MENU
klinika

Kryeministri i Malit të Zi pranoi ftesën...

Abazoviç, Rama dhe Kovaçevski do të shkojnë bashkë në Kiev?

13.06.2022 - 11:58

Kryeministri Edi Rama do të jetë një nga liderët e parë të Ballkanit që do të vizitojë Ukrainën që pas momentit kur shpërtheu konflikti i armatosur me Rusinë.

Mësohet se kreu i qeverisë do të fluturojë ditën e nesërme drejt Kievit dhe sipas medias “Vijesti”, ai do të shoqërohet nga kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç i cili e kishte pranuar më herët ftesën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për të vizituar Kievin.

Sipas “Vijesti”, Abazoviç ishte ai që hodhi idenë e një vizite të përbashkët me kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Dimitar Kovaçevski në Kiev dhe theksohet se ideja e tij është pranuar nga kolegët.

Në raportimin e medias malazeze thuhet: “Siç ka paralajmëruar, Abazoviç do të nisë idenë e një vizite të përbashkët në Kiev nga kryeministri i Ballkanit Perëndimor, veçanërisht nga vendet e NATO-s në rajon, në mënyrë që të dërgojë një mesazh më të fortë dhe unik të mbështetjes nga Ballkani Perëndimor ndaj sovranitetit dhe integritetit të Ukrainës”.

Në një bisedë me Zelenskyn, Abazoviç theksoi se Mali i Zi ka ofruar mbështetje të hapur për pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës që në fillim.

“Ai theksoi se vlerat evropiane të lirisë dhe e drejta për zgjedhjen e dikujt mbrohen sot jashtë kufijve të Bashkimit Evropian dhe se Mali i Zi mbështet plotësisht qëndrimin e Bashkimit Evropian ndaj pushtimit rus të Ukrainës”, thuhet në deklaratë.

Abazoviç tha gjithashtu se shpreson që Ukraina të marrë statusin e një kandidati për anëtarësim në BE dhe se Mali i Zi, si lider në procesin e negociatave, është i gatshëm të ofrojë ndihmën e nevojshme eksperte dhe politike.