MENU
klinika

Artur Ajazi

Sali, krimi dhe korrupsioni,nuk luftohet me llogje pazari

24.05.2022 - 12:49

Krimi në Shqipëri herë merr “krahë” dhe shpesh po merr goditje fatale. Në rastin më të fundit, SPAK-u, ka vepruar si një strukturë e specializuar. Ka hetuar, ka mbledhur prova, dhe ka goditur. Kështu vepron çdo strukturë hetimore dinjitoze në botë. Brënda 24 orëve, u arrestuan elementë kriminalë, pasi ishin zbërthyer në procese hetimore “të penduarit”, edhe ata me të shkuar kriminale. Krimi në Shqipëri, në fakt ka marrë përmasa të frikshme, ndaj dhe goditja e tij mbetet prioritet. Elementin kriminal, e gjejmë në periferi, në qendra qytetesh, në biznese, në zyra shteti, duke tentuar të shtrijnë influencat e tyre.

Këto tentakula duhen prerë me rreptësinë më të madhe, në rast se nuk duam që krimi të zaptojë shtetin. SPAK-u meriton mirënjohje dhe respekt, pasi edhe pse në fund të ditës po bën detyrën sipas ligjit, ajo strukturë ndodhet pothuajse çdo ditë nën presionin e politikës. Nuk ka asnjë kuptim të futesh në “hesapet” e drejtësisë, nuk ndodh në asnjë vend të botës që politika të këshillojë, madje të udhëzojë strukturën më të specializuar të hetimit ndaj krimit dhe korrupsionit, siç ndodh në Shqipëri. Personalisht nuk e përjashtoj ndikimin e politikës edhe në sistemin e drejtësisë, por në rastin e SPAK-ut, mendoj se kjo gjë nuk po ndodh.

Ajo që konstatoj mbetet lufta dhe beteja absurde ndaj SPAK-ut, e asaj pjese të politikës që nuk e di pse e quajmë akoma “opozitë”. Beteja e asaj partie të shpartalluar, e asaj force politike e rikthyer tek “xhaketa e vjetër”, është me çdo strukturë që lufton krimin, korrupsionin, me çdo ministri që investon, me çdo projekt që zbatohet dhe që zhvillon vendin, biznesin, turizmin, etj. Drejtësia e re sot, sulmet më të paprecedenta, i ka pikërisht nga opozitaristët e shpartalluar. Çdo aksion i SPAK-ut, i Policisë Shtetit dhe çdo fletë-arresti për elementët kriminalë, merr aludime absurde dhe kundërshtitë e Sali Berishës, Flamur Nokës, dhe atyre që urdhërohen të shkojnë në studio dhe portale për të hedhur baltë mbi betejën e drejtësisë me krimin dhe korrupsionin.

Dalin dhe japin leksione,se si “luftohet krimi dhe korrupsioni” ata që shkatërruan shtetin, që hapën depot e armatimit dhe municioneve, ata që ngritën bandat dhe kontrollonin kontrabandën dhe korrupsionin në dogana, porte dhe aeroporte, ata që ngritën celulat e korrupsionit në zyrat e shtetit dhe që u pasuruan në miliona euro dhe dollarë. Japin “leksione drejtësie”, ish-lideri historik i një partie që vrau në Gërdec, Bulevard, dhe që përgjaku fushatën elektorale në Elbasan.

Kjo është tallje me shtetin, ligjin, dhe strukturat e reja të drejtësisë. Japin “leksione drejtësie” ata që kishin 2 mijë lekësha në xhep kur afroheshin tek selia e Partisë Demokratike, dhe që sot njohin vetëm eurot dhe dollarët. Kjo është qesharake, e turpshme dhe kriminale. SPAK-u, duhet të mos mbyllë asnjë dosje,nuk duhet të mos mbyllë as “sy dhe veshë” tek merr informacione nga media dhe rrugët e tjera investiguese për ata që mbushën thasët me miliona euro dhe kanë të hipotekuara vila, pallate dhe resorte, por të nisë procesin hetimor. Krimin nuk mund ta luftojë një parti e shpartalluar, as edhe një grup politikanësh të korruptuar dhe zhytur në afera të pista.

Krimin nuk mund ta luftosh me llogje pazari , si të ishe duke bërë hesapin e ndonjë tenderi për të marrë 40 per qindëshin. SPAK-ut dhe ndokujt tjetër, nuk mund ti kundërvihesh duke menduar se je akoma në kohën e “xhupzinjve”, që merrnin urdhëra nga selia për të zhdëpur në dru ndonjë kundërshtar të shefit të madh. Zoti Berisha, krimin e luftojnë sot strukturat e specializuara, njerëzit e motivuar, dhe institucionet ligjore, dhe jo kontigjentet e Plepave që mbushën ministritë, gjykatat dhe prokuroritë në kohën tënde. Ajo kohë mbaroi Sali, pasi Vetting-u, i flaku jashtë rradhëve të drejtësisë, ata që mbyllnin dosjet e krimit vrasjes për 100 mijë euro, apo bënin pronar në bregdet, gardistin analfabet me 4 klasë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN