MENU
klinika

Emri i mbretit

Pse, ambasadori amerikan ishte për variantin “Zog”?

23.05.2022 - 11:05

       Nga: Aurenc Bebja*, Francë

“The Chicago Tribune” ka botuar, të mërkurën e 17 prillit 1929, në faqen n°2, rrëfimin e ambasadorit amerikan asokohe në Shqipëri në lidhje me mënyrën se si duhej thirrur mbreti Zog dhe me rëndësinë e prezencës së amerikanëve në mbretërinë shqiptare, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:


Monarku shqiptar, për disa mund të quhet Zogu, por ai preferon ta thërrasin Zog – duket më dinjitoz

Mbreti Zogu i Shqipërisë, nuk është më Mbreti Zogu. Tani e tutje, ai është Mbreti Zog dhe z. Charles C. Hart, i dërguar i jashtëzakonshëm dhe ministër Fuqiplotë në Mbretërinë Ballkanike, thotë se e gjithë bota ende e thërret Zogun, me emrin e gabuar.

“Ai ka qenë Mbreti Zogu”, shpjegoi zoti Hart, i cili mbërriti në Paris, ditën e djeshme me Leviathan, për një gazetar të Tribunës, “por një emër kaq i zakonshëm, nuk i shkonte më kur u bë monark. Zog, nga ana tjetër, është i dalluar dhe mjaft i pazakontë. Shtypi i Evropës dhe i Shteteve të Bashkuara e merr parasysh me dashamirësi.”

Zoti Hart është kthyer jashtë shtetit pas dy muajsh pushime në vendlindje dhe është nisur drejt Tiranës, për të rifilluar detyrën si ministër i SHBA-së.

“Natyrisht që ju do të thoni me vete, se çfarë nevoje ka për një të dërguar amerikan, në një vend të jashtëzakonshëm si Shqipëria,” tha zoti Hart, duke parashikuar një pyetje të qartë. “Jua them unë. Shkollat amerikane, metodat amerikane të biznesit dhe përparimi amerikan, janë rend i ditës në vendin e vogël të Mbretit Zog. Shumë shqiptarë të emigruar në Shtetet e Bashkuara, janë kthyer për të vazhduar biznesin në atdhe. Në fakt, në Tiranë gjeni një komunitet të lulëzuar shqiptaro-amerikan”.

Punë magjepsëse

Kërkimet e mëtejshme nxorën faktin se shqiptarët, nuk i harrojnë kurrë familjet. “Ka raste të regjistruara,” tha zoti Hart, “ku të rinjtë shqiptarë janë kthyer nga Amerika, për t’u martuar me vajzat me të cilat, ishin fejuar në foshnjëri dhe nuk i kanë parë kurrë. Të tjerë kthehen për të marrë nënat, baballarët, motrat apo vëllezërit e tyre. Shumë të tjerë, kalojnë disa vite në Amerikë dhe më pas, kthehen përgjithmonë në atdhe.”

Zoti Hart thotë se është “ndoshta, i vetmi njeri në shërbimin diplomatik të SHBA-së, që mund të gëzojë një post në Shqipëri. Një punë e tillë, ka më shumë interes, emocione dhe përgjithësisht aspekte shumëngjyrëshe, se pothuajse çdo profesion tjetër në botë. Për gjashtëmbëdhjetë vjet, isha kryefjala e gazetave dhe kur kjo u zbeh, u sigurova që të zgjidhja diçka për të cilën, mund të mbahesha mend.”

Së shpejti, ai do të niset nga Parisi për në Tiranë, i shoqëruar nga zonja Hart.

 

*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale