MENU
klinika

Dialogu Kosovë-Serbi/ Dy liderët takohen sërish pas 1 viti

Scholz fton Vuçiç dhe Kurtin në Berlin

02.05.2022 - 17:39

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka konfirmuar se i dërguari i posaçëm i bllokut evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, do të jetë në Berlin më 4 maj, ku do të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçic.

Paralajmërimet janë se Lajçak do të ketë edhe takim të përbashkët me dy liderët. Nëse realizohet, ky do të jetë takimi i parë mes Kurtit dhe Vuçicit që nga korriku i vitit të kaluar.

Shkuarja në Berlin e Kurtit dhe Vuçicit është paralajmëruar qysh javën e kaluar, me ftesë të kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

“Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e ka ftuar presidentin Vuçic dhe kryeministrin Kurti në vizita të posaçme bilaterale në Berlin, më 4 maj. Me ftesë të kancelarit Scholz, edhe i dërguari i posaçëm, Mirosllav Lajçak, do të jetë në Berlin më 4 maj për t’u takuar së pari me kancelarin, e pastaj edhe në një takim joformal me presidentin Vuçic dhe kryeministrin Kurti”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.
Në BE ka pasur disa përpjekje për të krijuar kushte për një takim të nivelit të lartë midis Kurtit dhe Vuçicit, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por deri më tani pa sukses.

Vetë kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se nuk do t’i ftojë liderët në një takim të tillë sa për sy e faqe, pa pasur indikacione të qarta se në takim do të arrihet përparim konkret.

Ky takim joformal në Berlin, nëse realizohet, mund të jetë një mundësi për të përmirësuar atmosferën në kuadër të dialogut dhe për ta bërë të mundur edhe ndonjë takim të nivelit të lartë në Bruksel.

Takimet e para që janë zhvilluar mes Kurtit dhe Vuçicit në Bruksel, një zyrtar i BE-së i ka cilësuar si “takime jo të lehta, jo të këndshme dhe jo me përmbajtje”.