Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi se 200 raste të lisë së majmunëve të gjetura javët e fundit jashtë vendeve ku virusi qarkullon zakonisht mund të jenë vetëm fillimi.
“Ne nuk e dimë nëse po shohim vetëm majën e ajsbergut [ose] nëse ka shumë raste të tjera që janë të pazbuluara në komunitete,” pranoi Sylvie Briand, shefja e përgatitjes dhe parandalimit për epideminë dhe pandeminë e OBSH-së, të premten në një konferencë.
Që kur Mbretëria e Bashkuar raportoi për herë të parë një rast të konfirmuar të lisë së majmunit më 7 maj, afro 200 raste janë raportuar në OBSH në vende larg shteteve ku virusi është endemik. Ministria e Shëndetësisë në Spanjë tha të premten se 98 raste ishin konfirmuar atje deri më tani, ndërsa Mbretëria e Bashkuar numëron aktualisht 90 infeksione të verifikuara. Portugalia ndërkohë ka regjistruar 74 raste të konfirmuara.
“Ne jemi ende në fillimin e kësaj ngjarjeje,” u tha Briand përfaqësuesve që morën pjesë në Asamblenë Botërore të Shëndetit në Gjenevë. “Ne e dimë se do të kemi më shumë raste në ditët në vijim”, tha ajo, por theksoi se nuk ka nevojë për panik. “Kjo nuk është një sëmundje për të cilën duhet të shqetësohet publiku i gjerë. Nuk është Covid apo sëmundje të tjera që përhapen shpejt.”
Lija e majmunitt nuk është e rëndë si sëmundje dhe ka një raport fataliteti prej 3-6%. Shumica e njerëzve shërohen brenda tre deri në katër javëve. Simptomat fillestare përfshijnë temperaturë të lartë, nyje limfatike të fryra dhe skuqje të ngjashme me linë e dhenve.
Briand tha se ekspertët po përpiqen të përcaktojnë se çfarë e kishte nxitur këtë “situatë të pazakontë”. Ajo tha se hetimet paraprake nuk tregonin se virusi që shkakton linë e majmunëit kishte ndryshuar ose pësuar mutacion.