MENU
klinika

“Ra për të fjetur dhe nuk u zgjua më”

Vdekja e 51-vjeçares, bashkëshorti paralajmëron padi ndaj mjekëve

09.05.2022 - 09:50

Një 51-vjeçare humbi jetën në rrethana ende të paqarta, ndërsa familjarët e saj akuzojnë mjekët për mjekim të gabuar dhe neglizhencë.

NGJARJA

Albana Saliçe ka humbur jetën mëngjesin e së dielës pak orë pasi kishte marrë mjekim në Urgjencën e Spitalit të Korçës. Gruaja kishte shkuar ne spital në orët e para të mëngjesit ku i ishte nënshkruar një kontrolli nga ana e stafit mjekësor. Pas ndihmës së parë të dhënë në urgjencë, gruaja më pas është dërguar nga shtëpi, ku edhe ka humbur jetën.

DENONCIMI

Bashkëshorti i saj, Edison Saliçe, ka akuzuar mjekët për mjekim të pakujdesshëm dhe trajtim të gabuar. Ai tregon gjithçka ndodhi që nga momenti kur bashkëshortja e tij shkoi me ambulancë në Urgjencë në orët e para të mëngjesit.

“Bashkëshortja erdhi në orën 3 e 15, ne kemi marrë në telefon 127, na u përgjigjën sepse shtëpinë e kemi këtu afër, erdhëm në spital ndenjëm deri në orën 5, i bëri doktori një gjilpërë dhe na thotë është anemike, nga zemra nuk ka asgjë, EKG-ja i doli mirë”, tha burri.

Pasi kanë rënë për të fjetur, ai deklaron se bashkëshortja e tij nuk është zgjuar më.

“Vajtëm në shtëpi, na zuri pak gjumi, ngrihem në mëngjes e pyes si je, s’po më përgjigjej, lajmërova fqinjën, lajmërova këta, ardhëm këtu, as emrin e doktorit, asnjë gjë, na thonë vetëm i bie goja erë të keqe mos ka pirë detergjent, që nuk bën vaki asnjëherë në botë. Nga gjilpëra ajo ishte për bukuri të Zotit. Në orën 5 shkuam në shtëpi, në 8 të mbarojë, ai le ta mbante këtu mos e çonte në shtëpi”, shton ai.

Edison Saliçe shprehet se gruaja e tij e ndjerë kishte shqetësime gjinekologjike, për të cilat merrte mjekim.

“Kishte shqetësime gjinekologjike, për të cilat po mjekohej. Kurën e vazhdonte normalisht, ishte shumë mirë, pas bërjes së gjilpërës këtu… nuk ia di emrin mjekut. U regjistrua në kartelë në shërbimin e urgjencës. S’kam bërë akoma denoncim, të vijë mjeku ligjor edhe do t’i vazhdoj veprimet e mëtejshme”.

ÇFARË THONË MJEKËT

Përkundër pretendimeve të burrit të viktimës Albana Saliçe, se i ishte bërë një injeksion në urgjencën e Spitalit të Korçës, mjekët pretendojnë të kundërtën. Shefi i Urgjencës thotë se në urgjencë ka ardhur për të marrë mjekim pasi nuk ndihej mirë.

“Erdhi në urgjencë me dhimbje gjoksi. I bëmë të gjitha kontrollet. I bëmë EKG e zemrës, i doli shumë mirë. S’kishte probleme. Edhe në analiza doli mirë. Nuk kishim pse ta mbanim në spital pasi u qetësua”, mësohet të ketë deklaruar mjeku përpara Forcave të Rendit, teksa është marrë në pyetje për ngjarjen.

Mësohet se shefi i urgjencës të ketë mohuar faktin e dhënies të ndonjë injeksioni siç u shpreh bashkëshorti i viktimës.

Më konkretisht, ai nuk ka folur për asnjë injeksion ose gjilpërë të bërë ndaj viktimës. Dyshimet paraprake për vdekjen e 51- vjeçares lidhen me problemet kardiake dhe faktin që ajo mund të ketë pësuar infarkt.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Korçë/ Familjarët akuzojnë bluzat e bardha

Pak orë pas mjekimit, humb jetën 51-vjeçarja