MENU
klinika

“Rama e Kurti të flasin hapur për bashkimin e dy vendeve”

Qosja: Koha e Berishës për poste politike ka ikur

28.05.2022 - 11:42

Rexhep Qosja flet në një intervistë për gazetën Dita, për Edi Ramën, Albin Kurtin dhe shtetin e privatizuar; për të lodhurin Sali dhe rolin unik të SHBA-ve në fatin historik të shqiptarëve…

Dekadat e fundit e kanë faktorizuar kombin shqiptar në Ballkan si kurrë, ndonjëherë, më parë. Aktualisht kemi dy shtete shqiptare, kemi tre kryeministra shqiptarë dhe tre kryetarë parlamentesh gjithashtu shqiptarë. Mendoni se jemi edhe më pranë zgjidhjes së çështjes sonë kombëtare?

-Fundi i shekullit njëzet, i shënuar prej dhunës, terrorit dhe përpjekjeve të shtetit serb për ta pastruar etnikisht Kosovën prej shqiptarëve, që na solli shumë sakrifica, shumë viktima, shumë dhembje, në të vërtetë e filloi ndryshimin e fatit historik të shqiptarëve. Dhe, ky ndryshim i fatit tonë historik vazhdoi, duke u përforcuar, duke u bërë proces historik, në shekullin njëzet e një.

Edhe më tutje jemi popull i ndarë, në disa shtete fqinje, ashtu siç na kanë ndarë këta fqinjë me Rusinë dhe Fuqitë e Mëdha evropiane të asaj kohe pas Kongresit të Berlinit në vitin 1878, mandej në Konferencën e Londrës në vitin 1913 dhe në Konferencën Paqes në Paris në vitet 1919-1920.

Kontribut të madh, të jashtëzakonshëm, këtij ndryshimi të fatit tonë historik i është dhënë me luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me mirëkuptimin, me përkrahjen, me ndihmën vendimtare, me rëndësi historike, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Fryt i këtij ndryshimi të fatit tonë historik është sot shteti i dytë shqiptar, Kosova e lirë, e pavarur e më vete si dhe gjendja shoqërore e politike ku më pak e ku më dukshëm më e përmirësuar se përpara e shqiptarëve në Maqedoni, në Mal të Zi, në Turqi, në Itali, në Luginë të Preshevës.

Popull shumë i shpërfillur gjatë, shumë gjatë, sot i kemi dy shtete. Popull gjatë i shpërfillur sot jemi popull me tre kryeministra në tri shtete dhe me tre kryetarë të kuvendeve shtetërore në tri shtete. Popull gjatë i shpërfillur dhe i penguar për zhvillimin e ndërtimin sot jemi popull gjithnjë e më i afirmuar, gjithnjë e më i ngritur e gjithnjë e më i zhvilluar.

Është e kuptueshme, prandaj, se sot jemi më të çmuar, më të nderuar se ndonjëherë përpara jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë, edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe në Botë në përgjithësi.

Me keqardhje duhet të thuhet se këtë nderim tonin të sotëm të shtuar në Botë po e cenojnë disa sjellje të disa bashkatdhetarëve tanë në diasporë dhe të disa bashkatdhetarëve tanë në dy shtetet tona!

Për këtë arsye është shumë i nevojshëm bashkëpunimi ynë me diasporat tona kudo janë. Dhe, bashkëpunimi shkencor i planifikuar i dy shteteve tona. Për këtë arsye është shumë i nevojshëm funksionimi institucional ligjor, ligjor, i drejtë, i parimshëm, demokratik, me përgjegjësi etike, i dy shteteve tona.

Për këtë arsye është shumë e nevojshme që dy shtetet tona t’i parandalojnë me politikë, me ligje, me institucionet përkatëse gjithë ato të këqija, ato padrejtësi, ato korrupsione, ato nepotizma, ato personalizime të institucioneve shtetërore e politike, ato privatizime të shtetit prej klaneve politike e shtetërore.

Vetëm ashtu, vetëm me këtë shërim të shtetit, vetëm me këtë pastrim të shtetit, vetëm me këtë shëndoshje të shtetit nga të këqijat që po na krijojnë pamje të keqe në Botë ne mund të përfitojmë përkrahjen e asaj Bote për qëllimet tona, për Idealin tonë.

Gjendja e çështjes shqiptare sot është larg më e mirë, më e pranueshme se ndonjëherë më parë. Por, çështja shqiptare nuk mund të quhet e zgjidhur, historikisht e zgjidhur. Jo.
Çështjen shqiptare do të mund ta quajmë historikisht të zgjidhur vetëm kur të bashkohen Kosova dhe Shqipëria në një shtet të përbashkët, trajtën kushtetutare juridike të të cilit do ta caktojnë bashkërisht me referendum apo me plebishit.

– Çfarë duhet të bëjnë më mirë se deri më sot qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës për çështjen tonë kombëtare?

Nuk ka dyshim se politikanët kryesorë shqiptarë, kryetarët e dy shteteve, kryeministrat e dy shteteve, kryetarët e kuvendeve të dy shteteve dhe ministrat e punëve të jashtme të dy shteteve mund të bëjnë më shumë se çka po bëjnë sot për çështjen tonë kombëtare.

Dy kryeministrat e tashëm, ai i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ai i Kosovës, Albin Kurti, kanë sjellë ide të reja, sjellje të reja, veprime të reja, mendime të reja, në politikën e tyre shtetërore, kur e kur edhe në politikën ndaj çështjes kombëtare të pazgjidhur historikisht. Ata e kanë ngritur nivelin dhe dinjitetin e politikës sonë në përgjithësi.

Posaçërisht i dukshëm është kontributi i Albin Kurtit ndaj çështjes kombëtare. Këtë që në krye të herës e ka dëshmuar edhe emri i Lëvizjes së tij: Vetëvendosje.

Por, dy kryeministrat tanë mund të bëjnë edhe më shumë për këtë çështje. Ata duhet të dinë se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Bashkimin Evropian ekzistojnë intelektualë, studiues shkencorë, publicistë, që e kuptojnë dhe e përkrahin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Ata duhet të jenë të bindur se mbas pranimit të Shqipërisë e të Kosovës në Bashkimin Evropian do të fillojnë të mendojnë zyrtarët e atij Bashkimit se edhe për vetë Evropën do të jetë më e kuptueshme, më e arsyeshme, më e drejtë që në atë Bashkim të mos jenë dy shtete shqiptare –Shqipëria dhe Kosova, por të jetë një shtet shqiptar: shteti i Shqipërisë dhe i Kosovës – të bashkuar.

Qoftë edhe për këtë arsye ata, pa ngurrime, pa drojën e sotme mos po i shqetësojnë kolegët evropianë, ata, duhet t’ua shqiptojnë atyre idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë si zgjidhje e çështjes kombëtare shqiptare, që është në interesin edhe të vetë Bashkimit Evropian.

Dhe bashkë me kryetarët, kryetarët e kuvendeve dhe ministrat e Jashtëm të dy shteteve tona duhet të jenë ata që do të kërkojnë dhe do të arrijnë që në Kushtetutën e Shqipërisë dhe në Kushtetutën e Kosovës të futet paragrafi në të cilin do të shënohet se Shqipëria dëshiron të bashkohet me Kosovën dhe se Kosova dëshiron të bashkohet me Shqipërinë.

Dhe, për këtë dëshirë të tyre do të vendosë populli i Shqipërisë dhe populli i Kosovës në Referendum.
Dhe, për këtë dëshirë të tyre ata, udhëheqësit shqiptarë, do të bëjnë përpjekje politike për përkrahjen e zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

– Kur bisedoj me ju, Profesor, e kam të pamundur ta shmang politikën, pavarësisht se ju mund të ndjeni bezdi. Por ngaqë e di shumë mirë se ju jeni mjaft i angazhuar dhe si rrallëkush tjetër i keni thënë mendimet tuaja për politikën publikisht dhe lexuesit tanë janë shumë të interesuar të dinë mendimin tuaj, prandaj nuk rri dot pa ju bërë pyetjen : Si i shikoni zhvillimet në Shqipëri vitin e fundit?

-Disa nga zhvillimet politike në Shqipëri (dhe në Kosovë) sot më zgjojnë mendime të ndryshme, më përkujtojnë kohë të shkuara, më përkujtojnë vende të ndryshme në kohë të ndryshme, më nxisin t’i bëj vetes pyetje të ndryshme, që më shkaktojnë më pak qetësime e shumë më tepër shqetësime dhe dyshime të ndryshme.

Uni im i heshtur i thotë unit tim publik: a nuk po sheh se demokracia, të cilën aq shumë e kemi dëshiruar, i madh e i vogël, i pasur e i varfër, i shkolluar dhe i pa shkollë, u ka dhënë mundësi dobësive tona, të vjetra e të reja, që të shfaqen, që të tregohen, që të shumëzohen, që të ashpërsohen!

Demokracia jonë pa kulturën e demokracisë po kurorëzohet kështu me ligësitë tona!

Këtë e kanë provuar dikur edhe të tjerë, por, megjithatë, jo në këtë masën dhe shpeshtësinë tonë. Shkrimtari i madh francez, Adre Zhid, e ka thënë dikur: Lirinë më lehtë e fitojmë se ç’dimë ta shfrytëzojmë si duhet. Qoftë edhe me një përqendrim të paktë do të mund të shohim se sa shumë i keqpërdorim sot shtetin, lirinë dhe demokracinë.

E shteti, liria dhe demokracia jonë janë bërë fjalët më të shpeshta të gojës sonë, me të cilat duam të mburremi para të tjerëve, sidomos para evropianëve dhe para amerikanëve.
Cilat janë ato të këqija të ndryshme, të shumëllojshme, të cilat i prodhon keqpërdorimi i shtetit, i lirisë, dhe i demokracisë, por të cilat s’duam t’i shohim!

Të gjitha të këqijat që po na mundojnë sot janë bërë të mundshme në demokracinë tonë sepse një varg zyrtarësh të niveleve të ndryshme e kanë keqkuptuar më së pari Shtetin, sepse e kanë keqkuptuar dhe keqtrajtuar Shtetin!

Shteti për ta është bërë vetëm sundim, pushtet sundues, kurse ata që marrin pjesë në të, aty ku janë kryetarë, zëvendëskryetarë, drejtorë, zëvendësdrejtorë e sekretarë, janë bërë sundimtarë të plotfuqishëm.
Duke e kuptuar ashtu shtetin, si sundim të ushtruar prej sundimtarëve e jo siç e kupton Bota moderne Perëndimore, si servis, si shërbyes, të qytetarëve, në demokracinë tonë shteti është privatizuar.

Privatizimi i shtetit, Shteti i privatizuar, është çështje e përhershme në politikën tonë, në shtetësinë tonë. Në historinë tonë, pothuaj në vazhdimësi, shteti ishte i privatizuar prej pushtetarëve, prej sundimtarëve, por njëkohësisht ishte i privatizuar edhe prej të tjerëve, prej bashkëpunëtorëve të tyre, zyrtarëve të tyre të niveleve të ndryshme kudo ishin të punësuar këta.

Dhe, kështu shteti i privatizuar, privatizimi i shtetit, është bërë perceptim, është bërë politikë, është bërë ideologji e përgjithshme, të themi gjithëpopullore. Kryetarët dhe drejtorët dhe shefat dhe sekretarët e të gjitha organizimeve institucionale, politike, ekonomike, shëndetësore, shoqërore, kulturore, shkencore, shtetërore janë sjellë dhe vazhdojnë të sillen si të ishte shteti, servisi i qytetarëve në Botën e sotme me qytetërim dhe kulturë demokratike, organizatë, institucion, bashkësi, parti, pronë e tyre private, nga baba e babagjyshi!

Dhe, kjo sot po ndodh në institucionet, organizatat, bashkësitë, partitë më të vogla, pa ndonjë prestigj politik shoqëror, kulturor, shëndetësor, ekonomik, shkencor më të lartë.
Prej të dhënave që do të jap do të shihet se çka krejt i sjellin Shqipërisë e Kosovës privatizimet e tilla të shtetit në ato organizata shtetërore të niveleve të ndryshme, çka krejt i sjell Shqipërisë e Kosovës privatizimi i përgjithshëm, “gjithëpopullor” i të gjitha niveleve shtetërore, politike, shoqërore, ekonomike, kulturore, shkencore, shëndetësore.

Nuk është e çuditshme, prandaj, pse në shtetin e privatizuar prej të tillëve demokracia kuptohet vetëm si teknologji pushtetore, si proces zgjedhor. Qëllimet demokratike, veprimet demokratike, sjelljet demokratike – të gjitha janë përbërës të atij procesi zgjedhor, pra vetëm përbërës të asaj teknologjie “demokratike” të zgjedhjeve!

Demokracia jonë është e privuar ashtu prej përmbajtjes themelore, më të rëndësishme të demokracisë: prej domethënies së saj si marrëdhënie mes njerëzve, si marrëdhënie humaniste, e njerëzishme, mes njerëzve.

Demokracia është marrëdhënie, humane, e njerëzishme mes njerëzve, mes qytetarëve ose nuk është demokraci.

Në shtetin e privatizuar, në demokracinë e rrëgjuar në proces zgjedhor, idealistët e djeshëm bëhen mitëmarrës, ryshfetmarrës, të pandalshëm të sotëm. Në shtetin e privatizuar, në demokracinë e rrëgjuar në proces zgjedhor, predikuesit e djeshëm të barazisë, bëhen heronj të korrupsionit ekonomik, financiar dhe intelektual, siç ka ndodhur qe 14 vjet në shtetin tonë privat!

Në shtetin e privatizuar që nuk pranon të jetë çka duhet të jetë: servis, shërbyes i qytetarit, i popullit, marrëdhënie e njerëzishme mes qytetarëve, e drejta dhe drejtësia janë për të përkushtuarit e sundimtarëve e jo për të gjithë! Në shtetin e privatizuar, në demokracinë e privuar prej domethënies së saj si marrëdhënie humane mes njerëzve, me dinjitet të barabartë, leverditë, lëndore e politike, punësimet ekzistojnë kryesisht për familjarët, për bashkëpartiakët, për të përkushtuarit ndaj sundimtarëve.

Për të gjitha këto arsye në shtetin e privatizuar, me gjyqësi të korruptuar, në demokracinë e rrëgjuar në proces zgjedhor, është e mundshme të jetë aq i madh sa po shohim se është numri i vrasjeve hakmarrëse, gjakmarrëse, numri i fatkeqësive në komunikacion që shkaktojnë përdoruesit e drogës dhe të alkoolit, numri i krimeve familjare, numri i grave të hedhura prej kateve të larta, numri i grave dhe vajzave të dhunuara dhe të përdhunuara dhe numri i të vrarëve e i të vrarave prej individëve, që do të duhej të veçoheshin në institucionet përkatëse për shëndetin e tyre të sëmurë mendor.

Në shtetin e privatizuar me Demokraci të pa kulturë demokratike, në Demokraci të rrëgjuar në proces zgjedhor të quajtur demokratik, Shteti, pushteti, sundimi shfrytëzohen ashtu për përfitime personale, familjare, partiake, miqësore.

Në shtetin ashtu të privatizuar, përpos të këqijave të sipërpërmendura, vjedhja, zhvatja, plaçkitja, gënjeshtra, mashtrimi, poshtërimi, abuzimi, nderi i shpallur horrllëk, horrllëku i shpallur nder – të gjitha këto janë bërë mjete të pëlqyera të qenies më të mirë, të përparimit, të përfitimit, të shquarjes.
Në shtetin e tillë me Demokraci e me Liri të tillë e pësojnë shumë sidomos historia e popullit dhe historitë e letërsisë e të arteve të tjera.

Në kushtet e tilla e Vogla shpallet e madhe, kurse e Madhja e vogël! E Drejta shpallet e padrejtë, kurse e Padrejta e drejtë! E Mira shpallet e keqe, kurse e Keqja shpallet e mirë! E Larta shpallet e ulët, kurse e Ulëta e lartë! E Vërteta shpallet mashtrim, kurse Mashtrimi e vërtetë!

Suksesi shpallet dështim, kurse Dështimi sukses! Përparimi shpallet prapambetje, kurse Prapambetja përparim! Qartësia shpallet Verbëri, kurse Verbëria qartësi! Anakronizmi shpallet modernitet, kurse Moderniteti anakronizëm!

Rrogëtaria, servilizmi ndaj Shtetit, pushtetit e Politikës shpallet disidencë, kurse pavarësia e mendimit shpallet Tradhti. E kështu me radhë e pa radhë.

– Dhe, si pyetje të fundit nuk durohem pa ju pyetur: Si e shihni përpjekjen për rikthimin e Sali Berishës jo vetëm në krye të Partisë Demokratike, por edhe në pushtet, megjithëse ai është shpallur prej një viti non grata familjarisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Ish kryeministri i Shqipërisë, ish kryetari i Shqipërisë, ish bashkëkrijuesi dhe udhëheqësi shumë shumëvjeçar i Partisë së rëndësishme politike të Shqipërisë, Partisë Demokratike, i dorëhequr dikur, në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur, prej politikës, po bën çmos tani, në moshën e shkuar, i lodhur, për t’u rikthyer në politikë edhe pse koha e tij për poste politike është e shkuar .

Tash e një vit, prejse Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e shpalli Persona non grata, Sali Berisha po zhvillon një veprimtari të vazhdueshme e të shumëllojshme politike.

Është bërë protagonist i mbledhjeve të shpeshta me ithtarët e kahershëm të Partisë që kishte krijuar vetë shpejt pas rënies së komunizmit, i Partisë Demokratike, i tubimeve të bashkëpartiakëve e qytetarëve të tjerë të interesuar të dinë se çka mendon dhe dëshiron ai tani, i të ashtuquajturave Foltore, i tubimeve të studentëve e të rinjve të tjerë, i konferencave me mediat, i debateve politike më së shpeshti televizive, i intervistave të ndryshme në medie jo vetëm të Shqipërisë, e i paraqitjeve të tjera.

Në këto paraqitje, përpos shpjegimeve të pikëpamjeve të tij politike, ai bën përpjekje të mohojë të dhënat për korrupsionin dhe cenimin e parimeve demokratike kur ishte në postet e kryeministrit e të kryetarit të Shqipërisë në bazë të të cilave ishte shpallur person i padëshiruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nuk do të dijë ish kryetari dhe ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, se ai qëndrim i shqiptuar prej Sekretarit amerikan të Shtetit është qëndrim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe është mirë, i pëlqeu a nuk i pëlqeu, të nderohet.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shteti fjalët e të cilit, vendimet e të cilit kanë ndikim, kanë jehonë dhe nderohen në gjithë Botën. Ato e kanë pasuruar këtë Botë me demokracinë e tyre, me Kulturën e tyre, me Qytetërimin e tyre, me Drejtësinë e tyre, me Shkencat dhe Artet e tyre.

Për të gjitha këto vlera të SHBA-së ne, shqiptarët, duhet të jemi të vetëdijshëm. Dhe, duhet të jemi të vetëdijshëm sepse Ato, Shtet e Bashkuara të Amerikës, kanë luajtur rolin më të madh në përcaktimin e fatit historik të shqiptarëve.

Nuk mund të mos shprehet keqardhje e veçantë prandaj pse ish kryetari i Shqipërisë dhe ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, po i lejon vetes të bëjë lojë e betejë politike në Shqipëri dhe juridike në Francë kundër Shtetit mik historik të shqiptarëve – Shteteve të Bashkuara të Amerikës., që bashkë më UÇK-në ia sollën Kosovës lirinë dhe pavarësinë, betejë politike e juridike kundër Shtetit shpëtimtar – Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që e shpëtuan Kosovën shqiptare prej pastrimit të përgjithshëm etnik, prej gjenocidit që do ta realizonte në tërësi Serbia e Sllobodan Millosheviqit po të mos ishin Ato – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më 23 maj të këtij viti Sali Berisha u rizgjodh kryetar i Partisë (së përçarë) Demokratike. M’u kujtuan dhe s’më vjen mirë që me atë rast m’u kujtuan: kryengritja tragjike e vitit 1997, Gërdeci, 21 janari, furnizimi i Malit të Zi me naftën nga Shqipëria me të cilën naftë Mali i Zi e furnizonte Serbinë të vënë në bllokadë ekonomike nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për shkak se në luftërat e saj në Bosnjë e Hercegovinë, në Kosovë e më parë në Kroaci po bënte krime lufte, krime kundër njerëzimit e në Bosnjë e Kosovë edhe gjenocide! DITA

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN