MENU
klinika

"Gazetar, me shenja nobelisti"

Ditë e papërshtatshme, për një detyrë të bezdisshme – shkruajti Gabo…

26.05.2022 - 15:32

        Nobelisti kolumbian do të prezantohej herët, me përmbledhjen “Sytë e një qeni blu”, pasqyrë e tregimeve të shkurtra gjatë periudhës kohore 1940-1950. Premisat janë ato të një shkrimtari ende të ri, por me një stilin dhe subjektet jo të zakonshme.

Stilistikisht, Markesi shënoi kulmin me romanin “Njëqind vjet vetmi”. Ishte koha, kur stili dhe përmbajtja e krijimtarisë së tij morën hov. Nisën kështu novelat, që më pas u bënë skenarë për film,a si “Kolonelit nuk ka kush t’i shkruajë”, apo me eksperimentin teknik në novelën “Gjethurinat”, romanin e shkurtër anekdotik tek “Ora e ligë”, si dhe trajtimi i politikës në “Funerali i nënëmadhes” .

Aftësitë që shfaqi shkrimtari, i tejkalonin ato të një xhongleri të talentuar. Megjithatë, shkrimtari, falë punës si gazetar do të përsoste stilin dhe do të gjente frymëzimin për romanet e magjishëm, si “Njëqind vjet vetmi”, “Vjeshta e Patriarkut” dhe “Dashuria në kohën e kolerës”.

Në vitet 1950, Markesi kultivoi dy zhanre: komentin e lehtë mbi lajmet (qoftë për qeverinë argjentinase, një film, apo një funeral) dhe kronikën e zezë. Të parën, ai e trajtoi gjatë disa viteve punë për “El Universal” dhe “El Heraldo” (dy të përditshme kolumbiane). Komentet e tij, mbledhur e studiuar nga Zhak Zhilar, në librin e tij “Tekstet bregdetare, 1948-1952), përfaqësojnë një rrëfim inteligjent, me mendjemprehtësi dhe ndonjëherë janë po kaq madhështore sa pasazhet në veprat madhështore.

Në “La primera caída” (Vjeshta e parë), një artikull mbi dramaturgun e famshëm britanik Xhorxh Bernard Shou, i botuar në shtatorin e vitit 1950, ai shkroi se “në moshën kur shumica e njerëzve i përkushtohen detyrës së lodhshme, për t’u shndërruar në pluhur, zoti Xhorxh Bernard Shou thotë se edne shëtit rregullisht, me shumë gjallëri në kopsht, për të mbajtur trupin në formë”.

Kur Shou vdiq në Ditën e të vdekurve, si rezultat i atij rrëzimi aksidental, Markesi vuri në dukje: ”Zoti Xhorxh Bernard Shou, zgjodhi të vdiste më 2 nëntor, që është pa dyshim, dita më e përshtatshme për atë detyrë të bezdisshme”.

Komentet e tij të lehta, janë ndonjëherë po aq madhështore sa një pasazh në një nga veprat e tij madhështore. Ironia në vëzhgimet e tij (“detyra e bezdisshme” e vdekjes), nuk është ndryshe nga ky pasazh i famshëm në novelën “Vjeshta e Patriarkut”:”…Një pasdite janari, ne pamë një lopë që sodiste muzgun nga ballkoni presidencial. Imagjinoni një lopë në ballkonin e mëmëdheut,.. hamendësoni pak sesi lopa mund të kishte arritur deri në atë ballkon, kur të gjithë e dinë se lopët nuk mund t’i ngjitin dot shkallët, qoftë edhe në shkallë prej guri dhe aq më pak me shkallët e shtruara me tapet…”.

I njëjti humor, përshkuar ndonjëherë nga sarkazma, është i dukshëm në tregimin “Puthja: Një reaksion kimik”. Pasi tregon sesi një shkencëtare, zonja Uillkinson, kishte sugjeruar se puthja ishte metoda që kishin zbuluar njerëzit e lashtë, për të konsumuar kripë në muajt e nxehtë të vitit, Markesi shkruan: “Tani e tutje, nuk do të ketë nevojë të ftojmë askënd, për të soditur Hënën së bashku. E vetmja gjë që duhet të bëjmë është të ulemi në një stol në park dhe të hamë në mënyrë romantike, gjysmë kilogrami kripë”.

I njëjti humor i zi, përdoret për të përshkruar (në “Njëqind vjet vetmi”), një burrë që bie nga çatia, për të parë Remediosin e bukur. Markesi, shkruan te “Posibilidades de la antropofagjia” (Mundësitë e kanibalizmit), se “nuk do të ishte e çuditshme nëse një nga këto ditë, kur të kenë mbaruar të gjitha furnizimet, të ligjërohet shitja e viktimave që bëhen kurban”.

Traditat kulturore dhe gjeografitë mitike

Në tregimin “A Luis Carlos López con veinte años de mueste” (Për Luis Karlos Lopezin, 20 vjet pas vdekjes), ai shkruan si kushti të domosdoshëm për ta njohur personalisht poetin Lopez, “të ishe, të paktën 30 vjeç”. Zgjedhja e një detaji të zakonshëm, por disonant (30 dhe jo, 32 vjeç), do të rikthehej vite më vonë, në fillimin e romanit “Njëqind vjet vetmi”.

Si gazetar i kronikës në “El Espectador”, ai zgjeroi potencialin e këtij regjistri, duke hedhur bazat e fantazisë dhe realizmit. Nuk është rastësi që kronikat e tij të para iu kushtuanLa Sierpe, një qytet legjendar në bregun kolumbian buzë Atlantikut.

“La Marquesita de la Sierpe” nis me historinë e një burri që ndodhet në zyrën e mjekut dhe që pret të shpëtojë nga majmuni që mbante në bark. Ai ishte mbarsur nga magjia, e përdorur aq shpesh si ndëshkim rreth La Sierpe-s. Kronikat e tij, që raportojnë për një gjeografi fantastike dhe për kafshët, përshkruajnë dema me krahë, apo të ngordhur, që vijnë nga bota e përtejme duke goditur butësisht një arkivol.

Dashuria e Markesit për legjendën, gjen hapësirë më të frytshme në traditat kulturore mitike dhe të trashëguara, sesa në terrenin e rrëshqitshëm të çështjeve të aktualitetit. Është interesant fakti që, stili për të përpunuar shumë prej përvojave të jetës reale, identifikohet më ngushtë me punën e tij në medie sesa përpjekjet e hershme, për të shkruar ngjarje të trilluara.

Pavarësisht mjeshtërisë që karakterizon libra të tillë, si “Ora e ligë” dhe “Gjethurinat”, ngjarjet e përditshme ishin frymëzmi i Markesit, që, falë fantazisë së tij të lundur, ne njohëm një rrëfimtar të madh. Shkrimtarët aspirantë, priren të kërkojnë miratimin e botës letrare përmes imitimit të modeleve dhe përshkrimit artificial të emocioneve.

Me kronikat e lajmeve dhe komentet e shkurtra, Markesi nuk pretendonte, nuk imitonte dhe as nuk kërkonte ndonjë farë miratimi. Liria e përshkrimit të kronikave të zakonshme, po e shndërronte atë në shkrimtarin që do ta njihte gjithë bota. Në fakt, kronikat për të përditshmen “El Espectador”, janë shkruar vetëm 13 vjet para romanit “Njëqind vjet vetmi”.

 

 “Worldcrunch” – Përshtati: Konica.al