MENU
klinika

"Fli" vjen në Metropol

Ifigjenia Në Aulidë… si këshillë nga Euripidi

13.05.2022 - 14:23

         Vjen me regjinë e konceptuar në mënyrë bashkohore, nga Enton Kaca, drama “Fli” e bazuar në veprën “Ifigjenia në Aulidë”, të Euripidit.

Vepra rikthehet në skenën e Metropolit, për shfaqjet e fundit, prej mbrëmjes së djeshme, për të vijuar edhe më 13, 14 dhe 15 maj. Sikur shprehen protaginistët, “Fli” është rezultati final i një procesi, një rituali që mundohet të realizojë një konsakrim të sakrificës njerëzore dhe t’i japë “flijimit” një dimension poetiko-politik, që do mund të na çlirojë prej konflikteve dhe mundimeve të jetës së përditshme.

“Fli’ është gjithashtu, një homazh për pasojat dhe viktimat e luftës, një lutje dhe gjithashtu një tribut për sakrificën tonë të përditshme në përballjen me “betejat” e mëdha e të vogla që kemi”, – thuhet mes të tjerave, nga teatri Metropol.

Një konceptim modern

“Fli”, për publikun shqiptar vjen si konceptimi modern dhe aktual i veprës “Ifigjenia në Aulidë” të Euripidit.

Sikur shprehet regjisori Enton Kaca, drama vërtitet rreth pavendosmërisë dhe konflikteve që gjeneron komandanti i ushtrisë greke lidhur me një çështje, me të cilën, ai duhet të negociojë. “Do ta vazhdojë rrugën drejt luftës së premtuar, apo do ta braktisë atë?

Sakrifica, që i kërkohet e ka bërë të pamundur zhvillimin e ngjarjeve dhe ngatërresat midis personazheve, vijnë e bëhen më të komplikuara. Konfliktet lindin nga tensioni që krijon pritja, qëndrimi në vend, pa plan për qëllimin kryesor për të  cilin janë mbledhur të gjithë, në Aulidë” – tregon Kaca.

Kjo vepër është një nga më të njohurat e Euripidit, që përfshin brenda intriga, mashtrime, rivalitet politik, luftë, hakmarrje, konflikte, ambicie, vetëmohim në skenat kryesore të tragjedisë. – A është lufta, mjeti i duhur për të zgjidhur konfliktet?! A “sakrifikohet” familja, për karrierën personale?! A vlen më shumë krenaria dhe lavdia, se arsyeja?!  – Janë këto linjat dhe idetë mbi të cilat vërtitet historia e shfaqjes “Fli”, personazhet e së cilës, përfshihen thellësisht në një diskurs politik, filozofik, ekzistencial mbi luftën dhe pasojat e saj, duke krijuar një pasqyrë të qartë të identitetit njerëzor, ngjashmërisë dhe paralelizmave të këtij identiteti në periudha të ndryshme kohore.

Në role, vijnë aktorët: Amri Hasanlliu, Bujar Hoxhaj, Edvin Mustafa, Erdet Miraka, Ismail Shino, Klodjana Keco, Lindar Kaja, Margent Caushi, Mariglen Domi, Mario Bali, Marius Dhrami, Roerd Toçe, Xhino Musollari, etj. Kori Ketjona Pecnikaj, Parashqevi Hallkaj, as. regjisor Edvin Mustafa dhe kostumet Sofi Kara.

Antikiteti…

Euripidi i përkiste kategorisë së shkrimtarëve cilësorë. Çdo gjë që shkruante kishte një arsye të veçantë. Veprat e Euripidit karakterizohen nga format komplekse, lirshmëria në përdorimin e temave mitologjike dhe idetë e pasura muzikore.

Tregojnë  se, kur lindi Euripidi (485 para e.r.), Eskili luftonte kundër persëve në Salaminë, ndërsa Sofokliu ishte ende djalosh i ri. Ai rridhte nga një familje e thjeshtë (Aristofani, p.sh., përmend Klitonë, të ëmën e tragjedianit, si një shitëse zarzavatesh). Jetoi në epokën e artë të Perikliut, në kohën e lulëzimit të letërsisë dhe të arteve, duke u bërë edhe vetë shprehës dhe shenjë e kësaj epoke. Idetë e reja që nisën të shfaqeshin, sidomos ato të so-fistëve, zënë vend në veprën e tij. Fryma kritike, polemizuese, ironia janë mishërim i shqetësimeve nga problematika e kohës dhe japin atmosferën e diskutimit publik të atëhershëm. Në veprat e veta, ai paraqiti njerëz të zakonshëm që veprojnë në situata të jashtëzakonshme.

Euripidi shkroi gjithsej 92 drama ose 23 tetralogji. Megjithatë, biografët e tij kanë regjistruar 78 vepra dramatike. Prej tij kanë ardhur deri në ditët e sotme 18 tragjedi të plota (“Alkesta”, “Andromaka”, “Bakët”, “Hekuba”, “Helena”, “Elektra”, “Heraklidët”, “Herkuli i zemëruar”, “Lutëset”, “Hipoliti”, “Ifigjenia në Aulidë”, “Ifigjenia në Tauridë”, “Joni”, “Medea”, “Oresti”, “Resi”, “Trojanët”, “Vrasëset”), 2 tragjedi fragmentare (“Arkelau”, “Belerofonti”) dhe një dramë satirike (“Ciklopi”).

Euripidi ishte një figurë shumëdimensionale. Veç dramaturgjisë, u mor me pikturë, filozofi, poezi, muzikë dhe e dashuronte detin. Ishte i mbyllur dhe kishte pak miq, por të rëndësishëm. Adhuronte Demokritin, Heraklitin, ndiqte bisedat filozofike të Anaksagorës, Prodikut dhe ishte mik i Protagorës, ndërsa me Sokratin e lidhi një miqësi e gjatë.

Idetë e veta politike nuk i shfaqi drejtpërdrejt, por nëpërmjet veprës së vet.

Në jetën private provoi shumë pikëllime. Gruan e parë, Kerinën, e ndau për imoralitet. Por gruaja e dytë, Melitoja, ishte më imorale se e para dhe e braktisi vetë. Kishte katër djem, nga të cilët njëri iu vra.

Pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Athinë. Megjithëse prania e tij në skenë zgjati rreth pesë dekada, vetëm katër herë fitoi vendin e parë. Vitet e fundit i kaloi në Maqedoni, pranë pallatit mbretëror të mbretit artdashës, Arkelaut, prej të cilit pranoi shumë nderime. Euripidi vdiq aksidentalisht më 406 para e.r. Sipas një legjende, tek po ecte rrugës, një lukuni qensh iu vërsul dhe nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të kafshimeve. Arkelau i ngriti një varr madhështor dhe nuk pranoi t’ua kthente athinasve eshtrat e tij. Megjithatë, edhe athinasit e nderuan duke i ngritur një cenotaf të madh dhe një shtatore bakri.