Fiks një vit pas vrasjes me armë zjarri të Liljana Buzos fare pranë Gjykatës së Elbasanit, ku ishte në proces gjyqësor me bashkëshortin për t’u divorcuar, Prokuroria e Elbasanit ka mbyllur hetimet për autorin e krimit dhe ka depozituar dosjen në gjykatë.
Koço Buzo, i arrestuar nga Policia menjëherë pas ngjarjes dhe që aktualisht është prapa hekurave, akuzohet për disa vepra penale. Buzo akuzohet për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e mbetur në tentativë, “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
NGJARJA
Ka qenë paraditja e 6 majit të vitit të shkuar, kur 54- vjeçarja, Liljana Buzo u qëllua për vdekje nga bashkëshorti i saj, Koço Buzo, 58 vjeç.
Gruaja ishte së bashku me djalin e saj kur u qëllua për vdekje nga ish-polici jo shumë larg ndërtesës së Gjykatës së Elbasanit ku kishin marrë pjesë në një seancë gjyqësore. Kërkesa për t’i dhënë fund martesës shumëvjeçare u bë shkak që burri të ndërmerrte aktin e rëndë ndaj nënës së tre fëmijëve.
Buzo kishte ndjekur fshehurazi lëvizjet e bashkëshortes dhe djemve të tij dhe, pasi ata kishin hyrë në godinën e Gjykatës së Elbasanit, ai kishte qëndruar i fshehur rreth 50 metra larg në një nga anekset e rrugës që e lidh këtë institucion me Drejtorinë Vendore të Policisë.
Sapo ajo ka dalë, burri e qëlloi me breshëri kallashnikovi duke e lënë të vdekur në vend në ambientet e jashtme të gjykatës.
Fillimisht, 58-vjeçari e qëlloi me thikë dhe më pas e ka qëlluar armë zjarri kallashnikov me të paktën 7 plumba në pjesën e shpinës, duke mos i lënë asnjë mundësi mbijetese.
Menjëherë pas ngjarjes së rëndë, autori është neutralizuar nga personat e pranishëm në zonë dhe më pas është arrestuar nga forcat e rendit.
Në dëshminë e dhënë para hetuesve, Koço Buzo, duke pranuar autorësinë, tha se shkak i ngjarjes ka qenë pikërisht kërkesa e gruas për divorc gjë që burri nuk e kishte pranuar.
Ai deklaronte se i kishte kërkuar bashkëshortes më përpara që të mos shkonte në gjykatë për të kërkuar urdhër mbrojtje për dhunë në familje që të mos shkonte në burg.
“I pata thënë që nuk ke për t’u ndare prej meje, donte të më fuste ne burg”, deklaronte ai. Plumbat kapën edhe dy kalimtarë të rastësishëm, të dy jashtë rrezikut për jetën. Njëri prej tyre është me profesion avokat.
Në vendin e ngjarjes u gjet edhe arma e krimit, tip kallashnikov, bashkë një thikë që 58- vjeçari Koço Buzo kishte me vete. Çifti Bozo kishin humbur një vit më herët edhe një djalë në një aksident automobilistik. Gruaja jetonte më shumë në Tiranë duke punuar sanitare. Ajo kishte denoncuar vazhdimisht dhunën nga bashkëshorti.