MENU
klinika

Editoriali i The Guardian

Një ditë BE do ta bëjë Orban-in të japë llogari!

25.05.2022 - 09:00

Vitet e fundit, teksa Viktor Orbán ka konsoliduar kontrollin e tij mbi trupin politik të Hungarisë, ai ka fituar simpati në të djathtën republikane të Amerikës.

Ky status u konfirmua javën e kaluar kur konservatorët e SHBA organizuan një konferencë të posaçme në Budapest, në qendër të së cilës ishte një fjalim i kryeministrit të sapozgjedhur. Duke folur për temën e konferencës “Zoti, atdheu, familja”, i vetëquajturi mbrojtës i “demokracisë joliberale” nuk u përmbajt. Delegatëve iu tha se “burokratët e trajnuar ideologjikisht” në Uashington dhe Bruksel – në grup me liberalët progresivë dhe “neo-marksistët” – po kërkonin të minonin vlerat tradicionale perëndimore.

Orbán më pas përshkroi strategjinë e ndërmarrë në Hungari për të çrrënjosur këtë kërcënim. “Pika e parë në formulën hungareze,” tha ai, “është të luajmë sipas rregullave tona.”

Në këtë frymë, Hungaria e Orbán ka shpërfillur normat demokratike të anëtarësimit në Bashkimin Evropian për vite me radhë.

Për çështjet që lidhen me korrupsionin, pavarësinë e medias, azilin dhe të drejtat e LGBTQ+, Budapesti ka injoruar kategorikisht kundërshtimet e BE-së ndaj veprimeve të saj.

Orbán ka nisur një luftë kulturore kundër Brukselit, edhe pse Hungaria mori ndihmë rajonale të BE-së me vlerë miliarda paund.

Çfarë mund të bëjë Brukseli për këtë?

Deri më tani, megjithë një mori manovrash ligjore, përgjigja për këtë pyetje nuk ka qenë shumë.

Në vitin 2018, Parlamenti Evropian votoi për të ndjekur masa disiplinore kundër Hungarisë sipas nenit 7 të traktatit të BE-së, i cili është krijuar për të mbrojtur vlerat themelore të unionit. Por pavarësisht një seance në Bruksel mbi këtë temë të hënën, çështjet kanë ecur me ritmin e kërmillit.

Muajin e kaluar, Komisioni Evropian akuzoi Hungarinë për “shkelje të vazhdueshme” të rregullave kundër korrupsionit, duke nisur një proces formal që mund të çojë në ndërprerjen e fondeve. Por megjithëse masa u miratua nga eurodeputetët, ky ka të ngjarë të jetë një procec shumë i zgjatur.

Lufta në Ukrainë tani i ka komplikuar gjërat, duke i dhënë Orban një mjet të ri në dispozicion teksa BE-ja kërkon të duket e bashkuar kundër Vladimir Putinit.

Hungaria është i vetmi shtet anëtar që refuzon të nënshkruajë një ndalim të importit të naftës ruse, pavarësisht koncesioneve që e lejojnë atë deri në vitin 2024 të sigurojë alternativa. Çdo marrëveshje eventuale ka të ngjarë të ketë një çmim të lartë financiarisht, në aspektin e ndihmës dhe politikisht.

Siç tha ministri i jashtëm i Lituanisë javën e kaluar, “i gjithë bashkimi po mbahet peng nga një shtet anëtar”.

Tani për tani, teksa BE-ja kërkon të bashkohet përballë kërcënimeve urgjente gjeopolitike, mund t’i duhet të durojë përpjekjet e Orbán për ta minuar atë nga brenda.

Por, me siguri një udhëheqës që i përbuz rregullat e tij – dhe vlerat, do të duhet të japë llogari një ditë. Teorikisht, procesi i nenit 7 mund të çojë në pezullimin e të drejtave të votimit të Hungarisë në BE.

Por me siguri, nuk ka aspak “oreks” në Bruksel për të ndjekur atë rrugë, duke pasur parasysh rrethanat aktuale.

Por t’i bashkohesh një klubi do të thotë të luash sipas rregullave të tij, dhe jo sipas rregullave të tua. Herët a vonë, duhet të ketë pasoja për Hungarinë që nuk e ka bërë këtë.

Burimi: The Guardian

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga drama e migracionit te kriza ekonomike

Çfarë e pret Evropën në vitin 2022?