MENU
klinika

Nga Dritan Hila

Fitorja e Berishës që nuk i duhet as atij vetë!

27.05.2022 - 19:32

Nga Dritan Hila

Ajo që po shqetëson katundin mediatik shqiptar është se kur do të marrë edhe ligjërisht vulën e PD Berisha.

Gjithë kllounët që deri në 25 prill u përpoqën ti mbushnin mendjen publikut që Berisha nuk ndikonte në PD, sot kanë kaluar në tezen se ajo tashmë i takon atij.

Askush me dy pare mend në kokë nuk ka pasur iluzione që Lulzim Basha ishte një marionetë dhe çdo vendim i rëndësishëm është marrë nga Berisha.

Askush tani e tutje nuk ka dyshim se PD ka vdekur dhe ajo që ka mbetur do katandiset në copa të cilat asnjëherë nuk do rrezikojnë të marrin pushtetin pavarësisht se cila do trashëgojë emrin dhe vulën. Nuk do jetë e largët dita kur ndjekësit dhe fansat e ish PD të vuajnë sindromën e Parisit (sindroma e zhgënjimit të japonezëve pasi vizitojnë Parisin).

Veleritja apo lodhja që kanë pësuar një pjesë e elektoratit me Ramën, nuk është as kusht i domosdoshëm dhe as i mjaftueshëm që të sjellë konglomeratin e djathtë në pushtet.

Gjuha e tyre e vjetruar, mungesa e elementëve të rinj, shterpësia e ideve, nuk ndjellin askënd me dy pare mend në kokë për ti votuar. Dhe pa këtë pjesën e mençur, armata Brankaleone (filmi kult-satirë i viteve ‘60-të) e së djathtës nuk e mund dot repartin e disiplinuar të së majtës, pasi gjithmonë e djathta ka pasur më pak ushtarë dhe disiplinë sesa të majtët.

I vetmi shërbim që po i bën rithemelimi i Berishës vendit është se do ta konsumojë aq shumë duke e lënë në pushtet të majtën saqë kur të largohet nga froni do të shkërmoqet. Por sigurisht kjo kohë do të jete më e gjatë sesa ekzistenca e Berishës në zyrat e gjendjes civile dhe e të djathtës si formacion që e njohim sot.