Vetëm pak orë më parë, artisti brazilian Pedro Leoplodom ka akuzuar këngëtaren shqiptare, Ronela Hajati, duke theksuar se ajo i ka kopjuar veshjen.
“Kanë përdorur dizajnimin tim pa leje, dhe nuk më dhanë credits (meritat)”, shkroi artisti teksa publikoi një foto të Ronelës me këtë veshje dhe një tjetër që tregonte krijimin e tij.
Mirëpo, i shpejtë ka qenë edhe reagimi i stilistit të njohur, Niko Komani.
Ai ka dy fjalë lidhur me veshjen që stiloi për Ronela Hajatin, me të cilën mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Eurovision Song Contest që u mbajt të dielën.
Stilisti shqiptar ka publikuar një “story” në Instagram, ku bën me dije se tashmë ekipi është duke komunikuar me artistin Pedro Leoplodom.
“Gjithçka ndodh për një arsye! Ekipi ynë është në komunikim me Pedro Leoplodom dhe gjithçka është nën kontroll! Faleminderit.”, ka shkruar Komani krahas postimit në Instagram.
Kujtojmë që Ronela Hajati do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision me këngën “Sekret”. Kënga e saj është shoqëruar me komente pozitive por edhe mjaft kritika për tekstin por edhe për performancën e këngëtares.
Madje, pak ditë më parë, Ronela reagoi ndaj komenteve negative.
“Më mungon studioja ime, të bëj muzikë, koncertet, fansat. Kam punuar në çdo detaj për 5 muaj dhe njerëzit janë ende të pakënaqur nga unë. Kjo është ajo që mund të bëj, më vjen keq. Le të përfundojë sa më shpejt. Fikini televizorët kur të performojë këtë m*t performance sepse do ta harroni më shpejt!”– shkroi ajo në postim.