqipërinë e Madhe”

‘BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor për sigurinë e saj’