MENU
klinika

Si ndodhi krimi shtatë vite më parë

Vrau të moshuarin, dënohet me 20 vite burg autori

26.05.2022 - 09:19

Rreth 7 vite pas një ngjarjeje të rëndë në Fier, ku u vra një 82-vjeçar, Gjykata e Shkallës së Parë atje ka dënuar autorin e krimit.

Skënder Krasniqi, 44 vjeç, u dënua me 20 vite burg si autor i vrasjes së të moshuarit Novruz Likometaj. Viktima u gjet në një kazan plehrash më 21 nëntor të vitit 2015, ndërsa në trupin e tij kishte goditje me mjete të mprehta.

KRIMI

Novruz Likometaj u gjet i pajetë pasditen e 21 nëntorit të vitit 2015 në lagjen “11 shkurti” të qytetit të Fierit. I mbështjellë me çarçaf të bardhë, ai u gjet i vdekur brenda një koshi mbeturinash rreth 300 metra larg shtëpisë së tij. Sipas Policisë, Likometaj është qëlluar në trup me sende të forta dhe mjete të mprehta, çka i kanë shkaktuar atij vdekjen. Pas krimit, autori e ka hedhur atë në kosh me idenë se mjetet pastruese të bashkisë do ta merrnin dhe do ta çonin në vendgrumbullimin e mbeturinave dhe në këtë mënyrë, do të humbnin gjurmët.

Kufoma u zbulua nga pjesëtarë të komunitetit rom që mblidhnin kanoçe në kazanë, të cilët lajmëruan më pas Policinë. Një ditë pas ngjarjes së rëndë, Policia arrestoi si autor të dyshuar Skënder Krasniqin, asokohe 37 vjeç. Policia e konsideronte krimin për motive të dobëta, ndërsa vetë nëna e autorit tanimë të dënuar nga drejtësia, deklaronte se i moshuari e ngacmonte atë në rrugë, por mohonte që krimin ta kishte kryer djali i saj.

Pavarësisht se në moshë të thyer, 82-vjeçari kishte nxjerrë lajmërim në gazetë ku kërkonte grua. Pas arrestimit, Gjykata e Fierit e liroi nga qelitë 37-vjeçarin për shkak të mungesës së provave. Pesë vite më vonë, Krasniqi u arrestua sërish si autor i krimit, arrestim i cili u krye me urdhër të Gjykatës së Fierit, duke u akuzuar për veprën penale të “Vrasjes me paramendim”.

Skënder Krasniqi ka qenë fqinji i tij dhe mendohet se motivi i vrasjes ka qenë ngacmimi që i moshuari i ka bërë nënës së autorit. Skënder Krasniqi ka pretenduar për pafajësi gjatë gjithë procesit gjyqësor. Po kështu, edhe nëna e tij ka kërkuar që djali i saj të lirohet pasi thotë se nuk ka qenë i përfshirë në vrasjen e të moshuarit. Novruz Likometaj ishte kreu i Sindikatës së Transportit në Fier, ndërsa fëmijët e tij drejtonin një agjenci udhëtimi ShqipëriGreqi dhe anasjelltas.

NGACMIMI

Roza Krasniqi, 71 vjeçe në atë kohë, deklaronte se i moshuari i kishte hedhur llafe në rrugë dhe se për këtë, i kishte treguar të birit. “Para disa kohësh, ky i moshuar më kishte hedhur disa llafe në rrugë, aty ku unë rrija e shisja banane. Por unë e di që djali nuk do të merrej kurrë me këtë punë. Ishte muhabet kot, pa ndonjë rëndësi”, thoshte gruaja, e cila shiste banane në lagje bashkë me djalin.