MENU
klinika

Lamtumirë, gjigantit olimpik

Gara e fundit e artistit, që e bëri muzikë odisenë e tij

20.05.2022 - 15:05

        Vangjelis, kompozitori i kolonave zanore të “Blade Runner” dhe “Moments of glory”, u nda nga jeta dje në moshën 79-vjeçare. Ishte një gjigant i vërtetë i psikodelisë, i aftë të përziente tingujt tradicionalë me tingujt më modernë dhe, mbi të gjitha, të ndërthurte muzikën dhe imazhin në një ekuilibër të përsosur, ku notat u shndërruan në shtojcë ngjyrash në fotografi, një linjë vazhdimësie apo ndërprerjeje e aftë të konsolidonte histori dhe fotomontazhe./Konica.al

Vangelis Papathanasiou, por i njohur si Vangjelis, vdiq në moshën 79-vjeçare, pasi kishte kaluar më shumë se gjashtëdhjetë vjet në botën e muzikës. Vangjelis e ka njohur muzikën që në fëmijëri me një talent shumë të parakohshëm, por rebel. Gojëdhënat thonë se filloi të kompozonte që në moshën katërvjeçare, si autodidakt. Sigurisht, refuzoi çdo formim akademik, aq sa nuk zhvilloi kurrë një njohje të plotë të notave dhe partiturave. Talent natyror, vesh i përsosur. Karrierën e filloi në vitet 1960, me disa grupe pop si “The Forminx” (emri i një instrumenti hark i lashtë grek) dhe “Aphrodite’s Child”, ku shfaqej po ashtu këngëtari Demis Roussos. Së bashku krijuan një përzierje të pabesueshme të tingujve të lashtë dhe modernë, ku binte në sy organi hammond i Vangjelis, me tingëllimë thuajse kishtare. Albumi i tyre “666” (1972), me temë qendrore Apokalipsin e Gjonit, njihet si një klasik i rokut progresiv psikodelik./Konica.al

Në përbërje kishte edhe performanca të këndimit të Irene Papas, kaq do të mjaftonte për ta bërë Vangjelisin të hynte në historinë e muzikës. Por në vitet shtatëdhjetë, Vangjelis i afrohet kulturës së “New Age”, siç mund të shihet në albumin e tij solo “Earth” dhe fillon të kompozojë kolona zanore për dokumentarë mbi kafshët, përfshi “Apokalipsi i kafshëve”, “Festa e egër” dhe “Opera e egër”, suksesi i këtyre kolonave zanore do ta shtyjë atë drejt filmave dhe drejt Hollivudit. Ndërkohë, Vangjelis krijon një partneritet muzikor me Jon Anderson (i cili ishte magjepsur nga “Apokalipsi i kafshëve”), këngëtari i “Yes” (së bashku ata publikuan katër albume të nënshkruara nga Jon&Vangelis). Ndërkohë vjen edhe suksesi hollivudian. Në vitin 1981, ai punoi në të mrekullueshmen kolonën zanore të filmit çmim “Oscar” “Momentet e lavdisë” të High Hudson, për të cilin fitoi statujën për kolonën zanore më të mirë origjinale të mbledhur më vonë në diskun “Chariots of Fire”. Muzika, tërësisht elektronike, nisi një stil të ri në kompozimin e kolonave zanore dhe u kopjua menjëherë. Kënga “Titles”, e marrë nga albumi, gjithashtu kryesoi “Billboard Hot 100” në SHBA dhe u përdor si muzikë në sfond për ceremoninë e çmimeve të Lojërave Olimpike të Londrës 2012. Në vitin 1982, ai realizoi kolonën zanore të “Blade Runner”, filmi i Ridley Scott i cili është kthyer në një nga filmat më ikonë në të gjithë historinë e kinemasë falë edhe muzikës së kompozitorit grek. Me kalimin e viteve, ai kompozoi më pas muzikën për filma të tjerë të rëndësishëm duke përfshirë “1492- The conquest of paradise”, “El Greco” dhe “Blade runner 2049”.

Viti 2001, qe momenti i njohjes së tij më të lartë në Greqi dhe në njëfarë kuptimi ndërplanetar. Record Mythodea, një kompozim i shkruar fillimisht në 1993 dhe i përdorur nga NASA si temë për misionin “Mars Odyssey” të vitit 2001. Në një nga koncertet e pakta të karrierës, Vangjelis performoi në tempullin e Zeusit, Olimpin e Athinës, ku interpretoi të gjithë diskun i shoqëruar nga kori dhe orkestra simfonike. Në fund të fundit, hapësira, e pafundme si muzika e tij, ishte një nga magjepsjet e tij të mëdha. Në vitin 2016, 18 vjet pas punës së fundit në studio, Vangjelis njoftoi publikimin e një albumi të ri, “Rosetta”, frymëzuar nga misioni hapësinor i “ESA” në 2014.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


I pafajshëm në një botë fajtore

Alfred Hitçkok, thjesht… tmerrësisht i talentuar!


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit