MENU
klinika

Në gjyq Suel Çela dhe miku i tij

Gjykata e Lartë rihap çështjen e 9 viteve më parë

05.05.2022 - 12:45

Gjykata e Lartë ka kthyer për rigjykim çështjen penale në ngarkim të Suel Çelës, i njohur edhe me emrin tjetër Marjus Lulaj dhe të një personi tjetër që njihet si mik i tij. Bëhet fjalë për Endri Çopjen, të akuzuar nga Prokuroria e Elbasanit për veprën penale të “Mbajtjes pa lejë të armëve” dhe “Heqje të paligjshme të lirisë” në dëm të shtetasit Bledar Karaj, ngjarje e ndodhur 9 vite më parë.

Sipas të dhënave zyrtare të gjykatës, bëhet me dije se kolegji gjykues i përbërë nga tre gjyqtarë, gjatë analizimit të ankimit të bërë nga Prokuroria, ka çmuar se çështja ndaj dy personave duhet të rigjykohet në Gjykatën e Apelit në Durrës. Kolegji çmon me anë të një vendimi se në çështjen objekt-gjykimi, gjyqtari paraprak i Apelit Durrës, për shkak të zbatimit të gabuar të dispozitave ligjore, ka marrë padrejtësisht rolin e gjyqtarit të themelit, duke zgjidhur në themel çështjen.

Ndërkohë që kompetenca e tij ishte kontrolli i cilësisë së hetimeve, nëse ato kanë qenë të plota ose jo dhe nëse kishte vend që organi procedues të kryente veprime të tjera hetimore. “…Gjyqtari i seancës paraprake nuk mund t`i hyjë vlerësimit të provave, të vlerës së tyre në raport me faktin apo fajësinë apo vlerës së tyre në raport me prova të tjera, pasi kjo mund të bëhet vetëm në seancë gjyqësore të gjykimit të themelit të çështjes në kushtet e debatit gjyqësor e kontradiktave…”, thuhet në vendim e Gjykatës së Lartë. Çështja sipas vendimit të gjykatës daton prillin e vitit 2013, kur në Elbasan thuhet se është marrë peng Bledar Karaj.

Fillimisht Karaj ka pranuar se personi që e kishte marrë peng dhe e kishte qëlluar me armë duke e plagosur lehtë në këmbë, ishte pikërisht Marius Lulaj. Ndërsa çështja është pezulluar duke iu referuar Policisë për zbulim autori. Por në 12 korrik 2018, njësia Task-Forcë dhe Prokuroria e Elbasanit kanë rihapur dosjen duke akuzuar sërish këtë herë Suel Çelën dhe Endri Çopjan për akuzën e “Heqjes së paligjshme të lirisë” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve”.

Operacioni policor i koduar “Krasta” u finalizua në 14 qershor 2019, ku mes të arrestuarve ishte edhe i dëmtuari Bledar Karaj, që ishte i akuzuar nga prokuroria për “Moskallëzim krimi” dhe për korrupsion aktiv ndaj punonjësve të AMAs, pasi Karaj disponon një televizion kabllor. Çështja ndaj tyre shkoi për gjykim në Gjykatën e Elbasanit, por gjykata vendosi pushimin e ndjekjes penale ndaj tyre. Ky vendim u la në fuqi nga Gjykata e Apelit. Ndërsa në 8 mars 2022, Gjykata e Lartë ka kthyer për rigjykim në Apel çështjen në fjalë, duke kërkuar rigjykimin e dosjes me trupë tjetër gjyqtarësh.