MENU
klinika

Operacioni

Sekuestrohen drogë dhe armë në Fier, arrestohet 49-vjeçari

07.05.2022 - 09:58

Policia e Fierit ka vënë në pranga një 49-vjeçar në fshatin Cakran, pasi në banesën e tij është gjetur një sasi droge dhe armë zjarri.

Në vijim të kontrollit masiv të territorit, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas që posedonte armë zjarri e drogë, si dhe dyshohej se po përgatitej për të kultivuar bimë narkotike, Policia e Fierit ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Continuance”.

Në kuadër të operacionit, falë veprimeve të shpejta operacionale, shërbimet e Policisë kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasin Pirro Hamzaraj, 49 vjeç, banues në Cakran, Fier.

Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Pirro Hamzaraj, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri (pistoletë me mulli), një armë gjahu, municion luftarak dhe tri qese me lëndë narkotike cannabis sativa, në formë boçeje, me peshë rreth 1.3 kilogramë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.