Nga Spartak Ngjela
Ajo që i ndodhi Saliut në këtë kongres, i cili e la atë pa forcë politike, ka ndodhur edhe në ndeshjen e dy boksierëve profesionistë në vitet shtatëdhjetë. Saliun e hodhën nokaut 35 deputetët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Kurse boksierin…
I.
Boksieri Xhon kishte dhjetë vjet që e kishte lënë boksin.
Por, kur e pa me vëmendje kampionin e boksit të peshës së rëndë, Xheksin, Xhoni u bind se ai ishte nën nivelin e formës së tij.
Dhe i kërkon ndeshje kampionit.
Xheksi u habit, po ia plotësoi kërkesën.
Ndeshja do të zhvillohej në datën 30 prill të vitit 1975.
Stadiumi në atë ditë ishte plot.
Do të ndesheshin kampioni aktual i botës me ish kampionin e botës të vitit 1965.
“Do ta mund që në raundin e parë”, tha Xhoni.
Dhe hynë në ring.
Xhoni filloi me furi. Kurse Xheksi e linte dhe nuk e godiste fort. Një pjesë shumë e vogël e stadiumit thërriste për Xhonin.
Xheksi qeshte.
Trajneri i Xheksit, pasi e pa që Xhonit, ish kampionit të botës, i kishin rënë reflekset, i tha Xheksit ta mëshironte Xhonin që të zgjatej ca loja.
Por Xheksi nuk ia zbatoi porosinë trajnerit dhe i dha një grusht Xhonit dhe e hodhi atë nokaut.
ll.
Kështu e hodhën edhe Saliun 35 deputetët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Sepse të 35 deputetët nuk pranuan as të shkelnin ligjin, as të pranonin Saliun dhe as të mos e pranonin Alibeajn si kryetar të Grupit Parlamentar të PD.
Të katër këta aspekte vijnë dhe konvergojnë në një pikë: kanë rrëzuar Saliun politikisht në funksion të Partisë Demokratike.
Por, a do të dalë sërish në ring Saliu.
Nëse nuk do të veprojë drejtësia, ai sërish do të dalë në ring për të fituar Partinë Demokratike, por sërish do të jetë në pozicionin e boksierit Xhon.
Nokauti i Saliut i para pesë ditëve, është i pakthyeshëm.
Pse.
Sepse forca e një partie demokratike janë deputetët e saj. Kurse kjo kohë tregoi që 35 deputetët, që janë shumica absolute e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë, nuk e tradhëtuan e as nuk e shkelën me këmbë popullin e tyre që i ka zgjedhur për të mbrojtur Shqipërinë dhe shqiptarët.