MENU
klinika

La Liga, Java 36

Vinicius tripletë, Real luan tenis, Benzema historik

12.05.2022 - 23:33

Kampionët e Real Madrid shpartalluan me rezultatin 6-0 Levanten, në sfidën e vlefshme për javën e 36-të të La Ligës. Protagonist absolut i madrilenëve në këtë duel ishte braziliani Vinicius Junior, që shënoi tripletë.

Vlen të theksohet fakti se pjesa e parë u mbyll me rezultatin 4-0. Ishte Mendy ai që në minutën e 13-të hapi serinë e golave, ndërkohë që Benzema dyfishoi shifrat në minutën e 19-të.

Goli i tij e bën francezin një nga më të mëdhenjtë e klubit. Pasi parakaloi Di Stefanon më 9 mars me tregolëshin historik kundër PSG-së, numri 1 i “Los Blancos” barazoi 323 golat e Raul me finalizimin e tij, për t’u bërë golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e Real Madrid, pas Cristiano Ronaldo.

Për golin e tretë mendoi Rodrigo në të 34-tën, teksa më pas skena i takoi e gjitha Vinicius Junior, që në minutat 45, 68 dhe 83, tundi 3 herë rrugën e rrjetës.

Me këtë humbje, duket se Levante i ka larë duart me La Ligën, pasi është pozicionuar në vendin e fundit me 29 pikë në 36 ndeshje.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN