MENU
klinika

Analiza

Sa larg mund të shkojë Erdogan me kundërshtimin e tij?

26.05.2022 - 17:37

Pas disadekadash neutraliteti, dy shtetet nordike që deri më sot kanë mbetur jashtë Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, kanë reaguar ndaj pushtimit rus të Ukrainës duke deklaruar synimin për t’u bashkuar me aleancën e udhëhequr nga Amerika.

Por ka një pengesë të madhe në rrugën e tyre: Turqia.

Presidenti gjithnjë e më autokratik dhe antidemokratik i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se nuk është dakord me hyrjen e këtyre dy vendeve. Dhe si një anëtare e NATO-s, miratimi i Turqisë nevojitet që Finlanda dhe Suedia të anëtarësohen.

Erdogan është i vetëm mes liderëve të NATO-s  që ka deklaruar publikisht se është kundër bashkimit të dy vendeve në aleancë.

Kundërshtimi i presidentit turk bazohet në pikëpamjen e tij se Finlanda dhe Suedia mbështesin “terroristët”.

Ajo që do të thotë Erdogan është se të dy vendet u kanë dhënë mbrojtje dhe vendbanim anëtarëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK. Gjendja e vështirë e kurdëve të vendit, pjesë e një grupi etnik të madh, por pa shtetësi në rajon, ka qenë prej kohësh një mollë sherri midis Turqisë dhe pjesëve të komunitetit ndërkombëtar.

Pavarësisht se PKK-ja është konsideruar nga SHBA-ja dhe BE-ja si një grup terrorist, Finlanda dhe Suedia kanë hezituar të ekstradojnë anëtarë të grupit në Turqi .

Erdogan është përgjigjur duke e quajtur Suedinë një “strehë” për terrorizmin dhe duke pretenduar se asnjë vend nuk ka “një qëndrim të qartë dhe të hapur” ndaj organizatave terroriste, duke shtuar: “Si mund t’u besojmë atyre?”

Sikur të mos mjaftonte kjo, europianët veriorë neutralë dënuan inkursionin e Turqisë në Siri në vitin 2019.

Në atë operacion, turqit shënjestruan Rojava – një enklavë autonome kurde socialiste, feministe pranë kufirit turk.

Duke e ndërlikuar çështjen, sirianët e Rojava ishin – pavarësisht lidhjeve të tyre me PKK-në – aleatë të forcave amerikane.

Kurdët e Rojava luajtën një rol vendimtar në mposhtjen e grupit të Shtetit Islamik në Siri, por më vonë u braktisën nga administrata Trump, e cila tërhoqi trupat amerikane nga kufiri turk, duke lejuar aleatin e saj të NATO-s të nisë një operacion ushtarak kundër kurdëve.

Politika e jashtme është pothuajse gjithmonë e lidhur ngushtë me shqetësimet e brendshme.

Në rastin e qeverisë së Turqisë, një frikë e madhe është kërcënimi për kontrollin e saj mbi pushtetin që vjen nga kurdët – dhe presioni ndërkombëtar.

Popullsisë kurde të Turqisë nuk u lejohen zgjedhje të lira në rajonin lindor të Anadollit, ku shumica prej tyre janë. Ndërkohë, institucionet arsimore dhe kulturore në gjuhën kurde përballen me një ndalim de facto.

Finlanda dhe Suedia janë vende neutrale që nuk respektojnë kompromiset strategjike që Shtetet e Bashkuara dhe NATO janë të detyruara të bëjnë për të mbajtur të bashkuar aleancën.

Të dy vendet deri më sot kanë qenë të lira të mbajnë një qëndrim moral për qëndrimin e Turqisë për të drejtat kurde dhe kanë protestuar zyrtarisht kundër represioneve të disidentëve, akademikëve, gazetarëve dhe grupeve minoritare.

 

Pra, si ndikon kjo tek kërkesa e Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO?

Rregullat për hyrjen në aleancën strategjike kërkojnë unanimitet të anëtarëve aktualë të NATO-s.

Si e tillë, Turqia mund të vërë në mënyrë efektive veton ndaj hyrjes së Finlandës dhe Suedisë.

Ndalimi nxjerr në pah një problem themelor me të cilin po përballet aleanca.

NATO supozohet të jetë një aleancë e vendeve demokratike. Megjithatë, disa nga anëtarët e saj – veçanërisht Turqia dhe Hungaria – janë larguar në mënyrë të qëndrueshme nga demokracia liberale drejt autoritarizmit populist etnonacional.

Finlanda dhe Suedia, nga ana tjetër, i përmbushin parametrat e anëtarësimit në NATO më shumë se disa nga anëtarët aktualë të aleancës. Teksa Shtetet e Bashkuara shpallin se lufta në Ukrainë është një luftë midis demokracisë dhe autokracisë, kundërshtimi i Turqisë ndaj nordikëve, të cilët kanë protestuar për tërheqjen e saj drejt joliberalizmit, po testojnë unitetin dhe koherencën ideologjike të NATO-s.

Burimi: The Conversation

Përktheu dhe përshtati: Konica.al