MENU
klinika

"Luftë pa kompromis"

Falcone, do të ekzekutohej tridhjetë vjet më parë

23.05.2022 - 11:43

          “Njerëzit vdesin, idetë mbeten. Lënë pas tensionet morale, që do të përçohen në të tjerë njerëz” – Giovanni Falcone

Tridhjetë vjet më parë, masakra në Capaci, sulmi terrorist mafioz ku mbetën të vrarë Giovanni Falcone, gruaja e tij Francesca Morvillo dhe tre truprojet: Antonio Montinaro, Rocco Dicilio dhe Vito Schifani.

Tridhjetë vjet më vonë, ne e dimë se mafia nuk është mposhtur edhe nëse është bërë shumë, falë punës së vetë gjyqtarit Falcone, i cili, mundësoi njohjen e mekanizmave kriminale./Konica.al

Është një luftë që do të zhvillohet dita-ditës nga institucionet, duke rrënjosur respektin për ligjshmërinë tek brezat e rinj. Sepse, siç tha Falcone, “Mafia nuk është aspak e pathyeshme, është një fakt njerëzor dhe si të gjitha faktet njerëzore, ajo ka një fillim dhe do të ketë gjithashtu edhe një fund. Përkundrazi, duhet kuptuar se është një gjë tmerrësisht serioze dhe shumë serioze si fenomen dhe se, mund të fitosh jo duke kërkuar heroizëm nga qytetarët e pambrojtur, por duke përfshirë në këtë betejë, të gjitha forcat më të mira të institucioneve.

Shënohen 30 vjet, nga e vrasja e magjistratit italian, Giovanni Falcone. Më 23 maj 1992, në moshën 53-vjeçare, Falcone u vra bashkë me gruan dhe tre truprojat, nga klani i Cosa Nostra-s Korleonesi, me një bombë prej gjysmë ton lëndë shpërthyese. As dy muaj më vonë, më 19 korrik, i takonte një tjetër hetuesi (bashkëpunëtor i ngushtë me Falconen) që të binte nën goditjet e mafies. Paolo Borsellino, do të vritej nga një autobombë në Palermo, në rrugën “D’Amelio”.

Vrasja e Falcones u organizua nga mafiozi famëkeq Salvatore Riina, si hakmarrje për dënimet e qindra gangsterëve që kishte firmosur Falcone, gjatë operacionit “Gjurmëve të mëdha”. Ndër masat më të rrepta të antimafies, pasuese për vrasjen e Falcones dhe Borsellinos, ishte edhe arrestimi i Riinas, i cili, ndërroi jetë në vitin 2017.

Një mafioz tjetër i dënuar për vrasjen e Falcones është Giovanni Brusca, një nga shoqëruesit e Riinas, që dëshmoi se ishte personi i cili kishte shpërthyer eksplozivin. Në nder të prokurorit Falcone dhe bashkëpunëtorit të tij, Paolo Borsellino, ka marrë emrin “Falcone-Borsellino” edhe aeroporti i Palermos.

Kush ishte gjykatësi hero, Giovanni Falcone

Giovanni Falcone lindi në Palermo, më 18 maj 1939. Pasi kreu liceun (gjimnazin) klasik “Umberto”, pati një përvojë të shkurtër pranë Akademisë Detare të Livornos. Vendosi të kthehet në qytetin e lindjes, për të vazhduar Fakultetin Juridik, ku u diplomua më 1961.

Pas praktikës në gjykatë, më 1964 u bë gjykatës i shkallës së parë në Lentini. Më vonë, transferohet si nënprokuror në Trapani, ku qëndron rreth dymbëdhjetë vjet. Në këtë post thellohet vazhdimisht, prirja e tij drejt fushës penale: siç e thoshte ai vetë, “ishte vlerësimi objektiv i fakteve ai që më magjepste”, në kundërvënie me mekanizma të tillë “të ngatërruar e bizantinë”, veçanërisht të theksuar në fushën e krimeve civile.

Të nesërmen e atentatit tragjik ndaj gjykatësit Cesare Terranova, ndodhur më 25 shtator 1979, Falcone nis të punojë në Palermo, pranë Zyrës së Instruksionit. Në maj 1980, Kryeinstruktori Rocco Chinnici ia beson hetimet kundër Rosario Spatola-s, një proces që hetonte edhe kriminalitetin amerikan dhe që kishte prokuror prokuror Gaetano Costa-n, vrarë në qershorin e mëvonshëm, i penguar nga disa zëvendës të tij, në momentin kur po firmoste një numër të madh urdhër arrestesh.

Pikërisht në këtë përvojë të parë, Giovanni Falcone mëson se po të hetojë krimet dhe veprimtaritë e strukturave mafioze, duhet të kryejë hetime edhe në pasuritë e mirëfillta dhe në ato të depozituara në banka (edhe përtej oqeanit), dhe se – sidomos – duhet krijuar një kuadër tërësor, një vizion organik lidhjesh, mungesa e të cilave, në të shkuarën kishte sjellë një “varg pafajësish”.

Më 29 korrik 1983, kryeinstruktori Chinnici, në krye të një ekipi hetuesish, ku bëjnë pjesë Falcone, Barrile dhe Paolo Borsellinor, vritet bashkë me eskortën e tij në rrugën “Pipitone”; e zëvendëson Antonino Caponnetto, i cili synon t’u krijojë siguri më të madhe hetuesve gjatë hetimeve të krimeve të mafies.

Ndërtohet kështu, i ashtuquajturi “pool antimafia”, mbi modelin e ekipeve aktive të viteve 1970, kundër dukurisë së terrorizmit politik. Përveç Falcone-s, në grup bënin pjesë gjykatësit Di Lello, Guarnotta dhe Paolo Borsellino, i cili kishte prirë hetimin mbi vrasjen e kapitenit të karabinierëve Emanuele Basile, më 1980.

Hetimi i filluar në Romë, në korrik 1984, në praninë e nënprokurorët Vincenzo Geraci dhe Gianni De Gennaro, të Bërthamës Operative të Criminalpol dhe të “penduarit” Tommaso Buscetta, është konsideruar një kthesë e vërtetë dhe e mirëfilltë, për njohjen e fakteve përcaktuese të mafies dhe veçanërisht, të strukturës së organizatës “Cosa nostra”.

Funksionarët e Policisë, Giuseppe Montana e Ninni Cassarà, bashkëpunëtorë të ngushtë të Falcone-s dhe të Borsellino-s, u vranë në verën e vitit 1985. Lind droja se të njëjtin fat do të kishin edhe dy hetuesit në fjalë, të cilët, për arsye sigurie, do të transferoheshin me familjet pranë burgut të Asinara-s.

Nëpërmjet këtij vargu ngjarjesh dramatike arrihet në dhënien e dënimit ndaj Cosa nostra-s, në të parin maksiproces (16 dhjetor 1987) vendosur nga Gjykata e Assise-s të Palermos, nga kryetari Alfonso Giordano, pas njëzet e dy muajsh seanca pas seancash dhe tridhjetë gjashtë ditësh mbledhje në zyrën e instruktimit. Urdhri për shtyrjen e gjykimit ndaj 475 të pandehurve, ishte depozituar në Zyrën e Instruksionit, nga fillimi i nëntorit të dy viteve më parë.

Zhvillimet e mëvonshme ndikojnë negativisht kundër këtij suksesi. Në janar, Këshilli Epror i Hetimeve parapëlqen Antonino Meli-n dhe jo Falcone-n, në krye të Zyrës së Instruksionit, i cili zëvendësonte Caponnetto-n, që kishte dëshiruar ta linte detyrën. Ndërkohë, në vijim të rrëfimit nga ana e “të penduarit” katanez Antonino Calderone, që kishte çuar në një varg të gjatë arrestimesh (të njohura, si “blitz delle Madonie”), hetuesi i Termini-t, konsiderohet i paaftë dhe ia kalon dosjet Zyrës palermitan. Meli, në kundërvënie ndaj hetuesve të pool, i rikthen dosjet në Termini, përderisa veprat e kryera ishin nën juridiksionin e atjeshëm. Kasacioni, në mbarim të 1988, i jep të drejtë kryeinstruktorit, duke mohuar strukturën e centralizuar dhe vertikale të organizatave kriminale dhe duke i konsderuar ato, të pavarura nga njëra-tjetra, në veprime dhe në vendime. Ky vendim do të godiste rëndë hetimet e kryera në Palermo, kundër mafies.

Më 30 korrik, Giovanni Falcone kërkon përsëri të transferohet në një tjetër zyrë. Në vjeshtë, Meli e akuzon se ka favorizuar në njëfarë mënyre Carmelo Costanzo-n, Catania, ndaj e shpërbën strukturën, siç e kishte parandier Paolo Borsellino, në një deklaratë publike që iu censurua. Hetuesit Di Lello-s dhe Conte-s dorëhiqet në shenjë proteste.

Lidhur me tërë këtë zhvillim, në qershor 1992, gjatë një debati në Palermo, organizuar nga revista “Micromega”, Borsellinor kishte paralajmëruar: “Masat që janë marrë nga Meli, miratuar nga Kasacioni, filluar atëherë dhe vazhduar deri tani, nuk do ta pengojnë Falcone-n, ta vazhdojë punën me përkushtim.” Pavarësisht zhvillimeve të tilla, gjithnjë në rrjedhën e vitit 1988, Falcone kishte realizuar një operacion të rëndësishëm në bashkëpunim me Rudolph Giuliani, prokuror rajonal i New York-ut, emërtuar “Iron Tower”, falë të cilit u goditën familjet Gambino dhe Inzerillo, përfshirë në trafikun e heroinës.

Më 20 qershor 1989, ndodhi atentati i dështuar dhe i errët i Addaura-s, pranë Mondello, për të cilin Falcone pohoi: “Gjendemi përballë mendjesh tejet të regjura, që orvaten të orientojnë aksione të tilla të mafies. Ekzistojnë ndoshta, pika lidhjeje midis krerëve të Cosa Nostra-s dhe qendrave të errëta të pushtetit, që kanë të tjera interesa. Kam përshtypjen, se ky është skenari më i pranueshëm nëse duhen kuptuar vërtet arsyet që e kanë shtyrë dikë, për të më vrarë.” Periudha e mëvonshme, vijoi menjëherë me episodin tronditës, të të ashtuquajturit “korbi”: disa letra anonime, që akuzojnë tërë mllef Falcone-n e të tjerë.

Një javë më vonë, instanca eprore vendos ta emërojë Giovanni Falcone-n, ndihmësprokuror në Prokurorinë e Republikës në Palermo. Në janarin e vitit 1990, bashkërendon një hetim që çon në arrestimin e katërmbëdhjetë trafikantëve kolombianë dhe siçilianë, hetim që kishte zënë fill nga rrëfimet e “të penduarit” Joe Cuffaro’, i cili, kishte shpallur se anija tregtare “Big John”, me flamur kilian, në janar 1988 kishte shkarkuar 596 kilogramë kokainë në brigjet “Castellammare del Golfo”.

Atë vit ndodhi “përplasja” me Leoluca Orlando-n, i cili hidhte akuza sidomos ndaj europarlamentarit Salvo Lima. Polemika vazhdon me argumentin e mirënjohur të “kartave në kaseta”, që Falcone i konsideron fryt i “cinizmit politik” të mirëfilltë, të kulluar.

Më 1990 në zgjedhjet e anëtarëve me uniforma të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Falcone është kandidat për listat “Lëvizja për drejtësinë” dhe “Propozimi 88” (në rrethana të lidhura): por rezultati do të ishte negativ. Ndërkohë, ashpërsohen mosmarrëveshjet me prokurorin e atëhershëm Giammanco, në rrafshin vlerësues dhe etik, në kryerjen e hetimeve.

Falcone merr ftesë nga nënkryeministri Claudio Martelli, përkohësisht ministër i Drejtësisë, për të drejtuar Çështjet Penale të ministrisë, ku të merrte rolin e bashkërendimit të një serie çështjesh, nga propozimet për reforma ligjore te bashkëpunimi ndërkombëtar. Do të hapej kështu, në mars 1991, një periudhë e karakterizuar nga një veprimtari e ngjeshur, që do t’i bënte më të frutshme aksionet e drejtësisë në luftën kundër krimit.

Falcone përkushtohet të realizojë atë që e quan, kusht të pazëvendësueshëm të rinovimit: racionalizimin e raporteve midis prokurorisë dhe policisë gjyqësore, dhe bashkërendimin midis prokurorive të ndryshme. Kërkonte ta bënte këtë, në rrafsh kombëtar.

Në nëntor 1991 u krijua Drejtoria Kombëtare Antimafia, për funksionet e së cilës Falcone kishte folur në Palazzo dei Marescialli më 22 mars 1992.

“Unë besoj se prokurori antimafia i Italisë, duhet të ketë detyrë kryesore, ta bëjë të frutshëm bashkërendimin e hetimeve, të garantojë funksionalitetin e policisë gjyqësore dhe të sigurojë plotshmërinë dhe shpejtësinë e hetimeve. Ritheksoj se, ky duhet të jetë një organizëm përkrahjeje dhe mbështetje, për veprimtarinë hetimore, që duhet kryer ekskluzivisht nga prokuroritë rajonale antimafie”, – kishte thënë Falcone.

Kandidatura e Falcones për një detyrë të tillë, u pengua nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, organi që gjatë plenumit nuk kishte marrë ende një vendim përfundimtar, para vdekjes tragjike të Falcone-s.

Është 23 maji 1992, kur në orën 17:56 minuta, në shpatet e fshatit siçilian Capaci, pesëdhjetë kilogramë tritol hedhin në erë veturën me të cilën udhëtonte Giovanni Falcone, e shoqja Francesca Morvillo dhe tre truprojet: Antonio Montinaro, Rocco Di Cillo e Vito Schifani.

Pas vrasjes së mallkuar, më 4 qershor u mblodh Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që doli me një rezolutë ku kërkonte forcimin e përkushtimit të grupit të punës italiano-amerikan, pjesëtar i të cilit ishte Falcone.

As dy muaj më vonë, më 19 korrik, i takonte një tjetër hetuesi, të binte nën goditjet e mafies. Paolo Borsellino, do të vritej nga një autobombë në Palermo, në rrugën “D’Amelio”. Ishte një nga periudhat më të errëta, në historinë e Republikës Italiane.

Falcone ishte personazh i përfolur, nga disa shumë i urryer gjatë jetës dhe shumë i dashur pas vdekjes, një personazh dyshues e i mbyllur, i vendosur e ngulmues. Për sa mund të bënte një njeri, ai ka luftuar dhëmbë për dhëmbë, me të gjitha forcat, për të arritur autonominë si hetues në vijën e luftës kundër mafies dhe sot konsiderohet me plot kuptimin e fjalës, simboli i luftëtarit pa kompromis, një histori që nuk duhet harruar.