MENU
klinika

Pas kontrolleve policia e Kosovës zbulon se…

Alarm për bombë në aeroplanin e linjës Romë-Prishtinë

03.06.2022 - 11:30

Alarmi për bombë në aeroplanin e linjës Romë-Prishtinë ka rezultuar i rremë. Kështu kanë deklaruar zyrtarë policorë, të cilët thanë se është kontrolluar aeroplani si dhe të gjitha bagazhet e udhëtarëve.

Kërcënimi për bombë ishte dhënë gjatë kohës sa aeroplani ka qenë në fluturim duke krijuar shqetësim tek udhëtarët, mirëpo zyrtarët policorë thanë se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë dhe tashmë gjithçka është në rregull.

“Sonte rreth orës 22:00 kemi pranuar një informacion për një kërcënim me bombë në fluturimin nga Roma për Prishtinë. Menjëherë jemi përgjigjur me të gjitha njësitet relevante. Pasagjerët janë evakuuar dhe janë kontrolluar avioni, bagazhet, nuk ka dalë asgjë. Është alarm fals…”, ka deklarua shefi i Policisë së Aeroportit, Shpend Maliqi, raporton Kp, ndërkaq në aeroplan ndodheshin rreth 200 udhëtarë.

Për shkak të këtij alarmi nuk ka pasur vonesa në fluturimet e tjera ndërsa tashmë Aeroporti i Prishtinës i është kthyer normalitetit.

 

 

Alarmet për bombë janë shpeshtuar periudhën e fundit.
Duhet theksuar më 17 dhe 18 maj, në Kosovë u raportua se ka pasur alarm për mjete shpërthyese në ndërtesën e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës dhe në shkollën e mesme “Xhevdet Doda” në kryeqytet.

Informacioni për mjet shpërthyes në Rektorat ishte pranuar drejtpërdrejt në adresën elektronike të këtij institucioni, ndërsa informacioni për mjet shpërthyes në shkollën “Xhevdet Doda” i kishte ardhur Policisë, e cila i evakuoi menjëherë nxënësit.

Të dy alarmet rezultuan të rreme. Policia e Kosovës kishte bërë të ditur se janë duke zhvilluar hetime për të dyja rastet, por deri më tani nuk është bërë ndonjë arrestim.

Lidhur me këto raste, Policia nuk ka treguar nëse kanë arritur t’i identifikojnë adresat prej nga kanë ardhur këto kërcënime.

Ndërkaq, kërcënime të ndryshme për mjete shpërthyese deri më tani ka pasur edhe në Mal të Zi, Serbi, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë.