MENU
klinika

Mesazhi për finalen e 25 majit

Ultrasit e Romës: Tregoni respekt për Tiranën

16.05.2022 - 18:35

Na ndajnë edhe 9 ditë nga finalja e Conference League, që do të luhet në Tiranë, duel që do ta diskutojnë dy ekipe me traditë në futboll si Roma dhe Feyenoord. Kjo ka bërë që ifozëritë e të dyja skuadrave të bëjnë çdo gjë për të mbërritur në Shqipëri që të mbështesin nga afër skuadrat e tyre.

Biletat kanë “avulluar” me kohë, por kjo nuk i ndalon aspak mbështetësit e klubeve finaliste që të udhëtojnë drejt kryeqytetit shqiptar. Një numër tepër i lartë tifozësh priten të vijnë ditën e finales dhe deri tani flitet për rreth 100 mijë persona (shumë e fryrë kjo), çka i kalon kapacitetet e qytetit.

Së fundmi, nga ultrasit e klubit italian të Romës ka përgatitje speciale, ku bën pjesë edhe një komunikatë që u drejtohet tifozëve, e cila shpjegon rregullat që duhet të ndjekë secili prej anëtarëve. Ja disa nga rregullat që duhet të ndjekin tifozët:

“Shmangni shëtitjet vetëm dhe në grupe të vogla. Mos merrni flamuj apo pankarta personale, materialet do t’ju shpërndahen në vend. Vendi i takimit do t’ju komunikohet në vazhdim”.

Ndërsa ajo që të tërheq vëmendjen është pika e fundit e komunikatës, pasi theksohet se tifozët duhet të respektojnë qytetin e Tiranës, sepse është vendi që po i mirëpret. “Tregoni respekt për qytetin që ju mirëpret”, – thuhet në komunikatën drejtuar tifozëve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Masa strike edhe finalen e Tiranës

UEFA paralajmëron biletashitësit e paautorizuar