MENU
klinika

Skenarët si ka ndodhur masakra

Sulmoi shkollën fillore duke vrarë 19 fëmijë, autori nuk u sfidua nga asnjë roje i armatosur

27.05.2022 - 09:40

Personi që ka kryer sulmin në një shkollë fillore të martën në Teksas, ka hyrë në ndërtesë pa u penguar nga askush, ka thënë policia.

Zëdhënësi i Departamentit për Siguri Publike në Teksas, Viktor Escalon, ka thënë se asnjë roje e armatosur nuk e ka sfiduar sulmuesin adoleshent dhe ende nuk dihet nëse dera e shkollës ka qenë e mbyllur me çelës.

Escalon ka mbrojtur zyrtarët policorë pas rritjes së kritikave se ata janë vonuar për t’u përballur me sulmuesin.

Mediat kanë cituar disa dëshmitarë të kenë thënë se policia ka hezituar të përballet me vrasësin brenda shkollës në Uvalde.

Escalon ka thënë se raportimet fillestare që sulmuesi ka vrarë rojën, kanë qenë të pasakta.

Ai ka thënë se zyrtarët kanë hyrë në shkollë katër minuta pas sulmuesi ka qenë aty.

“Ata nuk kanë hyrë menjëherë për shkak të plumbave”, u ka thënë Escalon gazetarëve.

Ka kaluar gati një orë para se sulmuesi të vritej, përkatësisht pas arritjes së ekipeve taktike të Patrullës Kufitare të Shteteve të Bashkuara.

Sulmuesi ka vrarë 19 nxënës dhe dy mësuese, si dhe ka plagosur të paktën 17 njerëz tjerë.

Në rrjetet sociale janë publikuar disa video në të cilat dëgjohen familjarët duke lutur policinë që të hyjë në shkollë menjëherë.

Një baba, vajza e të cilit ka vdekur në sulm, ka thënë për agjencinë e lajmeve, Associated Press, se ai e ka menduar hyrjen në shkollë, për shkak të zemërimit ndaj përgjigjes së policisë.

Një nënë i ka thënë të përditshmes Wall Street Journal se për pak kohë i janë vënë prangat, duke u akuzuar se po pengon hetimin policor, pasi ajo bashkë me disa prindër tjerë, kanë kërkuar që të hyjnë në ndërtesë.

Escalon ka thënë se gjatë kohës sa policët kanë qenë jashtë shkollës, ata kanë kërkuar më shumë përforcime dhe “kanë evakuuar nxënësit dhe mësuesit”.

Pasi ka përplasur kamionin afër shkollës, sulmuesi i armatosur ka shtënë me pushkë ndaj dy personave që kanë qenë duke dalë nga një shtëpi funerali.

I dyshuari më pas ka kapërcyer një gardh dhe ka nisur sulmet në ndërtesën e shkollës, ka thënë Escalon.

Kur i është afruar hyrjes, “ai nuk është përballur me askënd”, ka thënë zyrtari policor.

Sipas rregulloreve në qarkun Uvalde, autoritetet duhet të kenë zyrtarë që patrullojnë hyrjet, parkingjet dhe perimetrin e shkollës.

Mësuesve u thuhet që të mbajnë dyert me çelës gjatë gjithë kohës.

“Ne do të tentojmë të mësojmë sa më shumë se pse dera nuk ka qenë e mbyllur. Ndoshta edhe ka qenë e mbyllur. Por tani duket se nuk ka qenë”, ka thënë Escalon.

Kongresisti nga Teksasi, Joaquin Castro, i ka nisur një letër drejtorit të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) që agjentët të hetojnë se si i janë përgjigjur zyrtarët për zbatim të ligjit, sulmit teksa ka qenë duke ndodhur.

Zyrtarët kanë thënë se nuk e dinë ende sa plumba ka shkrepur adoleshenti gjatë sulmit, mirëpo një burim i ka thënë rrjetit CBS News se sulmuesi ka pasur 600 fishekë.

Kjo sasi është më e madhe se dyfish në krahasim me plumbat që mbajnë ushtarët amerikanë, ka thënë ky burim, duke shtuar se sulmuesi është përgatitur për një betejë të gjatë me policinë.

Hetuesit nuk kanë gjetur të dhëna që sulmuesi ka pasur histori të sëmundjeve mendore apo të kaluar të dyshimtë.

Ai ka blerë dy pushkë një javë para sulmit, pak pasi ka mbushur 18 vjet.

Presidenti amerikan, Joe Biden dhe Zonja e Parë do të vizitojnë Uvalden të dielën, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.

Në shumë rajone të SHBA-së, studentët kanë protestuar kundër dhunës me armë nëpër shkolla./REL