MENU
klinika

Çmimi “kacafiu”

Pronarët e fabrikës vjedhin grurin e fermerëve në Fier

06.05.2022 - 11:37

Banorët e gjashtë fshatrave në Fier kanë humbur bukën e tyre të një viti. Pronarët e një fabrike buke në fshatin Verri të Fierit, pasi u kanë marrë të gjithë prodhimin vjetor të grurit fermerëve, janë larguar pa asnjë gjurmë, duke i lënë të gjithë pa bukë.

Sipas banorëve të dëmtuar, mësohet se tek kjo fabrikë buke, pronare e të cilës mësohet të jetë shtetasja Elsa Sota, kishin çuar grurin fermerët e 6 fshatrave: Kallm, Kallm i Vogël, Kallm i madh, Verri, Vajkan dhe Ardenicë.

Sasia e grurit e çuar në këtë fabrikë mielli, mbulonte nevojat vjetore të të gjithë banorëve me bukë. Shumë prej tyre kishin  çuar tek kjo fabrike, 5-6-7 kuintal grurë.

“Ajo iku, s’na ka dhënë shpjegime. Një punëtor na tha do mbyllet, pronarja iku. Ku të ankohemi? Nuk kemi ku të vemi. E kam dokumentin për dorëzimin e grupit. Tani bleva miell prapë. Ç’të bëjmë”, thotë një fermer.

Vjedhja ka ndodhur ndërkohë, që çmimi i grurit është rritur ndjeshëm si pasojë e krizës ekonomike.