Spitali Pediatrik i Elbasanit është transformuar në një mjedis miqësor për vogëlushët, ku ata marrin shërbimin spitalor në kushte optimale.
Kryeministri Edi Rama ndau sot përmes një video në rrjetet sociale përshtypjet e personelit mjekësor të këtij spitali të cilët punojnë tashmë me kushtet dhe standardet më të mira.
“Mirëmëngjes dhe me transformimin e Pediatrisë së Elbasanit, ju uroj një të diel të mbarë”, tha Rama.
“Nuk ka fjalë ta përshkruajmë. Jemi shumë të emocionuar”, tha njëra prej punonjësve të këtij spitali.
“Krahasuar me spitalin që ka qenë më përpara, kjo është një mrekulli”, tha një tjetër mjeke.
“Pamjet tregojnë vetë. Një ambient me të gjitha aparaturat, me të gjitha kushtet bashkëkohore”, tha një tjetër punonjëse.
“Tashmë fëmijët që do të kenë nevojë për shërbimin tonë do të ndihen më mirë së bashku me prindërit e tyre”, tha njëra prej mjekeve.
Spitali Pediatrik i Elbasanit ka një kapacitet prej 75 shtretërish, 60 shtretër shtrimi për pacientët e vegjël, të organizuar në shërbimet e terapisë ditore, reanimacionit, neuro – interiteve, bronkiteve, dhe shërbimit të pediatrisë infektive, si dhe 15 shtretër në shërbimin e urgjencës.
Të gjithë dhomat e pacientëve të vegjël duke filluar nga urgjenca, pavioni i terapisë ditore dhe pavijonet e tjera të shërbimeve pediatrike kanë ambiente miqësore për pacientët e vegjël.
Spitali i ri është gjithashtu një investim i shumëpritur për personelin e dedikuar shëndetësor të Spitalit pediatrik të Elbasanit që trajton në ditë mesatarisht 80 pacientë të vegjël në shërbimin e urgjencës dhe deri në 150 pacientë të vegjël në periudhat e pikut.