MENU
klinika

Deklarata e Victoria Beckham!

“Të jesh e dobët është ‘jashtë mode’…”

18.05.2022 - 10:26

Victoria Beckham ka thënë së fundmi se të jesh ‘e hollë’ ka qenë në modë sezonin e kaluar.

“Është një qëndrim që tashmë i takon modës së vjetër…”, i tha ajo prestigjiozes “Grazia”.

Ajo shtoi se femrat moderne “duan të duken të shëndetshme dhe me forma. Ato duan të kenë gjinj dhe vithe”. 48-vjeçarja tha se të punuarit në Florida e ka bërë atë që ‘të hapë sytë’ e të shikojë se çfarë realisht duan vajzat dhe gratë sot.

“Ka shumë gra në Miami që janë vërtetë të mbushura e me forma”, shpjegoi ajo. “Ato ecin përgjatë plazhit të Miami-t, ku shihen pak të zhveshura dhe duken me të vërtetë fantastike. Ato tregojnë trupin e tyre me një vetëbesim të jashtëzakonshëm”.

Ndër të tjera, Victoria shtoi se ndihet mjaft mirë që ekspozon vajzën e saj 11-vjeçare, Harper, me vajzat dhe gratë që janë të kolme dhe vërtet e pëlqejnë pamjen e tyre. Beckham tha më tej se ishte frymëzuar shumë nga vajza dhe gra të tilla, pra të kolme, pasi kaloi disa kohë në Miami.

Më tej, ajo u pyet edhe për vajzat dhe gratë e imëta.

Victoria menjëherë ngriti supet dhe u përgjigj: “Nuk ka të bëjë me të qenit një peshë e caktuar. Ka të bëjë me faktin se kush jeni dhe se sa të lumtur jeni ju me veten tuaj. Unë kam gjetur ekuilibrin midis dëshirës për t’u argëtuar dhe të qenit e disiplinuar në të ushqyerit shëndetshëm, por edhe stërvitjes”.

Kohët e fundit, Beckham ka nisur edhe ushtrime me ngritje të peshave. “Unë kam qenë gjithmonë paksa e frikësuar nga peshat, por tashmë më rezulton se dua shumë të bëj ushtrime të tilla,” tha ajo, duke shtuar se “ka shumë më shumë muskuj tani”.

“Çdo grua dëshiron të jetë me forma, apo jo”?, tha Victoria ku më pas shtoi: “Sa më shumë e kolme të jesh, aq më mirë duken fustanet e mia ‘VB’ në trupin tuaj”.

Mirëpo, tashmë të ndalemi pak te e gjithë kjo deklaratë e ish-yllit të “Spice Girls”.

Kjo deklaratë e Beckham mund të nxisë reagime të shumta. Sa i drejtë mund të jetë ky diferencim për peshën trupore mes vajzave dhe grave ‘të holla’ dhe atyre që janë ‘të kolme’?

A nuk do të humbasin tashmë vetëbesimin ato vajza e gra të cilat janë mjaft të holla? A do të duan tashmë ato medoemos të shtojnë peshë, vetëm se fjalët e Beckham mund të kenë mjaft ndikim në jetët e tyre?

Që kur po vendoset një standard bukurie, ku të gjitha vajzat duhet të jenë të mbushura e me forma? A nuk janë modelet e njohura të “Victoria Secret” mjaft të holla? Por, nga ana tjetër, kemi modele të kolme si Ashley Graham, e cila ka shkëlqyer në pasarelat e modës kurdoherë.

Influencuese të tilla si Victoria Beckham duhet të jenë mjaft të kujdesshme me deklaratat e tyre, pasi fjalët e tyre mund të shkaktojnë ofendim te një masë e gjerë vajzash dhe grash.

Të gjitha vajzat e gratë, të çfarëdolloj peshe, janë mjaft të bukura dhe unike dhe të tilla duhet të ndihen gjithnjë. Në fund të ditës, ka rëndësi ajo çfarë t’i shfaq nga vetja jote e jo domosdoshmërisht pamja, e aq më tepër pesha trupore.

Një këshillë për të gjitha vajzat dhe gratë: Ndihuni mirë me veten tuaj dhe dashuroni trupin tuaj. Në fund të fundit, ju jeni unike në llojin tuaj…

Po e mbyllim këtë artikull me një shprehje të këngëtares dhe aktores së njohur, Selena Gomez: “Unë mendoj që çdokush dëshiron të ketë atë gjë që nuk e ka. Por në fund të ditës, shpirti yt është më i bukur se ajo që transmetojmë nga jashtë”.