MENU
klinika

Ish-mesfushori holandez, tifoz i Feyenoord

Sneijder tregon hilet e Mourinhos për finalen e Tiranës

23.05.2022 - 21:57

E mbani mend Wesley Sneijder? Mesfushori holandez ishte një nga njerëzit më të besuar të Jose Mourinhos tek Inter dhe e ndihmoi portugezin në fitoren historike në Champions me zikaltrit.

Por këtë javë ai është një tifoz i Feyenoord dhe u ka treguar bashkëkombësve të tij se cilat janë hiletë që përdor portugezi, ndaj të cilit duhet të jenë të kujdesshëm në finalen e Conference League kur të përballen me Romën e tij.

“Ta them me sinqeritet, qesha kur lexova që Mourinho mendonte se ishte e padrejtë që Feyenoord kishte një javë më shumë për të përgatitur finalen në Tiranë, pasi Roma po luante ende në kampionat”, tha Sneijder për “De Telegraaf’.

“Në vitin 2017 ai ishte i inatosur që Ajax kishte 12 ditë për ndeshjen ndaj Manchester United dhe se ai mund të përgatiste ekipin e tij vetëm në 3 ditë. Është vetëm një lojë psikologjike. Ai ua bën të qartë lojtarëve të tij se sa e padrejtë është ndaj ata duhet të ndëshkojnë këtë ‘padrejtësi’”, – shpjegoi ish-mesfushori holandez.

Sipas tij, ndikimi më i madh është te gjyqtarët e ndeshjes: “Në fushën e lojës ai është në bashkëbisedim të vazhdueshëm me gjyqtarin e katërt. Ka vetëm një objektiv: që ta influencojë. Sigurisht, çdo gjyqtar do të thotë se nuk ndikohet.

Por nëse ai arrin të ndikojë qoftë edhe një situatë, atëherë mund të jetë vendimtare. Është Mourinho ai cili gjen gjithmonë diçka. Dhe ai e kupton këtë situatë shumë mirë”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN