MENU
klinika

Analiza

Hungaria po rrezikon reputacionin e vetë BE-së

18.05.2022 - 08:00

BE nuk ka gjetur konsensus mbi paketën e re të sanksioneve kundër Rusisë dhe një marrëveshje mund të jetë ende ‘një ose dy javë’ larg, tha të hënën (16 maj) kryediplomati i BE-së Josep Borrell, pasi Hungaria tha se nuk do të heqë veton e saj.

“Për fat të keq, nuk ka qenë e mundur të arrihet një marrëveshje sot,” u tha Borrell gazetarëve pas një takimi të ministrave të jashtëm të bllokut në Bruksel.

Pala e BE-së i ka ofruar Hungarisë, Republikës Çeke dhe Sllovakisë periudha të gjata për të hequr gradualisht importet e naftës ruse, por kjo ende nuk e ka bindur Budapestin të mos kundërshtojë.

Filozofia e sanksioneve të BE-së është se ato duhet të godasin vendin e tretë, në këtë rast Rusinë, në vend që të shkaktojnë dëm për shtetet anëtare.

Por sanksionet në fushën e energjisë në mënyrë të pashmangshme shkaktojnë dëme për vendet e BE-së.

Importet ruse të energjisë nga BE-ja ishin me vlerë 99 miliardë euro në vitin 2021 dhe nafta ruse përbën rreth 27% të importeve të naftës në BE.

Teknikisht, importet e naftës nga Rusia janë më të lehta për t’u zëvendësuar sesa importet e gazit, megjithatë rritja e çmimeve të naftës tashmë shton inflacionin në të gjithë BE-në.

“Shpresoj se nuk do të zgjasë më shumë, por nuk mund t’ju them nëse do të zgjasë një ose dy javë,” tha Borrell, duke shtuar se fillimisht kishte synuar që ministrat të diskutonin paketën e sanksioneve të hënën.

Borrell shpjegoi se pengesa kryesore për një marrëveshje ishte e natyrës ekonomike: “Hungaria nuk e ka shpjeguar qëndrimin e saj në aspektin politik, por në aspektin ekonomik,” tha ai.

Vendet anëtare të BE-së janë gjithnjë e më të dëshpëruar për të shmangur shfaqjen e ndarjes përballë sulmit të Kremlinit në Ukrainë dhe zyrtarët po përpiqen në prapaskenë për të arritur një kompromis me Hungarinë pasi bënë propozimin fillestar gati dy javë më parë më 4 maj.

Zyrtarët e BE-së kanë bërë një sërë lëshimesh për vendet anëtare që atëherë, duke përfshirë heqjen e një plani për të ndaluar anijet e BE-së të transportojnë naftë ruse, pas kundërshtimit nga Greqia dhe Qipro mbi ndikimin e mundshëm ekonomik në industritë e tyre.

Disa shtete anëtare kanë hedhur gjithashtu idenë e shqyrtimit të shtyrjes së ndalimit të naftës për të vazhduar me pjesën tjetër të paketës së sanksioneve, por kjo është kundërshtuar deri më tani pasi besohet se masave do t’u mungonin “dhëmbët” pa komponentin e energjisë.

Ambasadorët e BE-së do të takohen për takimin e tyre të rregullt të mërkurën, ku pritet një diskutim më i detajuar mbi paketën.

Megjithatë, diplomatët e BE-së dhe disa ministra të jashtëm të hënën kanë thënë se duket se diskutimi mund të zvarritet deri në një samit jozyrtar të BE-së të planifikuar për në fund të majit.

“Rreziku këtu është se ne do të kemi ‘diskutim për gjithçka’ midis liderëve të BE-së, nga sanksionet tek energjia, zgjerimi dhe ndryshimi i traktatit” tha një diplomat i BE-së. .

Borrell tha se ministrat e jashtëm kishin vendosur, megjithatë, të siguronin 500 milionë euro shtesë për blerjet e armëve në mbështetje të Kievit, duke e çuar shumën totale të parave që BE-ja ka caktuar për këtë qëllim në 2 miliardë euro.

Hungaria është akuzuar për “mbajtjen peng të BE-së” për refuzimin e saj për të rënë dakord për një embargo të naftës kundër Rusisë, ndërsa blloku përpiqet të arrijë një konsensus mbi sanksionet e tij të fundit.

“I gjithë bashkimi mbahet peng nga një shtet anëtar i cili nuk mund të na ndihmojë të gjejmë konsensusin”, u tha gazetarëve ministri i Jashtëm lituanez Gabrielius Landsbergis.

Kryeministri hungarez Viktor Orbán e ka krahasuar ndikimin ekonomik në vendin e tij të ndalimit të naftës ruse me një “bombë bërthamore”.

Budapesti thotë se i duhet kohë për të përshtatur sistemet e tij energjetike dhe mbështetjen financiare për të paguar infrastrukturën dhe alternativat më të shtrenjta ndaj naftës ruse.

Hungaria, shpesh më e çuditshmja në vendimmarrjen e BE-së, ka kërkuar që të përjashtohet nga embargoja për të paktën katër vjet dhe kërkon 800 milionë euro fonde të BE-së për të rindërutuar një rafineri dhe për të rritur kapacitetin e një gazsjellësi për në Kroaci.

Nevojitet një modernizim i plotë i infrastrukturës energjetike hungareze në shkallën nga 15 deri në 18 miliardë euro.

Mosmarrëveshja e zgjatur mbi embargon e naftës ka bërë që disa diplomatë të BE-së të besojnë se arritja e një ndalimi të gazit natyror rus është e paarritshme.

BE planifikon të ulë varësinë e saj nga gazi rus me dy të tretat këtë vit, për të cilin një propozim në përputhje do të paraqitet nga Komisioni Evropian të mërkurën (18 maj), por ajo ka hezituar të ndalojë importet pasi Gjermania kundërshton një lëvizje të tillë.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba i kërkoi BE-së të hënën që të kapërcejë rezistencën e Hungarisë ndaj një embargoje ndaj naftës ruse dhe më pas të “vrasë” të gjitha eksportet e Moskës.

“Ne jemi të pakënaqur me faktin që embargoja e naftës nuk është arritur,” tha Kuleba pas takimit me ministrat e jashtëm të BE-së në Bruksel.

Kuleba tha se ishte i bindur se embargoja e naftës do të vinte dhe “çështja e vetme është se kur dhe cili do të jetë çmimi që Bashkimi Evropian do të duhet të paguajë për të”.

Orbán njihet si miku më i mirë i Putinit në BE. Sipas raporteve të pakonfirmuara, Putini e njoftoi Orbanin paraprakisht përpara pushtimit të Ukrainës dhe lideri hungarez i tha atij se vendi i tij ishte i interesuar të merrte një pjesë të territorit të Ukrainës pas luftës.

Orbán u rizgjodh zyrtarisht si Kryeministër para pak ditësh dhe mori urime si nga Presidenti i Këshillit Charles Michel ashtu edhe nga Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen.

Burimi: EurActiv

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Në të njëjtën kohë ta shpëtojë planetin?

A mund të konkurrojë SHBA-ja me Kinën?