MENU
klinika

Zgjedhja e Presidentit

PS: Nuk e kuptojmë tërheqjen e opozitës, ne i qendrojmë marrëveshjes

22.05.2022 - 18:04

Ndërsa procesi për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit po shkon drejt raundit të dytë, kreu i grupit parlamentar i partisë socialiste Taulant Balla i ka bërë thirrje opozitës që të propozojë emrat për kreun e shtetit.

Në një deklaratë nga Fieri, Balla tha se PS e respekton marrëveshjen që deri në raundin e tretë, emri të vijë si propozim i opozitës. Ky apel vjen në kohën kur Enkelejd Alibeaj e quajti të prishur paktin e bërë me shumicën.

Konstatoj me keqardhje që nga ana e opozitës nuk ka një qasje për të marë përgjegjësinë për të propozuar zyrtarisht kandidatura. Nuk e kuptoj pse PD si grupi më i madh në Kuvend u tërhoq nga një proces për të sjell kandidatura. Do të ishte jo produktive që të digjnim edhe raundin e dytë për zgjedhjen e presidentit. Ne e respektojmë marrëveshjen që kemi rënë dakord me grupin parlamentar të PD dhe grupet e tjera që dy raundet janë raunde që i takojnë propozimit për kandidat për president nga opozita. – tha Balla.

Por socialistët janë të vendosur të ecin përpara me procesin, nëse opozita refuzon të dërgojë emra.

Nëse opozita dhe në raundin e tretë opozita nuk vendos që të marë pjesë në proces, natyrshëm që në raundin e 4 do të zgjidhet Presidenti apo Presidentja e re e Republikës.- tha kreu i Grupit Parlamentar të PS.

Balla ishte në Fier në një takim me socialistët, të cilët janë në fazën e përzgjedhjes së drejtuesve të rinj në 61 bashkitë e vendit.