Barcelona e ka mbyllur me humbje sezonin, duke u mposhtur 0-2 nga Villarreal. Një disfatë që nuk ka rënduar në renditje për katalanasit, që mbajnë vendin e dytë, por për tifozët nuk është pritur mirë.
Një gol në fundin e pjesës së parë dhe një në fillimin e pjesës së dytë kanë vendosur ndeshjen e luajtur në Camp Nou mbrëmjen e sotme. Pedraza ka zhbllokuar sfidën në minutën e 41-të duke finalizuar në mënyrën e saktë një aksion shumë të bukur të skuadrës së Unai Emery.
Në 45 minutat e dyta, më saktësisht në minutën e 55-të, ka ardhur edhe goli i dytë i miqve i shënuar nga Gomez, i cili ka shënuar pas një “asisti” të marrë nga sulmuesi i katalanasve, Traore. Barcelona e ka mbyllur kampionatin në vendin e dytë me 73 pikë, 13 larg Real Madrid-it kampion, ndërsa Villarreal e ka mbyllur në vendin e shtatë.