Nga Eduart Zaloshnja
Gara me Ibsenin dihej që nuk do të përbënte fare problem për Berishën – ishte praktikisht e sigurt që ai do të merrte pothuaj 100% të votave të atyre që do të shkonin për të votuar në zgjedhjet e organizuara nga Komisioni i Rithemelimit.
Problemi afatgjatë i Berishës mbetet që t’u mbushë mendjen sa më shumë shqiptarëve se, siç premton ai, statusi i personit non-grata do t’i anulohet, pasi Trump (apo një beniamin i tij) të shkojë në Shtëpinë e Bardhë më 21 janar 2025. Sa më shumë shqiptarë të thjeshtë ta besojnë këtë gjë, aq më të shumtë do të jenë ata që do të votojnë për rikthimin e tij në pushtet në pranverën e 2025-ës.
Sidoqoftë, Berisha do të mundohet pa pushim në vitet në vazhdim që t’i bindë votuesit opozitarë se statusi i tij non-grata do të anulohet pas ardhjes së Trump (apo një beniamini të tij) në pushtet.
Por në javët në vazhdim, Berisha do të përballet me një problem shumë të mprehtë afatshkurtër – Gjykatën e Apelit, ku do të vendoset nëse kryetar zyrtar i PD-së do të jetë ai apo Alibeaj. Dhe për këtë problem, nuk e ndihmon dot as ish-ambasadori Grenell e as kongresmeni Zeldin…
Në qoftë se Gjykata e Apelit rrëzon vendimin e gjykatësit Zhukri (të shkallës së parë), Alibeajt i rikthehet vula dhe firma zyrtare si kryetar në detyrë i PD-së. Dhe një vendim i tillë do të kishte pasoja të mëdha në zgjedhjet lokale që po trokasin tek porta.
Si kryetar në detyrë i PD-së, Alibeaj do t’i njihej e drejta e kontrollit të llogarive bankare të PD-së, e drejta e marrjes së fondeve të fushatës elektorale (në përpjesëtim me votat që mori PD në zgjedhjet e 25 prillit 2021), e drejta e komisionerëve të PD-së në të gjitha komisionet zgjedhore, e mbi të gjitha, e drejta e paraqitjes së kandidatëve për kryebashkiakë me logon e PD-së.
Nga ana tjetër, Berishës do t’i duhej të garonte përsëri me logon e Shtëpisë së Lirisë së LSI-së (si më 6 mars), por kësaj rradhe edhe me shumë kandidtë të propozuar nga LSI-ja (jo si më 6 mars, që ishin të gjithë kandidatë të Berishës). Dhe Shtëpia e Lirisë nuk mund të ketë më shumë se një komisioner në secilin nga 5200 komisionet zgjedhore…
Përveç problemeve të mësipërme procedurale, një vendim kundër Berishës në Gjykatën e Apelit krijon edhe kokëçarje të mëdha elektorale. Paraqitja e kandidatëve të Alibejat në garat e 61 bashkive do ta përçante sadopak sinorin elektoral opozitar (secili nga kandidatët ka njohje dhe ndikim lokal). Dhe në kushtet kur mazhoranca (PS-PSD) ka patur deri më sot epërsi elektorale në shumicën dërrmuese të zonave të vendit (përjashto Shqipërinë e Veriut), çdo përçarje e vogël e elektoratit opozitar mund të bëhet shkak që kandidatët e PS-së të përfitojnë…