MENU
klinika

"Corriere della Sera"

Reportazhi i 107 vjetëve më parë, për Vlorën. Fraccaroli: Pse Italia e lakmonte aq fort!

23.05.2022 - 12:47

         Portreti i Vlorës 1915

Nga ARNALDO FRACCAROLI

“La Lettura”, 1915

Pothuajse të gjitha qytetet me dimrin e tyre kanë stinën e madhe të spektakleve teatrale. Vlora, përkundrazi, në dimër ka stinën e ngjarjeve të mëdha. Çdo gjë interesante dhe e rëndësishme që ka ndodhur në Vlorë, ka ndodhur në dimër. Duket se ngjarjet e rëndësishme “mblidhen” në gji para se të hyjnë në qytet. Dëgjon të thuhet:

– Në çfarë stine jemi?

– Në vjeshtë.

– Nuk ka asgjë të re, mbetet për të riparë.

Dhe ja tek e rishohim. Rishohim dimrin, me rregullsi. Shembulli i fundit – dhe ky përbën ngjarjen shtytëse për të ardhur në Vlorë – është zbarkimi i pushtimit italian. Pa dashur për të shkuar te e kaluara e afërt, gjithçka ishte thuajse si në zbarkimin e majit 1913. Por atëherë ishte pranverë, pra, vetëm kaq.

Do të na duhej mandej që të shkojmë te fundi i tetorit 1914, teksa në ujërat e Vlorës do të mbërrijë një divizion i posaçëm naval me grupe për operacione tokësore dhe me material për t’u shkarkuar. Vjeshtë e prapë asgjë. Erdhi më në fund edhe dimri, dimri i bukur i Krishtlindjeve dhe marinarët e bersalierët e Italisë pushtuan Vlorën. Oh!…

Dimri tjetër, tashmâ thuajse një histori, është ai i ngjarjes më të madhe të shkuar: ëshë ai i vitit 1912. Njëzetetë nëntori i këtij viti që proklamoi këtu pavarësinë shqiptare, dhe mbi një shtizë të vilës së Xhemil bej Vlorës u vendos menjëherë, teksa shkëlqeu në qiellin gri, flamuri i Skenderbeut, Kastriotit, heroi kombëtar: flamur i kuq me shqiponjën e zezë.

Pavarësia e Shqipërisë u proklamua në rrethana shumë të çuditshme. Kishte shpërthyer në të gjithë shtetet ballkanike lufta e parë kundër Turqisë dhe provincat shqiptare ishin sulmuar prej turqve, prej serbëve, prej malazezëve, prej grekëve.

Vlora qëndronte ende pa miq të rinj: kishte mbetur turke. Por turqit ishin duke ikur tashmâ, dhe Vlora mendonte të bëhej shqiptare. Të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit luftonin, shqiptarët jo. Ishte pra, rasti që shqiptarët të përfitonin, siç thonë ballkanasit.

Greqia ishte ajo që po sakrifikonte më pak se të gjithë, por që po përfitonte më shumë se të gjithë të tjerët. Bullgaria plot zemërim kishte luftuar dhe fituar në gjithë këte luftë kundër Turqisë; dhe ishte ajo që kishte përcaktuar fitoren, por që kishte përfituar më pak se të gjithë.

Ndoshta ngaqë kërkonte të fitonte shumë – e vërtetë kjo – por po aq e vërtetë ishte se kishte përfituar shumë pak. Shqipëria nuk kishte marrë pjesë thuajse aspak: ishte logjika – logjika ballkanike – që edhe kështu të mund të rrëmbente një përfitim. Dhe përfitonte pavarësinë, natyrisht për çastin.

Pavarësi e çuditshme vërtet, që lindte si në një kafaz. Gjithë Shqipëria ishte e sulmuar: Vlora e vetmja oazë e qetë.

Por e ndarë prej botës: e rrethuar mbrenda vetes nga ushtritë e katër kombeve, e bllokuar nga deti prej anijeve greke. Anijet kryqëzoheshin për të ndalë kontrabandën që mund të favorizonte ushtrinë turke të Vardarit që po luftonte në Shqipëri. Por, përkundrazi, midis anijeve të këtij blloku rrëshqet dhe kalon përpara e fshehur, një “kontrabandë” krejt e veçantë: pavarësia shqiptare…

Sapo kanë kaluar dy vjet, dhe ëndërra e këtij mëngjesi gri të nëntorit – (po a vërtet dijnë të ëndërrojnë shqiptarët?) – një ëndërr e gjitha e rrënuar, edhe falë saj fantazia mvesh flamurin kuq e zi.

Ngatërresë e pangopur e Ismail Kemal Beut, kumbari i refuzuar i proklamimit të kësaj farë pavarësie, orekse të pangishme shqiptarësh të mëdhej e të vegjël, rivalitete pashallarësh e beglerësh, ambicje të shfrenuara, korrupsion i pandalshëm në zhbirime zvarritjesh të huaja, truke, përfitime të paligjshme, pafajsina diplomatike dhe pazotësi kolosale parimesh, rebelimesh, lufte civile, trazirash dhe pesë ndërrime qeverish!

Ku don të shkojë të gjuajë kësisoji, me të gjitha mënyrat e këtij repertori shqiptar, e mjera pavarësi shqiptare e braktisur? Dhe ja: Shqipëria jugore përsëri në flake. Dhe menjëherë italianët në Vlorë. Eshtë koha për të gjitha këto.

Tash, qytetet e bregut dhe të mbrendësisë e urrejnë qetësinë e përtërirë të veprimeve nën hije, siguruar prej flamurit tonë, dhe ndokush pyet nëse mund ta zgjerojë këte hije. Jo, nuk don, të paktën për çastin.

Dhe Vlora mbushet me frymë. Vlora është përherë një qytet i etheve, jo vetëm i etheve malarike, që reziston në kënetat e saj, por mbi të gjitha, i etheve të një lemerie. Në çdo trazirë të re të mbrendshme, në çdo reaksion, mbërrin menjëherë kërcënimi:

“Të revoltuarit marshojnë mbi Vlorë!”

Kësisoji, njerëzit armatosen – pra, marrin një armë, duke gjetur edhe një revolver tjetër, madje dy a tre që i mbajnë normalisht në brez – dhe vrapojnë për te malet, për te Vjosa, për të mbrojtur qytetin prej sulmit. Mandej kërcënimi ngadalësohet dhe njerëzit heqin nga brezi dy a tri prej revoleve të shumta që kanë. Periudhë qetësie? Me ke e ke? Mbërrin thjesht kërcënimi i ri, armatimi tjetër i posaçëm, sulmi tjetër për te malet ose për te Vjosa bionde! Një jetë qensh!

Unë kujtoj jetën e Vlorës në këto dy vjet, duke i parë dhe i përjetuar njëmbasnjë ngjarjet që reklamonin këtë “të dërguar të posaçëm”, i cili çdo mëngjez, duke u zgjuar në Milano ose në xhiro rreth botës, mbas një vështrimi të shpejtë e të shqetësuar të të gjitha faqeve të gazetës. për të lexuar se rastësisht në Vlorë ose në Durrës ose në Shkodër apo në Krujë, mbrenda në Krujë, përgatitej diçka e madhe. “Ahime! Mû për këto, “Corriere” më dërgon në Shqipëri”.

Por në këte mënyrë ke përparësinë për ta njohur jetën e Shqipërisë dhe të Vlorës në momente historike, ose pothuajse. Nuk është një jetë fort e gëzuar, megjithatë jo aq komode; mbi të gjitha nuk kishte qenë në ato kohë që sapo kishin kaluar. Nuk është një jetë e gëzueshme as tani, edhe pse jetohet më mirë, e paksa edhe nën atmosferën tonë që na rrethonte. E, mandej edhe me praninë e ushtarëve ajo është gjithnjë e më e mirë!…

Vlora si qytet nuk është e bukur. Madje po të mos kisha frikë se mos po fyej gjithë miqtë e mi të mirë, të cilët kanë shkruar me entusiazëm, kisha me thënë se në të vërtetë është e shëmtuar.

E parë nga lart prej maleve aty të afërt, me ujin e mrekullueshëm të gjirit të këndshëm, e mbyllur dhe e ruajtur nga Acroceraunni i zymtë, me shumë shtëpi të bashkuara rreth minareve, midis të blertës metalike të ullijve, me të zgjaturat e errta të kishës greke dhe të varrit të Kus Baba-s, mbi bregoren tejet të blertë dhe rrënojat e kështjellës veneciane mbi Kaninë, që sikur duan të sfidojnë qiellin, papritmas Vlora ka një pamje të bukur piktoreske. Dhe fotografitë, në të vërtetë fiksojnë një pamje mjaft të pëlqyeshme. Por nuk duhet të rrêhesh fort.

Vlora është si ato zonjat jo të tmerrshme, të cilat kur i sheh në fotografi të duken si krijesa të shndritshme. Fotografia është si një kompliment, e realizuar për të të përkëdhelur. E parë nga afër, Vlora duket diçka krejt tjetër.

Qyteti ka rreth 6000 banorë, por duke e vështruar nga lart, të duket sa më e madhe, po aq edhe më e vogël; më e madhe sepse grupet e shtëpive të mbyllura si në një legen, në të cilin fshihet Vlora, janë të shumta ose janë të zgjatura; por të duket më e vogël ngaqë kur vëren këto shtëpi, ashtu të ulta e të ngushta, sikur nis e bindesh se këtu nuk mund të banojnë gjashtë mijë njerëz.

Por në të vërtetë ata kaq janë: dhe kanë prapë vende për të tjerë. Vlora në të vërtetë ka gjithnjë nja njëmijë ose dymijë të ardhur nga aty afër, të cilët në momente shpërbërjeje gjejnë një banim se ku me fjetë, sepse të flesh në rrugë është krejt e pamundur. Rrugët janë të vështira.

Gurë, vrima, gracka, rrëshqitje dheu, kanale befasues. Në një muaj qëndrimi në Vlorë do të përjetosh befasina ogurzeza. Besoj se më parë se sa të aventurosh duke shkuar në male, mund të shohësh se drerët e reptilët vijnë këtu për të ushtruar kursin e vozitjes. Kjo kur është koha e mirë. Kur bie shi – dhe bie shpesh – teksa mbas shiut rrugët bëhen lumej balte, të lind mendimi të dalësh duke marrë me vete varkën.

Po a keni pi ndonjëherë kafe turke? Dijeni mirë: është si një qull misri në të cilën një lugë çaji mbytet ngadalë si në një akullore që po shkrihet. Kështu pra: rrugët e Vlorës me shi janë po e njëjta gjë, me ndryshimin se në vend që të mbytet (fundoset) luga e çajit, mbyteni ju. E megjithatë e parapëlqej kafen turke.

***

Qyteti ka përsosmërisht pamjen e qyteteve levantine. Shtëpitë janë të ulta, disi si të rrumbullakosura, shumë të vjetra, shpesh me zakonin për të mos i suvatuar, e kështu, edhe shtëpitë e sapondërtuara duken të vjetra – në rrugicat e pazarit apo në sheshet e tregtisë dhe në sheshin e madh të Xhamisë, dyqanet janë të gjithë për tokë, në rrugë, pa dyer, një hapësirë që zgjerohet nga të gjitha anët. Në dy rrugët drejt konakut dhe drejt maleve tregtia ushtrohet thjesht në rrugë.

Mbi një thes apo një shtresë të vogël, duken gjithë ato sende: këpucë me lidhëse të përshkuara si në ato të hekurta në një gondola, bukë, cigare, kapuçe fëmijësh, lëkura kafshësh të sapohequra, ëmbëlsira të lëngëta, veshje të vjetra – e, kësisoji mbrapa kësaj “magazine” shumë rudimentale, shitësi i mbështetur për mur, qetësisht i durueshëm, prêt blerësin. Po a vjen blerësi? Aq më mirë. Nuk vjen? Durim: do të vijë.

Një veçori e Vlorës është rrjedha e turmës. Në rrugë dhe sheshe ka gjithnjë shumë njerëz: fisnikë e tregtarë të veshur si europianë, por edhe me mbajtjen jo fort të shtuar të fesit – jo shumë pra, sepse ortodoksit mbajnë kapele, ndërsa shqiptarët tradicionalë mbajnë “kapicën” që është një lloj berete prej pëlhure me strehë; mandej vijnë njerëzit e thjeshtë me kostum kombëtar, me një lloj xhileti pa mëngë mbi këmishën e bardhë që iu zbret deri në gjunj, me pantallona të gjerë e me këpucë të sajuara.

Ndërkaq, janë xhandarët që ende kanë uniformat e turqve, të cilët janë përshtatur me qeverinë e Wied-it, mandej priftërit ortodoksë me mjekër dhe funde nën një pallto të zezë, jo përherë e pastër; e aty këtu ndonjë prift katolik që ecën shpejt, si dhe besimtarë bektashi të cilët janë myslimanë disidentë, po dhe gra e fëmijë të popullit, apo ndonjë grup zonjash myslimane me veshje mëndafshi dhe fytyrat e mbuluara, si dhe me një çadër gjithnjë të hapur për t’u mbrojtur nga dielli dhe nga vështrimet “hetuese” të të paedukuarve…

Dhe në mes të kësaj turme, here mbas here shfaqen kalimtarë të tjerë, rradhë gomarësh të ngarkuar me plaçka që kërkojnë rrugën e tyre, duke afruar fytyrat e tyre për t’iu folur njerëzve. Ndonjë kapo i mbrendshëm kalon shumë i qetë mes tyre, i ruajtur prej dy shërbëtorëve gjigandë që e ndjekin thuajse me hap luftëtarësh.

E për pak harrova një gjë të vogël, por të veçantë: të gjithë njerëzit janë të armatosur: edhe kur shkojnë për të bërë Pazar ose për të pirë kafe, më e pakta kanë një revolver në xhep ose një revolver tjetër. Si dhe një palë kamxhik në rrip.

Disa të tjerë spikasin me koloritin e tyre, madje teksa ecin rreth e rrotull me një pushkë. Përse? Për dashakeqësi? Jo. Për zakon, sepse kështu veprohet pra: gjithkush armatoset, sepse armatosen edhe të tjerët, dhe jo sepse dikush mendon që për mbrojtje vetjake të jenë të armatosur të gjithë, atëherë kjo pak a shumë është sikur të gjithë të jenë të paarmatosur.

Por po përpiqem t’ua spjegoj, dhe shihni se çka ngjet! Një nga problemet më të lehtë do të jetë kur t’i bindësh shqiptarët për t’i çarmatosur. Dhe pa çarmatosje nuk do të jetë e mundur të kesh një Shqipëri maturisht të qetë. Shqiptarët e Vlorës, pak më tepër se sa ata të qyteteve të tjerë të Shqipërisë, kanë një lloj dobësie: duan të diskutojnë.

Qysh kur Europa ka filluar me u marrë me ta e me vendin e tyre me kaq fort interes, shqiptarët janë të bindur se duhet llogaritur tejet ekuilibri europian, dhe lëshohen pa frê në politikë. Në asnjë vend të botës nuk bëhet kaq shumë politikë sa në Shqipëri: është pikërisht për këte, që punët e vendit shkojnë keq Mjedisi i mbledhjeve janë kafenetë.

Dhe janë jashtëzakonisht shumë: të ulta, të errta, të tymosura. Dhe të gjitha me plot njerëz, përreth tryezave grupegrupe, të cilat po kështu i gjen në çdo orë të ditës. Janë shumë aty, të palëvizshëm dhe nuk punojnë aspak. Ndonëse “populli i mirë” shqiptar punon… Ndërkaq, shqiptarët e evoluar diskutojnë. Për shumë prej tyre mund të pyesish:

– Çfarë bëjnë?

– Asgjë.

– Dha prapë janë të pasur?

– Jo. – Po si jetojnë.

– Ku ta dish!

Dhe “ku ta dish” është një rrênë e vogël. Sepse dihet fort mirë se me çka jetojnë. Jetojnë me ate për të cilën flasin: për politikë. Këtu politika zë shumë vend; në problemet e vendit, si dhe për ato jashtë tij. Turqia kishte bërë shumë stërvitje për ushtruesit e mbrendshëm, kombet ballkanike i kanë zgjeruar shumë hapësirat për restorante, ashtu si dhe “hapësirat” për çantat e parave. Ka shumë qytetarë të shquar e bejlerë si dhe ndonjë pasha, të cilët jetojnë pikërisht me to; madje jetojnë si zotni të mëdhej.

Shembujt mbërrijnë që nga lart. Ujku i vjetër, Ismail Kemal Beu, i cili ka shpallë pavarësinë e Shqipërisë, që kryesoi qeverinë e parë shqiptare, që udhëtoi në kryeqytete të Europës me mision ministerial – gjëja e parë që realizoi ishte formimi i një Këshilli të Ministrave, ndonëse nuk kishte asgjë se çka me ministrue – teksa mblidhte ndere e shumë gjëra të tjera. Kështu sepse Ismail Beu në këte mënyrë ka një famë të vjetër si njeri që di të mbështetet mbi bazamentin e mirënjohjes.

Ky kryetar i Bashkimit Liberal të Kostantinopolit që ishte deputet i Vlorës me mbështetjen e grekëve, ishte një prej organizatorëve të grushtit të shtetit të 13 prillit 1909, që si një përpjekje revolucionare ia arriti ta institucionalizonte popullin e tij tek të gjithë: te Turqia, Greqia, Italia, Austria. Dhe mandej matja e pulsit, çka për te nënkuptonte një operacion për të cilin mjekët e dikurshëm përdornin rregullisht një pincë e një legen.

Mandej Kemal Beu rrahte trotuaret e bulevardit të Vjenës, mbasi kishte hulumtuar gjatë një qëndrimi jo të paktë në Romë, siç kanë bërë të vegjëlit Romuli e Remo për të thithur qumshtin e Ulkonjës. Po tashmâ, në Shqipëri ai nuk kishte asnjë mbështetës.

***

Jeta e sotme në Vlorë nuk mund të krahasohet as me atë të dy vjetëve të para nja një viti e gjysmë. Kisha ardhur dhe nuk po dija se sa do të qëndroja.

Në të vërtetë kishte disa hotele të vegjël që ende ishin dhe që modestisht thirreshin “Paradiso” apo “Neo Cosmos”. Por “Paradiso” paraqiste posaçërisht “paradison” (parajsën) e një faune të vogël, sepse dhomat me krevate – me nja pesë a gjashtë jestekë – të dukeshin si kopshte të vegjël zoologjike.

Dhe “Neo Cosmos” ishte me të vërtetë një botë e re, sepse këtu mund të gjeje gjëra që nuk i ke pa kurrë, dhe që të shkaktonin dhimbje kreje serioze. Herën e parë që kisha ndejtur në Vlorë, mbas një ikje të shpejtë prej hoteleve, unë u fsheha në shkollat italiane për të qëndruar në klasën e tretë, të pjesës së femrave.

Kolegë të tjerë gazetarë që erdhën mbas pak ndoqën po këtë shembull ngaqë ishte koha e pushimeve shkollore dhe me lejen e konsullit të Italisë, shkolla qe pushtuar. Gjatë natës midis bankave dhe dërrasës së zezë dhe hartave gjeografike, ëndërroje veç zhgënjime, çka megjithate ishte një kënaqësi.

Dhe për të hangër ndërsa nuk po funksiononte tryeza e mikpritjes e konsullit, atëherë kavalieri Defacendis, na bashkoi në një kooperativë: harxhohej shumë, por hahej keq.

Ndërsa tash, përkundrazi, kishte një hotel të mirë italian, pikërisht në vilën e Xhemil Beut ku kishte lindur qeveria e parë e përkohshme, dhe këtu ndjeheshe mirë, si në çdo hotel të qyteteve të Italisë.

Në këte kohë, mbas zbarkimit tonë, ajo është e mbushur me zyrtarë dhe aty ndodhen të gjithë autoritetet kushtetuese: konsulli Lori gjithnjë i ekuilibruar dhe buzagaz, gjithnjë duke pritur pjatat e vonuara, kapiteni Castoldi, me mustaqet e tij prej perandori në fytyrën e tij shprehëse, i cili ka udhëtuar në gjithë Shqipërinë e i cili njeh të gjithë vendet dhe popujt teksa flet të gjitha gjuhët ballkanike; togeri i anijes, Perricone, i cili funksionon aktivisht si kryetar bashkie; ndërkohë, që shfaqet shpesh koloneli Mosca i repartit 10 bersalier, komandant i rrugëve, e mandej nëpunësit – një italian dhe një shkodran – të së shpëtuarës Banka Kombëtare e Shqipërisë, e bashkë me ta edhe ndonjë italian tjetër, i cili dëshiron t’i ketë në varësi: jo dhe aq fort me fat.

Sepse shumë herë këta njerëz të zot që kanë vërshuar në një tokë të re mbas një pushtimi, nuk mund t’i bëjnë fort mirë atdheut. Aty janë dhe trafikantë të vegjël, të cilët shpesh dëmtojnë edhe ata të cilët dëshirojnë dhe që mund të punojnë seriozisht.

Vlora ende nuk e ka ndryshuar fizionominë e saj, teksa përgatitet për ndryshime të papritura. Ta do mendja se duhet të kemi të bëjmë me një progres normal, një përmirësim që ecën me qëndrueshmëri, por pa tejkalime violente, për t’i lënë kështu kohë këtyre njerëzve që të mund të përshtaten.

Tash për tash Vlora është gjallëruar edhe falë bersalierëve dhe marinarëve që kanë sjellë një shpeshti rinore në rrugët e saj të vjetra. Ushtarët tanë kane sjellë këtu një befasi që nuk e shpresonin: vërenim ndërkaq, se pothuajse krejt popullsia fliste italisht, ose të paktën kuptonin dhe dinin të shpjegoheshin jo pak.

Është një kujtim, është gjurma triumfuese që ka lënë Republika e San Marco-s, në të gjithë Lindjen veneciane: italishtja pra, ajo që flitet në gjithë vijën bregdetare të Adriatikut, nga Dalmacia deri në Greqi, është dialekti shumë i ëmbël i Venecias, i ngulitur këtu. Pa harruar se Vlora ëshë shumë afër Italisë! Pothuajse e gjithë tregëtia e saj bëhet me Barin dhe Brindisin.

Anijeve të postës iu duhen 6 orë për të mbërritur në Brindisi dhe ndonjë orë më shumë për të mbërritur nga Vlora në Bari. Torpedinieret mund të mbërrijnë nga njeri breg në tjetrin për tri orë: kaciotorpedinierët për dy orë.

Megjithatë, të kalosh Adriatikun gjatë këtyre muajve, një kalim pra, i shpejtë nga Italia në bregun tjetër, nuk është gjëja e zakonshme. Deti thuajse është i shkretë në vela e avullore. Ata hezitojnë të dalin në det.

Anijet udhëtojnë vetëm ditën, madje me shumë kujdes dhe ngadalë. Deti është shqetësuar prej luftës e cila pret gjahun e saj në brigjet istriane dhe përballë Bokës së Kotorrit. Në Adriatik kalojnë anije të boshatisura dhe vrojtuese të Francës e të Anglisë, të cilat deri tani nuk kanë treguar fort padurim agresiv, por që nxitojnë në drejtim të çdo tufë tymi që shfaqet prej një avulloreje, atje, larg në horizont, të çdo varke me vela që dridhet nga dallgët. Dhe natën, në këto mbrëmbje shumë të bukura janari, deti ndriçon herë mbas here prej shpërthimeve të papritura drite që hapin rrugë të gjata duke e ndriçuar errësirën.

Ato janë tejet verbuese e të ndëmbasnjishme në errësirë; synojnë paksa të ngrihen lart në ajër, mandej bijën shpejt mbi valë, lëkunden majtas e djathtas në kërkim të kundërshtarit, gjëmojnë, shpërndajnë errësirën sikur të hiqet një perde mënjanë, për të kërkuar atë që fshihet. Pejsazhe valësh lodrojnë në errësirë, të shqetësuar dhe të mpirë nga inati prej kësaj rrezeje violente që mbërrin për të të prishur gjumin.

Mandej zona e ndriçuar mënjanohet, rrotullohet, zbehet dhe deti rikthehet në errësirë, teksa nuk ndjehet më frymëmarrja e tij e paanë. Janë anije të luftës në vëzhgim që përshkojnë Adriatikun duke e prishë natën me reflektorët e tyre. Po minat? Këtu lind një tjetër shpërqendrim: minat që Austria i ka lënë të shpërthejnë si një rrezik endacak, thuajse duke shkretuar Adriatikun mbas shpërthimeve shkatërruese në bregun romanjol.

Lufta i ka ndalë krejtësisht udhëtimet austriake e gjermane, duke i dhënë hapësirë lundrimit grek dhe duke e bërë më të kujdesshëm atë italian. Dhe para çdo piroskafi tonin shfaqet një vëzhgim i posaçëm: rojet e minave. Por deri asnjë alarm për të ndeshur në ndonjë minë. E edhe pse dhëmbët e saj mund të duken para se ajo të mund të kafshonte, nuk ka ndodhë asgjë e keqe.

Dhe kështu, mund shkosh e të vish çdo ditë në Vlorë. E, ndërsa në qytet riorganizohen shërbimet, administrata e xhandarmaria apo bersalierët në pika strategjike së bashku me marinarët në vendet e lungomares, në Sazan vijnë e konsolidohen qëllimet e tyre. Po e ardhmja? Shqipëria është një vend i paparashikueshëm dhe i pasigurt: përreth rajonit të Vlorës – që shkon deri në Vjosë në veri dhe deri në Epir në jug – dhe pra në gjithë Shqipërinë qendrore e veriore – rindizet flaka e një tjetër kryengritjeje, për ta rrëzuar atë qeveri të Durrësit, që ishte ringjallë prej një tjetër kryengritjeje kundër një qeveria tjetër.

Mund të mbërrijmë kështu, në komplikime të rënda nga një lëvizje në tjetrën, nga një çast në tjetrin. Të flasësh për të ardhmen e Shqipërisë me stilin e parashikimit dhe të dijes, është sa e guximshme aq dhe naïve. Shumë njerëz i fryjnë zjarrit për interesa që nuk janë tonat, që nuk na përkasin ne. Por që sidoqoftë, edhe në atë mënyrë mund të përgatitet dhe të ndihmohet e ardhmja./panorama

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Botohen vargjet e viteve '37-'38

“Poezitë e djaloshit Shaban Demiraj”


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit