MENU
klinika

Arratisja nga Gjykata e Korçës

Vendosen nën hetim 4 efektivët që shoqëronin 22-vjeçarin

09.05.2022 - 10:07

Katër efektivë policie janë vendosur nën hetim pas arratisjes së 22-vjeçarit Kristjan Medolli nga ambientet e Gjykatës së Korçës një ditë më parë.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njofton se nën hetim janë vendosur shtetasit me iniciale G.S., F.S., E.S. me detyrë inspektor, si dhe shtetasin M.J. me detyrë komisar.

Sipas AMP-së, dy punonjësit e policisë, G. S dhe F. S. nuk kanë zbatuar detyrimet ligjore për mënyrën e shoqërimit të personave të arrestuar apo të ndaluar.

Po ashtu, rezulton se Inspektor E. S., në kundërshtim me procedurat standarde të punës dhe në cilësinë e përgjegjësit të patrullave, ka bërë njoftimin vetëm të njërit prej punonjësve të patrullës për shoqërimin në gjykatë të shtetasit K. M.

Njoftimi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore:

Korçë – Më datë 08.05.2022, Drejtoria Rajonale Elbasan – Korçë e AMP në konsultim edhe me Prokurorin e gatshëm, referoi materialet e para hetimore në gjendje të lirë për 4 punonjës të Komisariatit të Policisë Korçë, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Materialet hetimore u referuan në ngarkim të punonjësve të policisë;

Inspektor G. S., me detyrë Përgjegjës i zonave të sigurisë në Komisariatin e Policisë Korçë,
Inspektor F. S., me detyrë Trupë shërbimi i patrullës së përgjithshme, në Komisariatin e Policisë Korçë
Inspektor E. S., me detyrë Trupë shërbimi i Patrullës së Përgjithshme
Komisar M. J., me detyrë Shef i Seksionit të Rendit në Komisariatin e Policisë Korçë
Referimi u krye pasi më datë 08.05.2022, ndërsa punonjësit e policisë shoqëronin shtetasin K. M. në ambjentet e Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë (person i arrestuar) për vlerësimin e masës së sigurisë, gjatë kohës që ky shtetas ka qenë duke hipur në mjetin e policisë, brenda ambjenteve të garazhdit të Gjykatës, u është larguar dy punonjësve të policisë dhe është kapur pak më pas nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se dy punonjësit e policisë, G. S dhe F. S. nuk kanë përmbushur detyrën funksionale duke mos zbatuar detyrimet ligjore për mënyrën e shoqërimit të personave të arrestuar apo të ndaluar.

Po ashtu, rezulton se Inspektor E. S., në kundërshtim me procedurat standarde të punës dhe në cilësinë e përgjegjësit të patrullave, ka bërë njoftimin vetëm të njërit prej punonjësve të patrullës për shoqërimin në gjykatë të shtetasit K. M.

Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje, dyshohet se punonjësi i policisë Komisar M. J., në cilësinë e eprorit të drejtpërdrejtë dhe në mungesë të Specialistit të Rendit, në kundërshtim me ligjin, nuk ka marrë masa për organizimin e shërbimeve për shoqërimin e shtetasit K. M.

Si ndodhi ngjarja?

Ngjarja ndodhi ditën e djeshme ku i riu, i cili po mbahej në dhomat e paraburgimit të Drenovës, u largua përmes tuneleve të gjykatës së Korçës.

22-vjeçari pasi u njoh me masën e sigurisë arrest me burg për akuzën e vjedhjes, u shoqërua drejt makinës së policisë për ta dërguar drejt dhomave të paraburgimit në Elbasan.

Në atë moment ai ka arritur të largohet me vrap duke dalë jashtë murit rrethues të gjykatës.

Nuk dihet nëse dera kryesore e garazhit apo edhe ajo e rrethimit të jashtëm kanë qenë të mbyllura ashtu siç procedohet në raste të tilla. Policia ka ngritur postblloqe të shumta për të bërë të mundur kapjen e 22-vjeçarit.