MENU
klinika

Kategoria Superiore, Java 35

Tirana bie në derbi me Dinamon, Partizani në Evropë

21.05.2022 - 19:02

Tashmë thuajse janë zgjidhur të gjitha verdiktet e Kategorisë Superiore. Tirana kampione sot u mund në derbi 2-1 nga Dinamo, ndërsa Partizani fitoi 4-0 me Kastriotin dhe siguron vendin e tretë. Kukësi dhe Vllaznia fitojnë respektivisht 1-0 ndaj Skënderbeu dhe 3-1 kundër Enatias.

Blutë e rënë nga Kategoria iu falën Haxhiut dhe Samake, që realizuan në të 9-tën minutën dhe në fillimin e fraksionit të dytë. Për kampionët e rinj nuk mungoi Seferi, që vijon luftën me Guindon në distancë, që shënoi në humbjen 2-1 të Lacit në Durrës ndaj Teutës.

Partizani ka siguruar matematikisht Europën. Pjesa e parë përfundoi pa gola, por në 15 minutat e para të fraksionit të dytë, të kuqtë “tundën rrjetën” 2 herë me Markun dhe Skukën. Ekipi i Mehmetit nuk do ndalej me kaq pasi Cara (77’) dhe Maguette (84’) shënojnë emrin në listën e golashënuesve.

Vllaznia ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në javën e parafundit të Kategorisë Superiore. Debutim perfekt i Mirel Josës në pankinën shkodrane. Pjesa e parë përfundoi 2-0 për vendasit në Shkodër, pas golit të Aralicës në minutën e 20-të dhe autogolit të  Agbekpornu , 18 minuta më pas. Rrogozhinasit do reagonin në të 63-tën me Jackson, por rrjeta e Da Silvas (70’) do i jepte qetësinë e duhur Vllaznisë, e cila tashmë është e pesta me 52 dhe shpreson të arrijë Europën në aktin e fundit.

Kukësi qëndron në korsinë e Europës dhe është i katërti në rënditje, me 52 pikë. Verilindorët u mjaftuan me golin e Feijao në fundin e 45-minutave të para ndaj Skënderbeut në shtëpi.