MENU
klinika

Ngjarje e rëndë

Vritet me armë 30-vjeçari shqiptar, policia plagos autorin

28.05.2022 - 10:04

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në Ferizaj ka mbetur i vrarë me armë një 30 vjeçar, ndërsa ka mbetur i plagosur autori, pasi është qëlluar nga efektivet e policisë, në përpjekje për ta arrestuar.

“Patrullat e policisë menjëherë ju kanë përgjigjur kësaj thirrje dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes, më pas edhe hetuesit dhe krim teknikët e Sektorit Rajonal të Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj. Nga hetimet e para, dyshohet se personi me inicialet Q.J ( M/K) i moshës 30 vjeçar, ka shtënë me armë zjarri në personin tjetër me inicialet G.H (M/K) i moshës 30 vjeçar, i cili si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, kjo e konfirmuar nga mjekët e spitalit të Ferizajt”, thuhet në njoftim.

Afër vendit të ngjarjes, një njësi e policisë me automjet zyrtar civil dhe pjesëtarë të policisë me rroba civile, në detyrë zyrtare kanë vërejtur të dyshuarin me armë zjarri në dorë dhe kanë filluar fillimisht me urdhra verbal “ndal policia” që të ndalet, por i dyshuari nuk ka përfillur urdhrat e policisë.

“I dyshuari me pistoletë në dorë, dyshohet se në një moment i kthehet zyrtarëve policor dhe njëri zyrtar policor, për ta shmangur rrezikun e drejtpërdrejt ndaj tij, kolegut të tij dhe të tjerëve përreth, e përdor armën e zjarrit zyrtare, me një shkrepje në drejtim të të dyshuarit. I dyshuari, menjëherë dërgohet për ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor dërgohet në QKUK – Prishtinë dhe sipas mjekëve,  gjendja shëndetësore e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia i ka marrë masat për sigurinë e tij”, thuhet më tej në njoftimin e Policisë.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt dhe IPK-ja të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes.

“Me vendim të Prokurorit lidhur me veprimet e zyrtarit policor do të marrin vendim Prokurori i rastit së bashku me IPK-në, ndërsa për veprimet tjera hetimore lidhur me vrasjen Sektori Rajonal i Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj.

Si provë materiale nga vendi i ngjarjes është konfiskuar dy armë zjarri, pistoleta dhe shtatë gëzhoja”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, me vendim të Prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, ndërsa ndaj të dyshuarit Q.J është lëshuar vendimi për ndalim për 48 orë.

Sektori Rajonal i Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, nën autorizim të Prokurorit i ka marr të gjitha veprimet e nevojshme.

Në vendin e ngjarjes, ka mbledhur prova materiale dhe deklarative se si ka ndodhur rasti.