MENU
klinika

Analiza

Në këtë luftë, Rusia e ka pësuar një humbje!

16.05.2022 - 18:29

Ndërsa vazhdon lufta e Vladimir Putinit kundër Ukrainës, Rusia përballet tani me perspektivën reale të humbjes. Ukrainën e presin ende javë dhe muaj të vështirë përpara, dhe nuk mund të përjashtohet ende plotësisht mundësia e një përshkallëzimi të rrezikshëm të kësaj lufte.

Por Putin nuk ia ka dalë të arrijë njërin nga synimet e tij fillestare (pushtimin e Kievit), dhe tani duket se nuk do të arrijë as qëllimin e tij dytësor dhe shumë më modest për të pushtuar dhe aneksuar rajonin e Donbasit. Lufta është kthyer në një çështje që po zgjat shumë. Kjo në vetvete është një humbje për rusët.

Poshtërimi i Rusisë në Ukrainë sjell përfitime të panumërta, për Evropën, botën, por dhe vetë Rusinë. Prej vitesh kemi dëgjuar të thuhet se Rusia duhet të jetë e pakënaqur, madje e tërbuar nga inati sepse e ka humbur statusin e saj si një fuqi e madhe.

Po ashtu na është thënë se rënia e Bashkimit Sovjetik, ishte një katastrofë e tmerrshme nga e cila rusët e hidhëruar nuk e morën veten asnjëherë. Prandaj ata duhet të respektohen për dhimbjen që kanë pësuar. Ata duhet të qëndrojnë kryelartë dhe krenarë. Dhe Zoti na ruajt nëse poshtërohen, se kushedi se çfarë do ta na bëjnë!

Unë kam qenë dëshmitar okular i rënies së BRSS. Nuk ka diskutim se ishte një përvojë traumatike. Kishte varfëri, mjerim, kaos dhe një ngritje të frikshme të ekstremit të djathtë. Nacionalistët e tërbuar u mblodhën nën banderolat e tyre revanshiste.

Më pas Rusia pushtoi Çeçeninë në një përpjekje brutale për të rifituar krenarinë e saj të njollosur, duke i shtypur me këmbë të gjithë separatistët sfidues në rajon. Dhe ne bënim sehir, madje u përgëzuam nga disa, pasi rusët kishin një arsye të mirë për t’u zemëruar: ata e humbën Luftën e Ftohtë!

Rusët kanë qenë gjithmonë të pritur për madhështi. Ata do të ishin të gatshëm të shisnin edhe këmishën e tyre të fundit vetëm për hir të garantimit të madhështisë së tyre. E megjithatë në vitin 1991 midis shumë rusëve dominonte ndenja se në fakt Bashkimit Sovjetik u shemb më shumë nën peshën e vet sesa u mposht nga Perëndimi.

Shumë rusë refuzuan ta pranonin se shembja e Bashkimit Sovjetik ishte rezultat i viteve të keq-menaxhimit ekonomik dhe të arrogancës perandorake. Dhe në vend të njohjes së këtij realiteti ata kërkuan tradhtarët e mundshëm. Mikhail Gorbachev u sulmua sidomos për naivitetin e tij në raport me Perëndimin, madje edhe për keqdashje.

Në lojën e hedhjes së fajit që u luajt gjatë viteve 1990, dikujt duhej t’i ngarkohej mbi supe përgjegjësia mbi katastrofën që ndodhi me Rusisë: tradhtari Gorbachev, pijaneci Boris Yeltsin, oligarkët grabitqarë, dhe sigurisht këshilltarët dredharakë perëndimorë që kanë dashur gjithmonë shkatërrimin e Rusisë.

Nga kaosi dhe dobësia e viteve 1990 doli Vladimir Putin, që premtoi t’i rikthente vendit rendin dhe forcën e dikurshme. Abuzimi me pushtetin nga Putin, korrupsioni, shkelja e të drejtave të njeriut dhe erozioni i institucioneve demokratike u toleruan që të gjitha në emër të atij premtimi për të qenë sërish të fuqishëm.

Pra Rusia mund të ishte e varfër, e korruptuar dhe autoritare, por Vladimir Putin vlerësohej sepse po investonte shumë tek ushtria, dhe po rikthente “madhështinë” e Rusisë. Çdo vit Rusia e Putin mban parada të mëdha me rastin e 9 Majit, Ditës së Fitores.

Dikur këto ceremoni ishin aktivitete madhështore. Parakalonin qindra tanke. Avionët luftarakë fluturonin mbi Moskë. Ushtarët do të parakalonin me pompozitet nëpër Sheshin e Kuq, ndërsa diktatori i plakur shihte gjithçka nga tribuna.

Unë i urreja këto shfaqje militariste, të cilat kishin shumë pak të bënin me kujtimin e Luftës së Dytë Botërore dhe shumë më tepër me “madhështinë” e sponsorizuar nga shteti. E megjithatë, jam i sigurt se flas në emër të shumë liberalëve rusë, kur them se e pranoj se diku në thellësinë e ndërgjegjes sime të “poshtëruar”, edhe unë isha i trazuar nga zhurma dhe tërbimi i popullit.

U desh një përpjekje e vetëdijshme që të pastrohej helmi i militarizmit. Një përpjekje, të cilën shumë rusë thjesht nuk ishin të gatshëm ta bënin edhe nëse e pranonin problemin. Dhe ata nuk e bënë. Tani Ukraina ka hapur një vrimë të madhe në narrativën ruse të “madhështisë” së saj. Rusia është e varfër, e korruptuar dhe autoritare, dhe tani e dimë gjithashtu se është e dobët dhe patetike. “Madhështia” e Rusisë është shembur për shkak të një numri të madh vrasjesh dhe përdhunimesh të civilëve të shkaktuara nga pushtuesit brutalë rusë në Ukrainë.

I njollosur me gjakut e të pafajshmëve dhe i mposhtur nga një përballje e ndershme në fushën e betejës, “ariu” rus është zvogëluar në madhësi. Ishte vetëm çështje kohe që kjo të ndodhte. Faleminderit, Ukrainë, që ia dhe këtë ilaç të hidhur. Rusia kishte shumë nevojë për të.

Rusia ka nevojë të poshtërohet si mos më keq. Ajo ka nevojë të njohë më përulësi statusin e saj të zvogëluar në arenën ndërkombëtare, të pranojë fajin për këtë luftë, dhe të nisë një përpjekje të ngadaltë e të mundimshme për të rindërtuar besimin ndaj atyre që u ka bërë keq.

Rusia nuk e mësoi këtë mësim në vitet 1990. Ajo duhet ta mësojë tani. Madhështia e vërtetë nuk qëndron tek paradat e tmerrshme ushtarake, dhe as tek premtimet për shkaktimin e një Apokalipsi bërthamor. Madhështia e vërtetë qëndron në pranimin e së kaluarës dhe gatishmërinë për të ndryshuar.

Ajo qëndron tek angazhimi për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, në një vend që mund të bëhet i njohur për shkollat ​​dhe spitalet, dhe jo për tanket dhe raketat e tij. Burimi i vërtetë i poshtërimit të Rusisë, ka qenë gjithmonë vetë Rusia. Sundimtarët e saj arrogantë dhe autokratë, si dhe popullata shoviniste që i adhuron në mënyrë skllavërore.

Humbja e Rusisë në këtë luftë të padrejtë kriminale kundër Ukrainës, mund të ndihmojë në zhvendosjen e narrativës së brendshme në Rusi, drejt pranimit të vendit ashtu siç është në të vërtetë, në vend të asaj që ka pretenduar më kot se është. Vetëm atëherë Rusia, mund të jetë më në fund në paqe me veten dhe me fqinjët e saj.

Sergey Radchenko, profesor në Qendrën Kisinger në Shkollën e Studimeve Ndërkombëtare të Avancuara, “Universiteti Xhon Hopkins”, Uashington.

Burimi: The Spectator

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Paralajmërimi i ligjvënësit më të lartë të Rusisë

“‘Gjeni rubla’ nëse doni naftë, drithëra ose metale nga ne!”