MENU
klinika

Dyshimet për kultivim të lëndëve narkotike

Guardia di Finanza monitorim nga ajri në veri të Shqipërisë

15.05.2022 - 12:01

Prej datës 1 maj në veri të Shqipërisë, ka nisur monitorimi ajror nga Guardia Di Finanza për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Kështu ka njoftuar ditën e sotme Policia e Shtetit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, së bashku me ekipin e GDF-së, për 3 orë, monitoruan nga ajri, me helikopter të pajisur me aparatura speciale, zonën veriore të vendit.

Sipas policisë gjatë monitorimit u verifikuan, në zona të thella si Dukagjin, Theth, Valbonë, Muriqan, Malësi e Krujës etj, koordinata në të cilat kishte dyshime se kultivoheshin bimë narkotike.

Gjithashtu është ndjekur dhe verifkuar një mjet lundrues, i cili ka rezultuar se nuk kishte asgjë të kundërligjshme në bord, por kishte dalë për peshkim.

Në përfundim të monitorimit, Drejtori i Përgjithshëm, Gledis Nano deklaroi se punonjësit e policisë së shtetit do të kenë mbështetjen e tij në luftën kundër kultivimit të kanabisit dhe çdo lloj paligjshmërie tjetër në vendin tonë.

“Ne, sot, zhvilluam një fluturim monitorimi, bashkë me kolegët e “Guardia di Finanza”, kryesisht në zonën veriore të vendit. Pjesëmarrja ime në këtë fluturim nuk ishte thjesht për t’i falenderuar kolegët italianë që punojnë për të na mbështetur në luftën kundër kultivimit të kanabisit, por për t’iu treguar të gjithë mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe vendosmërinë time personale, si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, po ashtu edhe të të gjithë efektivëve, në lidhje me goditjen e problematikës së kultivimit të kanabisit.

Dua t’i falenderoj kolegët e “Guardia di Finanza”, si ekuipazhin e helikopterit ashtu edhe kolegët e tjerë, që monitorojnë nga qendra e kontrollit të gjitha fluturimet dhe vendndodhjet e vendeve, të dyshuara si pjesë e kultivimit të kanabisit, janë një skuadër profesionistësh dhe për këtë unë falënderoj kolegët e Interforce, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë italiane dhe Ministrinë e Brendshme italiane, e cila na ka ofruar këtë mundësi, për të lokalizuar me teknologjinë më të fundit që mjeti fluturues, helikopteri, që kemi pas shpine, mban me vete.

Dua të siguroj të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit që do të kenë mbështetjen time personale lidhur me luftën kundër kultivimit të kanabisit dhe çdo lloj paligjshmërie tjetër në vendin tonë.

I përgëzoj dhe i falenderoj për të gjithë punën që ata bëjnë në terren, është punë jo e lehtë të gjurmosh dhe të lokalizosh çdo bimë kanabisi, të mbjellë në terrenet më të thyera të vendit tonë.

Ju siguroj që Policia e Shtetit është e vendosur, me tolerancë zero, kundër fenomenit apo problematikës së kultivimit të kanabisit dhe do të vazhdojmë siç e kemi nisur këtë vit, pak më herët nga vitet e kaluara, për të identifikuar çdo vend të përgatitur për kultivimin e kanabisit, për të shkatërruar e asgjesuar çdo bimë, që në fazën fillestare të saj, në mbjelljen në terren.”

Kapiteni i GDF-së Sergio Angelucci tha se monitorimi nga ajri dhe toka do vijojë në mënyrë të vazhdueshme, me qëllim evidentimin dhe goditjen e çdo tentative për kultivim të bimëve narkotike.

“Falënderoj Drejtorin për vlerësimin që shpreh për shtetin italian dhe për “Guardia di Finanza”-n. Ne sigurisht, garantojmë impenjim maksimal, me qëllim realizimin e kësaj veprimtarie të rëndësishme, në territorin shqiptar“, u shpreh ai.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Një ditë pas arrestimit të ish-deputetit të PS

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Gledis Nano takim me kreun e SPAK

Emri i drejtorit të ri të policisë?

Bledi Çuçi: Ardi Veliu dha dorëheqje, nuk kishte presion