MENU
klinika

Mero Baze

Drejtësia shqiptare duhet ta çlirojë Shqipërinë nga Ilir Meta

16.05.2022 - 21:07

Sot Ilir Meta është në qendër të një skandali ndërkombëtar. Gazeta më e madhe austriake, e ka akuzuar atë për kërcënim për vrasje dëshmitari, në një afer korruptive që ka lidhje me të.

Natyrisht nuk pres që në “banaqet” e darkës, dhjetëra emisione televizve që bënë seri emisionesh për një shkrim të gazetës Bild, të bëjnë sërish ndonjë emision. Nuk pres ta botojë as 90 për qind e shtypit që është në borderotë e Ilir Metës. Por po pres të kuptoj se si do sillet Prokuroria e Shqipërisë, me një rast të tillë, meqë vuan nga “mungesa e fakteve”.

E dimë që presidenti i Republikës ka imunitet, por ky imunitet zgjat dhe dy muaj. Deri atëherë, Prokuroria speciale antikorrupsion mund të vendosë kontakte me drejtësinë austriake për të marrë dëshmitë e të kërcënuarit me vdekje.

Me kaq ngadalë sa punojnë prokurorët tanë, edhe sikur Ilir Meta të ishte qytetar i lirë, atyre do t’u duhej dy muaj kohë të merrnin dikë në pyetje.

Kështu do të jenë gati që më 25 korrik, kur Ilir Meta të mos jetë më në zyrë të tij, të jetë në zyrë të tyre. Me këtë rast Prokuroria duhet të mbaj shënim dhe rrethin e influencës së Ilir Metës mbi shtypin shqiptar dhe spektrin politik.

Ata që kanë prej 2013 që akuzojnë Edi Ramën se fitoi pushtetin pas “Aleancës me qelbësirat”, që nënkuptonte marrëveshjen e 1 prillit 2013, sot janë të gjithë me “qelbësirën”, por nuk e quajnë të tillë kur ai është me Sali Berishën.

Gazeta austriake që ka botuar skandalin, është shumë e çuditur se si skandali ka tronditur më shumë Austrinë, se sa Shqipërinë. Ka më shumë komente në redaksinë e gazetës austriake, se sa në selitë e partive politike në Shqipëri apo gazetat shqiptare.Kronen Zeitung, është gazeta më e lexuar në botë sipas indeksit tirazh popullsi dhe i bie që ka lajm ka shkuar tek çdo austriak dhe tek shumë pak shqiptarë.

Dhe kjo është një shenjë e dytë edhe më e rëndë nga imuniteti që Ilir Meta ka fituar ndaj akuzave për korrupsion.

Duke qenë se herën e parë për shkak të korrupsionit të tij që u shfaq hapur në ekrane me zë dhe figurë u revoltuan mijëra njerëz dhe Sali Berisha vrau katër prej tyre për të shuar zemërimin, sot të gjithëve u duket lajm i vjetër që Ilir Meta është sërish në qendër të skandalit.

Ndoshta u duket dhe çudi se për sa pak akuzohet ketë radhë.

Kështu, meqë opinioni publik tek ne është imunizuar nga akuzat për korrupsion, meqë ndjeshmëria publike ndaj një skandali është e ulët për shkak të kontrollit që “aleanca e qelbësirave” ka mbi shtypin, atëherë presim që këtë rreth vicioz ta thyejë drejtësia.

Kur mafia është në kupolën e shtetit dhe shoqëria reagon, atëherë jemi një shoqëri në luftë me mafian. Kur krimi shfaqet në zyrën e kreut të shtetit dhe shoqëria hesht, atëherë jemi në kushtet e dorëzimit para mafies.

Drejtësia shqiptare duhet ta çlirojë Shqipërinë nga ky turp.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN