Miliona ton drithëra nuk mund të eksportohen, lufta në Ukrainë ka pasoja masive ndaj sigurisë për ushqime në mbarë botën. Vendet e industrializuara të grupit G7 duan të lirojnë portet e bllokuara nga Rusia në Ukrainë.
25 milion ton drithëra ndodhen ndërkohë të bllokuara në portet ukrainase, kryesisht në Odesa, tha ministrja e Jashtme e Gjermanisë Annalena Baerbock në hapje të konsultimeve (12.05) triditore të ministrave të Jashtëm të G7 në Weissenhaus buzë Detit Baltik. Këto drithëra nevojiten urgjentisht, kryesisht në vendet e varfëra në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme.
Tani shtatë demokracitë më të pasura në botë nuk duhet t’i lenë në baltë këto vende.
Qëllimi i presidentit rus Vladimir Putin është që me luftën e tij sulmuese të përçajë bashkësinë ndërkombëtare. “Ne si G7 do t’i kundërvihemi kësaj”, tha Baerbock. Ne po konsultohemi bashkarisht, se si të zhbllokojmë bllokadën e drithërave të krijuar prej Rusisë dhe të mund të dërgojmë në botë drithërat ukrainase, tha Baerbock.
Ukraina është ndër furnizueset më të rëndësishme të drithërave në mbarë botën.
Sipas shifrave të Organizatës së OKB-së për Ushqimin më 2021 Ukraina zinte vendin e tretë si eksportuese e elbit dhe vendin e pestë për eksportin e grurit.
BE do të lehtësojë transportin përmes rrugëve tokësore
Pak përpara deklaratës së Baerbock, Komisioni i BE-së tërhoqi vëmendjen për një situatë të rrezikshme. Drithërat rrezikojnë bllokimin e depove që nevojiten për të korrat e ardhëshme.
Ukraina për shkak të porteve të bllokuara nga Rusia në Detin e Zi ndërkohë nuk mund të eksportojë më si më parë. Për këtë arsye Komisioni i BE-së do të lehtësojë tani transportin përmes rrugëve tokësore dhe hekurudhave.
Gjermania aktualisht drejton presidencën e radhës në grupin G7. Anëtarë të këtij grupi janë SHBA, Kanadaja, Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Japonia. Ministrat e Jashtëm të këtyre vendeve Baerbock i ka ftuar në kështjellën Weissenhaus në landin e Shlesvig-Holstainit.
Gjatë konsultimeve që do të vazhdojnë deri të shtunën (14.05) në fokus është kryesisht lufta.
Putin pret të korra rekord
Rusia, sipas presidentit Vladimir Putin, sivjet pret të korra rekord të grurit. Në një mbledhje të qeverisë ai deklaroi njëkoëhësisht, se do të rriten eksportet: “Sipas vlerësimit të specialistëve – këto natyrisht janë vetëm vlerësime të përkohshme – të korrat e grurit mund të arrijnë deri në 130 milion ton, ndër to 87 milion ton grurë.” Sipas Putinit ky do të ishte një rekord për grurin.
Rusia është ndër prodhuesit më të mëdhenj të drithërave në mbarë botën dhe luan një rol të rëndësishëm për ushqimin në botë.
DW