MENU
klinika

(Agjentja e Papës)

Heroi i dashurisë dhe i dritës

18.05.2022 - 12:52

         Në vitet ’70-të, siç mund ta dinë mirë studentët e “arteve” të errëta të Luftës së Ftohtë, ishte koha kur shërbimet sekrete komuniste depërtuan thellë në Vatikan. Megjithatë, shumë pak e dinë se në vitet ’80-të, Papa Gjon Pali II kishte agjenten e vet të fshehtë në Bashkimin Sovjetik.

Kjo marrëdhënie çoi në një takim të jashtëzakonshëm personal, që hedh dritë mbi faktin se çfarë e bënte atë njeriun që ishte. “Agjentja 007” e Papa Gjon Palit II, quhej Irina Ilovajskaja Alberti dhe ishte e veja e një diplomati italian, e lindur në Rusi.

Ish-ndihmëse personale e shkrimtarit të famshëm rus Aleksandër Sollzhenicin, në Vermont, SHBA, me Papën ajo u njoh fare rastësisht, gjatë një audience papale publike në fillim të viteve 1980. Shumë shpejt, mes tyre u zhvillua një miqësi e fortë. Ndërsa, reformat e Gorbaçovit e lehtësuan hyrjen në Bashkimin Sovjetik – Alberti shkonte atje, disa herë në vit.


“Nëse do të mësoja ndonjë gjë interesante”- më tha ajo, vite më vonë, “do t’i telefonoja Papës, do të takoheshim dhe do t’i tregoja gjithçka”. Diplomatët e Vatikanit, të cilëve u pëlqente t’i mbanin shumë sekrete çështjet, nuk e vlerësuan këtë lloj kanali informativ.

Por Papa Gjon Pali II, e kishte zakon të toleronte kur mendonte se, në këtë mënyrë mund të merrte informacione të dobishme. Ai shpërfillte menaxherët tradicionalë dhe mbante kontakte me operativen e tij klandestine. Alberti ishte gjithashtu mike e ngushtë me Jelena Boner, bashkëshorten e fizikantit bërthamor sovjetik dhe më vonë, njeriut që nisi të bënte fushatë për të drejtat e njeriut në vendin e madh komunist, Andrei Sakarov.

I ndodhur nën arrest shtëpiak në vitin 1985, Sakarov nisi grevën e urisë, duke kërkuar nga zyrtarët sovjetikë që ta lejonin gruan e tij të dilte jashtë shtetit, për t’u kuruar nga një sëmundje e rëndë. Autoritetet ranë më në fund dakord, por Sakarov ishte peng i sjelljes së mirë të Boner, jashtë vendit.

Kjo nënkuptonte asnjë takim me udhëheqësit botërorë, apo shtypin perëndimor. Alberti mendonte se, Boner duhet të takonte Papën. Kur ajo erdhi në Romë, pas kurimit, Alberti organizoi arratisjen e saj, në mënyrë që, ndërsa gazetarët italianë të merreshin me fëmijët e Bonerit, ndërsa ajo të hynte fshehurazi në Vatikan.

E ngurtësuar emocionalisht nga dekadat e përndjekjes nga KGB-ja, Boner nuk u tregua shumë sentimentale. Ajo nuk ishte as besimtare. Gjithsesi, takimi dyorësh, kokë më kokë, me Papa Gjon Palin II, i la mbresa të forta. Ajo i tha Irinës, më pas: “Ai është njeriu më i pabesueshëm që kam takuar ndonjëherë. Është i gjithi dritë. Është një burim drite!”.

Marrëdhënia Boner-Gjon Pali II, vazhdoi për vite me radhë dhe çoi më vonë, në një takim të gjatë privat, midis Papës dhe Sakarovit, i cili, kërkoi këshilla për të luajtur një rol politik në shembjen zyrtare të Bashkimit Sovjetik. Ishte që takimi i parë me Boner dhe reagimi i saj, ndaj këtij polaku që nuk e kishte takuar kurrë më parë dhe njëherazi, drejtues i një besimi që ajo nuk e ndante, fton për më shumë reflektim në 100-vjetorin e lindjes së Papa Gjon Palit II.

Po si ia arriti Papa Gjon Pali II, të prekë zemrat e mendjet edhe të jobesimtarëve, me sjelljen e tij?

Vojtila ishte një burrë inteligjent, një klerik me përvojë, poliglot dhe një aktor i zgjuar në skenën botërore. Angazhimi në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, pavarësisht nga bindja fetare apo jo, ishte treguar me kohë, gjatë përvojës si kryepeshkop i Krakovit në Poloni dhe më pas, si Papë. Ai e kishte paguar me gjak çmimin e kësaj mbështetjeje, kur i mbijetoi një atentati, për të cilin ai me siguri, dyshonte se ishte urdhëruar nga Moska.

Por, kjo përvojë dhe besueshmëria, nuk e shpjegojnë plotësisht faktin, pse një jobesimtar duhet të thotë, i përlotur:“Ai është i gjithi dritë. Ai është një burim drite!”. Apo, pse në vitet e fundit të jetës, i sfilitur nga sëmundja e parkinsonit, ai tërhiqte ende turma të mëdha njerëzish dhe arrinte të ngrinte peshë shpirtin e të vuajturve.

Papa Gjon Pali II, nuk mund të shpjegohet, apo kuptohet nëse nuk merret për atë që ai tha se ishte: një dishepull i krishterë, rrënjësisht i konvertuar. Ai besonte se, Zoti ia ka zbuluar veten e tij historisë, në fillim hebrenjve dhe në fund, Jezusit të Nazaretit.

Ai besonte se ringjallja e nazaretasit të kryqëzuar, ishte pika fokale e sagës njerëzore: një ngjarje brenda dhe përtej asaj që ne e njohim si “histori”, e cila zbuloi se dashuria pasionante e Zotit për njerëzimin, ishte më e fortë se vetë vdekja. Duke e besuar këtë gjë, ai jetoi pa frikë. Dhe duke jetuar pa frikë, ai frymëzoi kurajo tek të tjerët. Ai ishte “një burim drite”, pasi e kaloi jetën duke lejuar që të shkëlqejë përmes tij, atë që e kishte përjetuar si dritë hyjnore.

 

*Nga: George Weigel – anëtar i vjetër i Qendrës së Etikës dhe Politikës Publike dhe biograf i Papa Gjon Palit II. / “The Wall Street Journal (shkrimi është publikuar në 100-vjetorin e lindjes së Papë Gjon Palit II)”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Diplomati i parë shqiptar

Ëngjëllorët e Drishtit