MENU
klinika

"SiViaggia": E magjishme, Vlora!

Qytetet më të bukura bregdetare në Evropë: mos i humbisni!

26.05.2022 - 17:25

          Cadiz, Spanjë

Deti është një mrekulli përgjatë gjithë vitit, atëherë përse të mos i vizitoni qytetet bregdetare? Sot po ju zbulojmë disa nga qytetet më emocionuese në Evropë. Le ta fillojmë me qytetin Cadiz në Spanjë, një mrekulli e vendosur në një kep me pamje nga oqeani Atlantik. Është i mirënjohur për portin e tij të bukur, ndërsa muzetë e shumtë, monumentet dhe qendra historike e rrethuar nga deti nuk duhet humbur kurrsesi pa u vizituar.

Vlora, ​​plot mrekulli

E magjishme edhe Vlora e Shqipërisë. Mjaft të mendosh, se është ndër të paktat qytete në Ballkan, ku të rastis të gjesh ulur në një tavolinë një ulema (mysliman) dhe një prift të krishterë, duke pirë kafe së bashku. Nuk duhen humbur lagjet historike mbi det, pasi i rëndësishëm është biodiversiteti i pasur tokësor dhe detar, pa harruar trashëgiminë e jashtëzakonshme artistike-arkeologjike./Konica.al

Flensburgo, i vogël, por i hirshëm

Flensburgo në Gjermani, një qytet i vogël, por magjepsës, që krenohet me portin mikpritës dhe shtëpitë me fasada të stilit skandinav. Në fund të fundit, kufiri danez është vetëm disa kilometra larg.

Varna, “Perla e Detit të Zi”

Po aq interesante është edhe Varna në Bullgari, e cila njihet si “Perla e Detit të Zi”. Ta vizitosh, do të thotë të humbasësh në një qendër historike shumëngjyrëshe, mes rrënojave të lashta romake, muzeumeve, kishave, plazheve të bardha dhe pamjeve mahnitëse.

Faro, mjedis paqësor dhe bukuri tradicionale

S’mund të lëmë pa përmendur Faron në Portugali, ku vlen të theksohet mjedisi paqësor dhe bukuria tradicionale. Një qytet që e magjeps vizitorin falë përzierjes së natyrës së paprishur dhe historisë së lashtë. Një portë e vërtetë për në Algarve, një parajsë që duhet zbuluar me ritëm të ngadaltë.

Palanga, me shëtitore të bukura

Po aq e bukur mbetet edhe Palanga në Lituani, e cila, edhe pse e vogël, ofron shumë gjëra për të parë dhe pika me rëndësi të konsiderueshme, si p.sh., ura e lartë që ju lejon të bëni shëtitje të gjata, duke admiruar detin e mrekullueshëm Balltik.

Spliti, origjina e lashtësisë

Vijojmë me Splitin në Kroaci, një qytet që falë atmosferës së gjallë tipike mesdhetare dhe vijës bregdetare me ujëra të kristalta arrin t’i befasojë turistët. Sharmi i origjinës së lashtësisë dallohet në çdo cep.

Toulon, në një nga portet më të bukura në Evropë

Touloni i Francës ia vlen të vizitohet për shumë arsye, përfshi faktin se ndodhet në një nga portet më të bukura në Evropë. Veçanërisht piktoresk është qyteti i tij i vjetër, i pajisur me një trashëgimi të pasur arkitekturore.

Shën Juliani, vërtet i veçantë

Shën Juliani në Maltë është vërtet shumë i bukur, një qytet ndryshe nga të tjerët në ishull. Iu mjafton të dini, se përbëhet nga “lagje” krejt të ndryshme dhe të gjitha me bukuri të shumta për t’u zbuluar.

Chania, Venecia e Lindjes

Së fundmi, Chania në ishullin e Kretës në Greqi, e quajtur ndryshe Venecia e Lindjes. Në këtë qytet mund të gjeni dëshmi të qytetërimeve të ndryshme, që kanë pasuar njëri-tjetrin gjatë shekujve./Konica.al

 

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çfarë është arti?

”A ka gjini Arti?”

Regjisorja kalabreze kujton gjyshen...

”Arbëria” vjen në gjuhën origjinale