Pak ditë na ndajnë nga finalja e madhe e Conference League, kompeticionit më të ri të UEFA-s që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Një rol shumë të rëndësishëm pritet të kenë 400 vullnetarët e siguruar nga FSHF për këtë finale, për të sjellë një organizim sa më të mirë të ndeshjes.
Vullnetarët do të angazhohen në pozicione të ndryshme në këtë finale, teksa pas trajnimit të parë javën e kaluar ku u njohën me pozicionet e tyre, tashmë ka nisur përgatitja edhe në terren.
Prej ditës së diel, 400 vullnetarët janë zhvendosur në qendrën e tyre në Pallatin e Kongreseve, ku secili po trajnohet për detyrën e ngarkuar për këtë finale. Përgjegjësja e vullnetarëve për këtë event, Edlira Jaupaj tregon për fshf.org se përgatitjet po shkojnë mjaft mirë, teksa i vlerëson të rinjtë për interesin e treguar dhe nivelin e tyre.
Përgatitjet me vullnetarët – Përgatitjet po shkojnë shumë mirë, në fakt shumë më mirë se sa e prisnim. Jemi mbledhur te qendra e vullnetarëve dhe po organizojmë trajnimet, po lidhemi me trajnuesit. Po japim edhe udhëzimet paraprake, uniformat dhe gjatë gjithë ditës ne shkëmbejmë informacione me vullnetarët.
Si janë gjendur dhe si ndihen vullnetarët me detyrat e tyre? – Të gjithë janë në pozicionet që kanë aplikuar më parë. Ka edhe nga ata vullnetarë të cilët kanë aplikuar në tre pozicione dhe u është dhënë një pozicion nga ato që kanë preferuar. Janë shumë të kënaqur. Shohim një atmosferë shumë pozitive dhe bashkëpunuese.
Kanë krijuar edhe miqësi me njëri-tjetrin. Të gjithë janë përcaktuar në pozicione, ndihen mirë dhe e shohin si një eksperiencë me shumë të ardhme. Do ta vazhdojmë këtë eksperiencë. Kemi marrë edhe 100 vullnetarë, të cilët i kemi selektuar si më të mirët, të cilët do të angazhohen jo vetëm me finalen, por edhe në ndeshje të tjera.
Niveli i tyre dhe feedback-u nga trajnerët e UEFA-s – Vullnetarët janë goxha të mirë, njohës të gjuhëve të huaja dhe shoh një nivel të lartë. Nga feedback-u që kemi marrë dje dhe sot, pasi ata bëjnë mbledhje çdo mëngjes, është shumë i mirë. Të gjithë trajnuesit janë shumë të kënaqur. Vullnetarët përmbushin të gjitha detyrimet, kushtet, pyesin.. shohim një interes pozitiv. Po sjellim një gjë të re në Shqipëri. Kjo është kryesorja!