MENU
klinika

Analiza

Të gjithë sytë janë te Ukraina, por një tjetër krizë po shpërthen!

18.05.2022 - 20:30

Edhe pse lufta në Ukrainë vazhdon në zemër të Evropës, ne nuk duhet të harrojmë një konflikt tjetër që kërcënon sigurinë perëndimore: Iranin dhe programin e tij bërthamor.

Nëse nuk mund ta kthejmë marrëveshjen bërthamore të 2015-ës në rrugën e duhur, ne do të shkojmë drejt një konflikti të ri me Teheranin.

Presidenti Biden dhe liderët evropianë kanë vepruar me shpejtësi dhe vendosmëri për Ukrainën; tani ata duhet të ndërmarrin hapa për të parandaluar që Irani të bëhet një shtet i rrezikshëm bërthamor.

Për këtë qëllim, Enrique Mora, koordinatori i Bashkimit Evropian për negociatat e marrëveshjes bërthamore të Iranit, vizitoi kohët e fundit Iranin për të ndihmuar në shpëtimin e një marrëveshjeje “të ngecur” në rërën politike si në Uashington ashtu edhe në Teheran.

Në fillim të këtij muaji, Senati i SHBA-së, përfshirë anëtarët e Partisë Demokratike të Biden-it, miratoi një masë që kërkon që një marrëveshje me Iranin të përfshijë gjithashtu çështje që nuk lidhen me armët bërthamore.

Ndërkohë në Teheran, oreksi për një marrëveshje po pakësohet pasi presidenti Ebrahim Raisi mburret për dyfishimin e shitjeve të naftës që kur mori detyrën gushtin e kaluar, pavarësisht sanksioneve të SHBA.

Ndonëse negociatat kanë përfunduar në mënyrë efektive, evropianët po përpiqen të thyejnë një “ngërç” për përcaktimin e SHBA-së të Korpusit të Gardës Revolucionare iraniane si një organizatë e huaj terroriste.

Ky përcaktim është një masë kryesisht simbolike me pak ose aspak lidhje me mosmarrëveshjen mbi programin bërthamor.

Uashingtoni dhe Teherani do të ishin budallenj që të lejonin qëndrimet e brendshme ideologjike të sabotonin një marrëveshje bërthamore që arriti t’i mbijetonte presidencës së Donald Trump.

Evropianët mbështetën përpjekjet diplomatike të Presidentit Barack Obama në Iran, protestuan kundër tërheqjes së Trump nga Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit dhe tani kanë qenë përsëri në krye të përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund krizës bërthamore me Iranin dhe për të shmangur një luftë tjetër katastrofike në Lindjen e Mesme.

Pra, është e çuditshme që, pasi kërkoi një rikthim në marrëveshjen bërthamore dhe premtoi se “Amerika është kthyer”, Biden ka qenë shumë i ndagaltë sa i përket diplomacië.

What to expect as Iran nuclear deal talks restart in Vienna | Nuclear Energy News | Al Jazeera

Mungesa e koherencës së Teheranit është gjithashtu një problem i vazhdueshëm.

Megjithëse Raisi mburret për rritjen e eksporteve të naftës, populli iranian mbetet nën presionin ekonomik në rritje. Burgosja e padrejtë e evropianëve është një fyerje tjetër për Evropën.

Pozicioni rajonal i Iranit vazhdon të minojë interesat e sigurisë perëndimore. Megjithatë, të gjitha këto probleme do të bëhen më të vështira për t’u menaxhuar nëse kemi të bëjmë me një Iran që nuk kufizohet sa i përket një marrëveshjeje bërthamore.

Perëndimi nuk bëri marrëveshje për kontrollin e armëve me Bashkimin Sovjetik, sepse ne kërkuam të normalizonim marrëdhëniet. Ne e bëmë këtë sepse ishte në dobi të sigurisë sonë kombëtare. E njëjta gjë vlen në lidhje me Iranin. Biden duhet të marrë seriozisht në konsideratë kostot e pasivitetit të tij ndaj Iranit dhe të gjejë një rrugëdalje – ose mund të gjendemi në një konflikt tjetër që askush nuk e kërkoi.

Carl Bildt, një kolumnist i Global Opinions, është ish-kryeministër i Suedisë. Javier Solana, ish-sekretar i përgjithshëm i NATO-s dhe BE-së. Përfaqësuesi i Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, është president i Qendrës Esade për Ekonominë dhe Gjeopolitikën Globale.

Burimi: The Washington Post

Përktheu dhe përshtati: Konica.al